Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe duke iu drejtuar përfaqësuesve të Shoqatës së Basteve u tha se ata nuk duhet të përfaqësojnë krimin në komision.
Sipas Braçes para 2018 bastet i ka pasur në dorë krimi dhe argumenti që ata sjellin se do të mbeten informale por t’u kthehen kompanive është perceptuar si shantazh. Deputeti nuk tha se çfarë roli luan policia, prokuroria në këtë drejtim, nëse provat janë të qarta, pse nuk ndërhyhet nga ana e organeve ligj-zbatuese.
Gjithashtu, edhe fakti që kjo nismë e vetë qeverisë, e cila i ndaloi bastet disa kohë më parë dhe është duke i rikthyer sërish, po kundërshtohet nga vetë përfaqësuesit e maxhorancës, ndoshta bëhet për të krijuar përshtypjen e “opozitës të sajuar nga brenda qeverisë”.
“Këtë aktivitet e ka pasur në dorë krimi. Kjo ka qenë e qartë. Ti nuk duhet të përfaqësosh krimin në komision. Ju kam dëgjuar në çdo komision, po dëgjoj dhe këtu”, tha Braçe.
“Po s’u kthyet kompanitë që ishin kjo gjë do të mbetet informale është perceptuar si shantazh i qartë. Këtë aktivitet e ka pasur në dorë krimi. E dimë mirë se çfarë kemi hequr në 2018. Me telefona e mesazhe duke kërcënuar fëmijë e prindër. Po luhet tani po luhet? Por dini gjë ju se kush po luan? Kush po i luan se ju jeni shoqata e basteve sportive. Këta që e bëjnë sot çfarë janë. U bëmë pjesë e një aktivitet ilegal. Kush po luan tani. Kush po e bën këtë gjë’ – thekoi deputeti socialist.
Janë praktikat ndërkombëtare ato të cilët mund të shërbejnë si një udhërrëfyes për Shqipërinë, edhe në praktikën e basteve. Paligjshmëria është gjë tjetër, për të cilën nëse ekziston, përgjegjësinë kryesore duhet ta mbajë qeveria.