Kryeministri i Shqipërisë ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar se po i përdor emigrantët shqiptarë për të justifikuar “politikat e dështuara” të saj për kufijtë dhe migracionin.
Komentet i bëri në një intervistë për BBC, duke iu përgjigjur edhe Sekretares së Brendshme, Suella Braverman, duke theksuar se deklaratat e saj nxisin ksenofobinë.
"Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program," shtoi ai.
Zonja Braverman tha të hënën se Anglia jugore po përballej me një "pushtim" të emigrantëve, duke akuzuar gjithashtu "shumë" shqiptarë për "abuzim me ligjet tona moderne të skllavërisë".
Javën e kaluar, deputetëve iu tha se deri më tani 12,000 shqiptarë kishin mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar pasi kaluan Kanalin, krahasuar me 50 në 2020.
Nga këta 10,000 ishin burra, që përfaqësonin 1% të popullsisë së rritur mashkullore të Shqipërisë.
Rama tha më tej për BBC Newsnight, se komenti "pushtim" i zonjës Braverman ishte "i çmendur" dhe ai e kishte pasur "të pamundur të mos reagonte".
Ai shtoi: "Nuk bëhet fjalë për një person. Ka të bëjë me klimën që është krijuar dhe ka të bëjë me gjetjen e kockave të kurbanit dhe fajësimin e të tjerëve. Nuk bëhet fjalë për shqiptarët, as alienët apo gangsterët, por ka të bëjë me politikat e dështuara për kufijtë dhe krimin”.
"Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program, nuk është një vizion. [Ajo] nuk është gjë tjetër veçse nxitja e ksenofobisë dhe synimi, veçimi i një komuniteti. Unë admiroj gjithçka që përfaqëson Britania. Por me të vërtetë jam i neveritur për këtë lloj politike që në fund është e dënuar të dështojë."
Deklarata e Ramës vjen pasi shkroi më herët në Twitter se Britania e Madhe po "diskriminon" shqiptarët për të shkëputur vëmendjen nga "dështimet e politikave".
I pyetur për këto komente, Ministri i Emigracionit Robert Jenrick tha se donte një "marrëdhënie produktive" me zotin Rama.
“Por është gjithashtu e vërtetë që Shqipëria është një vend i sigurtë, dhe shumica e njerëzve që vijnë nga Shqipëria janë meshkuj të rinj”, tha ai për ITV.
“Është një shembull i mirë i emigrantëve ekonomikë, të atij lloji që ne si vend duhet të përpiqemi të bëjmë më të mirën për të penguar”, shtoi ai./Liberale.al