Aktualitet

Çfarë është Katari

Shkruar nga Liberale

Kampionati Botëror i Futbollit që fillon të dielën në Katar është diskutuar shumë jo vetëm për arsye sportive. Vendi pritës, një emirat shumë i pasur me pamje nga Gjiri Persik është përmendur dhe kritikuar shumë, veçanërisht për stilin e tij autoritar të qeverisjes, për kostot e mëdha të realizuara për organizimin e ngjarjes më të rëndësishme sportive në botë, për shfrytëzimin e punëtorëve që u kujdesën për ndërtimin e infrastrukturës sportive, por edhe për shkeljet e të drejtave të njeriut që bëhen aty.

Katari është një vend i vogël, me një popullsi prej 2.9 milionë banorësh. Por mbi të gjitha falë pasurisë së tij të madhe që rrjedh nga eksporti i hidrokarbureve, është një vend me një ndikim të fortë në ekonominë botërore.

Pak histori

Vendbanimet e para njerëzore në Katar janë shumë të lashta, madje një emër i ngjashëm me emrin aktual është përdorur për të përshkruar banorët e zonës që nga koha e lashtë romake, atëherë kur shkrimtari dhe historiani Plini Plaku foli për “Catharrei”. Historia e Katarit është mbi të gjitha e lidhur me perandoritë e mëdha që dominuan ose u përpoqën të dominojnë gadishullin e vogël me pamje nga Gjiri Persik: nga kalifatët islamikë të Mesjetës, deri në një periudhë të shkurtër në të cilën, në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, zona ishte e kontrolluar nga Portugalia, e cila dikur ishte një fuqi koloniale.

Megjithatë, historia moderne e Katarit fillon në shekullin e 19-të, kur familja al Thani erdhi në pushtet dhe që nga ajo kohë, e deri më sot, kanë sunduar vendin si një monarki absolute. Në 1847, Mohammed bin Thani u bë sundimtari i parë i vendit, megjithëse për dekada me radhë ishte i detyruar gjithmonë të ndante pushtetin me shtetet e fuqishme që vepronin në rajon.

Al Thani u detyrua për herë të parë t’i nënshtrohej Perandorisë Osmane në 1871 (por vazhdoi të sundonte në emër të osmanëve), më vonë, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Katari u bë protektorat britanik, siç ndodhi edhe me shtete të ndryshme të rajonit. Kjo do të thotë se Al Thani kishte një autonomi të mjaftueshme në qeverisjen e punëve të brendshme, por varej nga Mbretëria Britanike për mbrojtjen dhe politikën e jashtme.

Absolutizmi

Katari u bë plotësisht i pavarur në vitin 1971, kur Britania e Madhe hoqi dorë nga protektorati i saj. Që atëherë, vendi ka mbetur një monarki absolute e sunduar nga al Thani. Islami është feja zyrtare dhe Kushtetuta e vendit thotë në nenin e saj të parë se ligji islam (sheriati) është burimi kryesor i legjislacionit. Për më tepër, familja në pushtet ka imponuar vehabizmin në vend, pra një doktrinë ultra-konservatore dhe të ngurtë të Islamit, e cila zbatohet edhe në Arabinë Saudite.

Në Katar, fuqia e familjes al Thani është praktikisht absolute. Sundimtari aktual, Emiri Tamim bin Hama dal Thani është 32 vjeç dhe mori pushtetin kur babai i tij abdikoi (hoqi dorë) në vitin 2013. Tanim bin Hamad është sundimtari i parë i Katarit në katër breza që nuk ka përdorur një grusht shteti kundër një anëtari të familjes për të fituar pushtet.

Emiri i Katarit ka fuqinë për të emëruar dhe shkarkuar kryeministrin dhe të gjithë qeverinë, është kreu i ushtrisë dhe kontrollon sistemin gjyqësor. Në teori do të mbështetej nga një asamble konsultative e cila ka disa kompetenca, si për shembull ajo e vetos për ligjet. Në realitet, asambleja nuk guxon të kundërshtojë emirin, i cili gjithsesi emëron një të tretën e anëtarëve të trupit konsultativ.

Në Katar, partitë politike janë të ndaluara dhe është po ashtu e ndaluar të formohet një sindikatë. Shtypi është i censuruar. Homoseksualiteti është një krim që mund të dënohet me vdekje. Ndryshe nga Arabia Saudite, konsumimi i alkoolit është i ligjshëm për të huajt, megjithatë diçka e tillë po shkakton një debat të madh në vend për Kampionatin Botëror të Futbollit.

Gazi

Data më e rëndësishme në historinë e fundit të Katarit është ndoshta viti 1997, kur vendi filloi të eksportojë gaz natyror në botë. Fushat e gazit ishin zbuluar pak më parë dhe tani besohet se vendi mban rezervat e treta më të mëdha në botë, pas atyre të Rusisë dhe Iranit (rezervat e naftës, megjithatë, janë relativisht më të vogla). Gazi natyror e ka transformuar Katarin, e ka bërë atë një vend shumë të pasur dhe një fuqi rajonale. Aktualisht, Katari është një nga vendet më të pasura në botë për sa i përket prodhimit të brendshëm bruto për frymë.

Prodhimi i gazit e ka bërë gjithashtu Katarin një nga vendet më ndotëse në botë, sepse, ai është prodhuesi më i madh i CO2 për frymë, megjithatë, padyshim në terma absolutë, vendet më ndotëse janë ato më të mëdhatë dhe më të populluarat, siç janë Shtetet e Bashkuara apo Kina.

Në tridhjetë vitet e fundit, të ardhurat e mëdha të përfituara falë gazit natyror i kanë lejuar Katarit dhe regjimit të tij të kryejnë projekte shumë ambicioze dhe të fitojnë një ndikim në botë.

Në vitin 1996 u themelua kanali televiziv në gjuhën angleze Al Jazeera, i cili shpejt u bë më i rëndësishme në rajon dhe, i cili me kalimin e viteve është zgjeruar me zyra dhe kanale edhe në Perëndim dhe në vende të tjera. Qatar Airways është shndërruar në një nga linjat ajrore më të respektuara dhe më të spikatura. Kryeqyteti i vendit, Doha, është zmadhuar dhe është bërë një qytet i pasur dhe shumë i zhvilluar, me qiellgërvishtëse të shumta dhe po ashtu me një arkitekturë avanguarde. Në këtë kuptim, për Katarin si vend mikëpritës i Kupës së Botës është kurorëzimi i një suksesi ndërkombëtar, pavarësisht kritikave se si arriti ky vend të fitojë organizimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme sportive sot në botë.

Zhvillimi i përgjithshëm ekonomik i Katarit ka krijuar gjithashtu disbalanca dhe padrejtësi të mëdha. Pjesa më e madhe e ekonomisë bazohet në punën e punëtorëve emigrantë, të cilët nuk kanë të drejta dhe shpesh jetojnë në kushte të tmerrshme. Një pjesë e madhe e infrastrukturës së Kupës së Botës u ndërtua prej tyre, me sakrifica të mëdha dhe shumë vdekje për shkak të kushteve të këqija të sigurisë dhe shfrytëzimit të madh në punë.

Nga e gjithë popullsia që gjendet në territorin e Katarit, vetëm rreth 10-15 për qind e saj gëzon të drejta të plota qytetare. Katari ka programe të ndryshme për të rishpërndarë pasurinë e madhe të krijuar nga shitja e gazit, siç mund të jetë paga mesatare shumë e lartë, mirëqenia ekonomike shumë e mirë dhe zero faturimi. Por ata që nuk janë qytetarë, kjo është pjesa dërrmuese e njerëzve që jetojnë në vend, jetojnë në kushte të pafavorshme dhe në mungesë të plotë ose të pjesshme të të drejtave.

Një politikë e jashtme e paqartë

Pasuria e krijuar nga hidrokarburet e ka lejuar Katarin të transformohet në një fuqi rajonale. Vendi është një aleat i vjetër i Shteteve të Bashkuara; gjatë Luftës së Gjirit të vitit 1991, Katari ua dha territorin e tij shteteve perëndimore dhe vite më vonë, qeveria e Katarit ndërtoi bazën e madhe ajrore al Udeid, e cila strehon ushtrinë më të madhe amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme. Baza e al Udeid është përdorur për operacionë të shumta nga Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi, madje vitet e fundit, aty janë strehuar një pjesë e madhe e aseteve ajrore të përdorura nga koalicioni kundër Shtetit Islamik.

Megjithatë, Katari ka ruajtur gjithmonë njëfarë paqartësie në politikën e jashtme, pjesërisht e lejuar nga qeveria amerikane. Ai është përpjekur gjithmonë të paraqitet si ndërmjetës në konflikte të ndryshme ndërkombëtare, duke lejuar shpeshherë Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë të hapin kanale komunikimi me grupet islamike në rajon, madje edhe me ato radikale. Katari ishte një nga ndërmjetësuesit me grupin palestinez Hamas dhe ishte një nga shtetet e pakta që gjatë viteve të luftës në Siri që mbajti kontakte me grupe të ndryshme të rezistencës siriane dhe grupe terroriste që veprojnë në vend, si Tahrir al Sham, një degë e al Kaedas.

Kohët e fundit, Katari priti negociatorët e Shteteve të Bashkuara dhe Talebanëve që çuan në tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani në vitin 2021, dhe vazhdon të jetë ende bashkëbiseduesi kryesor me qeverinë talebane që mori pushtetin në Afganistan.

Megjithatë, në shumë raste, kjo afërsi me grupet islamike ka qenë e paqartë dhe e dyshimtë, duke rezultuar shpesh në mbështetje jo vetëm për grupet islamike, por edhe për grupet terroriste. Një nga çështjet më të diskutuara ishte vendimi i Al Jazeera-s për të transmetuar fjalimet e Osama bin Laden, liderit të Al Kaedës dhe aktorit kryesor të sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington.

Pjesërisht për shkak të afërsisë së tepërt me grupet islamike dhe terroriste dhe pjesërisht për arsye të politikës rajonale, duke filluar që nga viti 2017, Katari u sulmua nga një politikë izolimi, e vendosur nga pothuajse të gjitha vendet e rajonit, por edhe përtej tyre, duke ndërprerë marrëdhëniet dhe duke miratuar masa të bojkotimit ekonomik. Vendet që iu bashkuan kësaj nisme janë Mauritania, Egjipti, Jordania, Arabia Saudite, Jemeni, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe./ Përgatiti Liberale.al/

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH