Aktualitet

Dako, një tjetër divorc për Ramën

Shkruar nga Liberale
Dako, një tjetër divorc për Ramën

Një ditë pas publikimit të përgjimeve të reja, nga dosja “339” publikuar nga gazeta gjermane “Bild”, Vangjush Dako dhe kryeministri Ram vendosën të flasin. Kur të gjithë prisnin argumentimet e ngjashme me të herëve të tjera, kryetari i bashkisë së Durrësit thotë se përgjimet janë manipuluar dhe se ai nuk ka folur me kreun e bandës Astrit Avdylajn. Po ashtu, nga një tjetër studio televizive, edhe kreu i qeverisë, në një mbrojtje shumë më të vakët se më parë, i mbajtur nga një fill i hollë nga akti  lëshimi i Dakos dhe me një gjuhë trupi që e shfaqte në parehati, do të thoshte se përgjimet nuk kanë provë për shitblerje vote. Megjithatë, Rama ka shtuar se Dako është njeri i lirë, i cili duhet të përgjigjet deri në fund,  lidhur me të vërtetën.

“Në përgjimin numër pesë unë nuk jam duke folur me Astrit Avdylajn tani. Gjejeni ju me kë jam duke folur. Këtë ta sfidoj këtu. Nëse është e vërtetë që po flas me Astrit Avdylajn… Një mëndje e hollë e ka manipuluar për të krijuar një lidhje me pesë telefonatat e tjera. Në përgjimin pesë unë nuk jam duke folur me Avdylajn”, u shpreh Dako në studion e emisionit “Opinion”, ndërsa shtoi se ka dhënë dëshminë e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pak ditë më parë.

“Më kanë pyetur dhëmbë e dhëmballë për çdo gjë. Kanë sekuestruar të gjitha dosjet e Bashkisë në raport me këta. Unë këto i kam dëgjuar nga ju nga mediat nëpërmjet gazetës gjermane. Unë të them nuk jam duke folur me të, të bëj sfidë të hapur. Mund të jetë gabuar prokuroria”, u shpreh kryebashkiaku i Durrësit, i cili nuk u kandidua nga Partia Socialiste për një mandat të katërt, duke ia kaluar stafetën kandidates Valbona Sako.

I pyetur në studion e “Real Story” nga gazetari Sokol Balla, nëse ishin përgjimet arsyeja pse kryesocialisti nuk e kandidoi Dakon për një mandat të katërt në Durrës, Rama do të përgjigjej njësoj si disa kohë më parë në konferencën për median, ku do të thoshte se si në rastin e Qazim Sejdinit në Elbasan, ashtu edhe të Dakos të Durrës, ishin vetë kryebashkiakët që kishin kërkuar të mos rikandidoheshin.

“Kemi bërë një vlerësim të të gjitha gjërave dhe vetë Dako erdhi dhe tha që nuk dua të kandidojë më pasi ishte i lodhur nga baltosja politike dhe kishte tri  mandate në krye të Durrësit. Në videot  e përgjimeve nuk ka asnjë provë që vërtetojnë shitblerjen e votave dhe këto grupe kriminale që sot ndodhen pas hekurave nuk kanë marrë kurrë asnjë favor nga Bashkia e Durrësit”, do të thoshte kryeministri, duke shtuar se “për sa kohë nuk ka asnjë provë për shitblerjen e votave, çdo muhabet tjetër është i kotë”.

Rama do ta cilësonte të  gjithën një loje politike,  me synimin e dyfishtë për të goditur qeverinë dhe për të dëmtuar imazhin e vendit në procesin e integrimit.

Duke e shtruar çështjen në disa aspekte, kryeministri do të thoshte se përgjimet rrezikojnë ta devijojnë të vërtetën.

“Kam neveri nga përgjimet, jo nga përdorimi i përgjimeve sepse janë shumë të rrezikshme në aspektin e devijimit nga e vërteta sepse mund të nxirren nga e vërteta. Ka një aspekt edhe moral. Jemi në kushtet kur kryetari i bashkisë së Durrësit nuk është më kandidat. Është një person i lirë që duhet të përgjigjet deri në fund. Përgjimet nuk janë prova, janë indice. Shikoj që ka një shëmti dhe më vjen për të vjellë kur dëgjoj biseda të caktuara”.

Rama ka kritikuar edhe menaxhimin nga pikëpamja ligjore të të gjithë procesit, duke e vënë përgjegjësinë tek  prokurorët, të cilët duhet të ruajnë përgjimet.

“Gjithë këta njerëz që i përkasin botës së krimit janë në burg”, shtoi kryeministri, duke kaluar në aspektin politik të çështjes, që sipas tij është mbajtur  në sirtar për shantazh politik.

“Lidhet me atë që unë e kam quajtur tërmeti i reformës në drejtësi në proces. Këto copa materiale merren dhe nxirren që të ekspozohen në një gazetë me tirazh shumë të madh në Gjermani, duke sulmuar dy gjëra;  e para duke i dhënë një kornizë të një zbulimi gjerman për të sugjestionuar shqiptarët këtu. Nga ana tjetër kjo ekspozohet në momentin kur ne presim nga Gjermania dhe vendet e tjera të marrim një dritë jeshile për negociatat.”

Duke folur për kryebashkiakun e Durrësit, kryeministri do të shtonte “Kjo ka qenë një vendimmarrje në bashkëpunim me Vangjushin që i erdhi shpirti në majë të hundës për gjithë këtë situatë.  Kemi bërë një vlerësim të të gjitha gjërave dhe vetë ai e ka pasur edhe këtë shqetësim sepse u bë tabelë qitjeje për diçka,  sipas tij është inskenim mbi bazë muhabetesh dhe nuk ka lidhje fare me shit-blerje votash.  Ka lidhje me një proces fushate në një zonë të caktuar ku këta njerëz që sot janë prapa hekurave kanë qenë historikisht në shërbim të Partisë Demokratike”, do të zbulonte kryeministri, ndërsa tha se çështja duhet zbardhur. “Vijat e kuqe janë, nëse ke një problem me drejtësinë duhet zgjidhur, secili duhet t’i dale vete për zot, të provoje fajësinë apo pafajësinë”, u shpreh kryeministri, ndërsa përgjigjja e tij, me gjithë mbrojtjen ndaj Dakos, i ngjante rastit të ish-ministrit të Brendshëm  Saimir Tahiri, tanimë i pandehur në procesin gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Rama do të shtonte se grupi i Avdylajve nuk ka marrë kurrë asnjë tender e nuk ka pasur asnjëherë përfitim nga bashkia e Durrësit. Madje ata u arrestuan dhe po vuajnë dënimin në burg, nga shteti i qeverisur prej socialistëve. Sipas Ramës, nuk ka të dhëna nëse kjo gjë ka ndodhur apo jo në bashkinë e Shijakut.

Nga studio e “Opinion”, Dako do të rrëfente sesi ishte njohur me Astrit Avdylajn, të cilin e cilësoi si simpatizant i PS-së, ndërsa edhe ky i fundit pas arrestimit vjeshtën e kaluar do të thërriste  nga salla e gjyqit “Rroftë Vangjush Dako, Rroftë PS”, duke zbuluar edhe se e njihte kryebashkiakun dhe besonte tek programi i Partisë Socialiste në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 2017-s.

“Nuk e kam njohur kurrë Astrit Avdylajn. Deri në vitin 2016 nuk e kam njohur ndonjëherë fizikisht. Pas vitit 2016 e kam njohur siç njoh shumë njerëz në atë qytet. E di që ka qenë i dënuar. Është simpatizant i shpallur për të mbështetur Partinë Socialiste. Nuk është me teserë partie. Është vetëm simpatizant i Partisë Socialiste në këto zgjedhje”, do të argumentonte Dako, duke e cilësuar Avdylajn vetëm si mbështetës të PS.

Megjithëse kryeminsitri Rama preferoi të mos përgjigjej nëse Dako ishte më pjesë e kryesisë së PS-së, Vangjush Dako tha se edhe pas publikimit të këtyre përgjimeve do të jetë sërish drejtues elektoral i PS-së, i qarkut të Durrësit.

Kryeministri Rama do të fliste edhe për krizën politike dhe zgjedhjet e 30 qershorit, ku opozita nuk merr pjesë. I pyetur nëse kushtetuta po vihej mbi demokracinë në këtë rast, Rama do të përgjigjej se kjo nuk ishte çështje personale, pohim që e bëri edhe gjatë çeljes së fushatës, më 1 qershor.

“Nëse do të ishte çështje personale do të kisha ikur”, u shpreh Rama, ndërsa opozita kërkon prej shkurtit largimin e tij nga posti i kryeministrit si kusht i panegociueshëm për zgjidhjen e krizës politike. “Familja ime s’ka pse mbarset me një histori me bark, me llumë, me mut”, vijoi ai, duke shtuar se çështja ishte më shumë sesa personale. “Ne nuk bëjmë dot kurrë shtet demokratike, nëse institucionet kalojnë në plan të dytë. Të jesh i sigurt që do ta kemi këtë të përsëritur”.

Kryeministri në fund do të zbulonte se deri më 30 qershor nuk ka asnjë negociatë me opozitën për zgjidhjen e krizës, qëndrim i mbajtur edhe në letrat dërguar kryetarit të PD-së, Basha, të cilin edhe pse e ftonte në dialog do t’ia bënte të qartë se zgjedhjet do të mbaheshin më 30 qershor.  Por edhe pas 1 korrikut, me të përfunduar procesi i votimit, kryeministri tha se dialogu me opozitën do të zhvillohet në kuadër të zgjedhjeve të 2021-shit, ndërsa deri më 2023-shin vendi do të ketë kryebashkiakët e zgjedhur nga qytetarët, më 30 qershor.  Kështu kryeministri, megjithë sikletin e pjesës së parë të emisionit ku foli rreth përgjimeve të reja, do të përmbyllte se pavarësisht krizës politike, protestave të vazhdueshme të opozitës, do të vijojë të respektojë afatet kushtetuese të zgjedhjeve, edhe sikur opozita të qëndrojë në rrugë në stacionet e ardhshme elektorale.

 

*Shkrimi i publikuar 4 vite më parë në Gazetën Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH