Mbretëria e Bashkuar ka bërë gjithçka gati për të nisur fushatën e vaksinimit në masë të popullatës ndaj koronavirusit të ri, me dozat e prodhuara nga Pfizer dhe BioNTech.
Injektimi i dozave do të nisë të martën për Anglinë, Uellsin dhe Skocinë. Edhe Irlanda e Veriut ka konfirmuar nisjen e vaksinimit të qytetarëve, por nuk ka bërë të ditur një ditë specifike.
Qeveria e drejtuar nga kryeministri, Boris Johnson, ka njoftuar se vaksinimi do të jetë vullnetar. Qytetarët do të marrin dy doza me një diferencë kohore prej 3 javësh. Procesi, i cili paraqitet i komplikuar nga mënyra e ruajtjes së vaksinës së zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech nën kushte strikte, do të shikohet me shumë vëmendje nga e gjithë bota.
Zyrtarët e shëndetësisë në Britani presin që deri në fund të dhjetorit, të marrin 4 milionë doza të vaksinës që ofron deri në 95% mbrojtje nga Covid-19.
Organizata botërore e shëndetësisë vlerëson se një vaksinim nga 65 deri në 70% të popullatës është i nevojshëm për të arritur imunitetin e tufës.