Gjykata ka lënë në burg të arrestuarit si pjesë e bandës së Laert Haxhiut. Grupi ka dalë sot para Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për seancën e vlerësimit të masës së arrestit.
Trupi gjykues ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke konfirmuar masën “arrest me burg” për shtetasit e arrestuar: Artan Tafani, Laert Haxhiu, Lulzim Spahia, Ligor Romacka, Erisjano Abedini, Marglen Topuzi, Idriz Manej, Bujar Abedini, Enriko Xhahysa, Bledar Berberi dhe Klea Gjata. Theksojmë se falë megaoperacionit “Never Forget” , Policia arrestoi 11 persona dhe shpalli në kërkim 4 të tjerë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha se po procedohet lidhur me ekstradimin e Laert Haxhiut i cili ndodhet në burg në Greqi. Artan Tafani, i cili është kthyer si bashkëpunëtor i prokororisë, me dëshmitë e tij zbardhi vrasjet më të bujshme me pagesë në vend, për llogari të grupit të Laert Haxhiut. I penduari i drejtësisë, pra Tafani zbardhi disa nga vrasjet e kryera në Elbasan, Korçë, Lushnje, Tepelenë dhe Greqi. Ai tregoi për vrasjen e Alban Semakut, Çajup Selimit, Albi Bashaliut, Fridmand Xhaferrajt, Lulzim Qorrit dhe Dikens Halilit, duke thënë se Haxhiu ka paguar për disa nga vrasjet Bledar Berberin, Mariglen Topuzin dhe Firdeus Berberin.