Nga Laert Miraku
Ditë të caktuara, “skalitin” në memorien kolektive ngjarje dhe ndodhi të ndryshme që përkujtohen më pas vit pas viti.
Nëse flasim për ditën e sotme 17 Majin, perceptimet e shqiptarëve janë të ndryshme sepse në këtë ditë në vite të ndryshme kanë ndodhur ngjarje që tashmë janë ruajtur në kujtesën kolektive.
Më 17 maj 2011, krenaria e një pjese të shqiptareve u “prek” kur komuniteti “LGBTIQ” vendosi që të bëjë një paradë në kryeqytetin e shqiptarëve. Para 12 vitesh reagimi i shqiptarëve nuk ishte shumë pro kësaj parade dhe këtij komuniteti. U bënë shumë emisione televizive, madje arriti aty sa politikanë thanë se “do i fusnin plumbin në ballë djalit nëse ai bëhej gay”. Zhurma mediatike u bë. Njerëzit filluan në flasin për komunitetin “LGBTIQ”, më pas 17 Maji u kthye në Tiranë si dita e një parade të përvitshme. Vitet e para kishte ngacmime ndoshta dhe provokime gjatë paradës por me kalimin e viteve u kthye në diçka të zakonshme, saqë shqiptarëve nuk po u bënte më përshtypje.
Më 17 maj 2017, arrihet marrëveshja pas 3 orë e 20 minutave mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së(në detyrë) Lulzim Basha. Shqiptarët e kujtojnë mirë momentin kur Rama dhe Basha shtrënguan duart. Marrëveshja u bazua mbi paketën McAllister+. Rama e Basha i dhanë dorën njëri tjetrit tek dera e kryesisë dhe më pas kreu i opozitës iu drejtua çadrës ku përcolli mesazhin se u arrit marrëveshja e cila do i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Historia tregoi se ai që përfitoj më shumë nga kjo marrëveshje ishte Edi Rama. Ndoshta për demokratët ishte kjo një nga ditët kur ata humbën besimin te lideri i tyre politik. Kujtojmë se demokratët në atë vit kishin ngritur një çadër përpara Kryeministrisë dhe marrëveshjen që bëri kryedemokrati një pjesë e tyre e quajti tradhti.
Në të gdhirë të 17 majit 2020, fadromat shembën godinën e Teatrit Kombëtar mes shumë debateve e protestave, që vijonin prej rreth 2 vjetësh. Shembja e Teatrit Kombëtar solli përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të shumta policore. 37 persona u shoqëruan në komisariatet e policisë, mes tyre qëndrestarë, politikanë dhe gazetarë. Gjatë gjithë asaj dite dhe atyre që pasuan, në Tiranë u zhvilluan protesta dhe shumë persona, aktorë, aktivistë të Teatrit dhe qytetarë. Këshilli i Ministrave përmes një vendimi ia kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës truallin ku ndodhej Teatri Kombëtar dhe më pas Këshilli Bashkiak vendosi për shembjen e tij. Në atë kohë u përfol se zgjedhja e datës 17 maji ishte jo e rastësishme nga ana e qeverisë.
Në 10-vjeçarin e kaluar 17 maji ka regjistruar 3 ngjarje për të cilët ka pasues dhe e kujtojnë secili sipas interesave dhe dëshirave që ka.
Ka qytetarë të cilët kujtojnë dhe i bashkohen paradave të “LGBTIQ” që zhvillohen çdo 17 maj. Një pjesë tjetër e qytetareve më 17 maj shkojnë te ish-godina e Teatrit Kombëtar dhe vendosin lule për të kujtuar atë ngjarje që u fut në histori dhe për shumëkënd është në histori. Militantët partiakë, si demokratë dhe socialiste e kujtojnë 17 majin si datë historike për qëllime të ndryshme; demokratët se si “shiten” idealet dhe si “shfryhet” revolta opozitare, socialistët se si futet në “kurth” kundërshtari politik dhe si mund të manipulohet duke i dhënë pak nga torta e pushtetit.
Për të tjerë 17 maji është dita e tyre e ditëlindjes apo e një të afërmi. Dhe për shumë të tjerë 17 maji është një ditë normale si gjithë të tjerat pa asnjë interes. Ngjarjet e viteve të shkuara ndoshta tani nuk kanë shumë rëndësi, por një proverb thotë se po nuk e dite se nga vjen nuk e di se ku po shkon. /Liberale.al/