Aktualitet

Botim i UET PRESS/ Shteti multi-etnik e qytetar i Migjen Kelmendit, si zgjidhja e duhur për t’i dhënë fund konflikteve në Kosovë

Shkruar nga Liberale

...Aty diku nga ora 23:00, diku nga qielli me hënë, u dëgjua uturima e avionëve të NATO-s. Përnjëherësh, qyteti im i mbledhur te stacioni i trenit u çua në këmbë dhe nisi të duartrokiste e të brohoriste NATO, NATO, NATO... Kjo ishte shpresa, uturima e avionëve na dëshmonte se nuk jemi të harruar, se bota mendon në ne.

Kështu i përshkruante Migjen Kelmendi përjetimet e asaj nate të 31 marsit të vitit 1999, kur e gjithë Prishtina e ndalur në një stacion treni po dëbohej nga shtëpia e tyre prej  policisë  speciale serbe.

“I kam t’përjetueme n’trup, sepse jam nji nga ata nji milion që i kanë deportue nga Kosova”.

Gazetari, publicisti, intelektuali, rrokeri, shkrimtari Migjen Kelmendi solli për lexuesit librin “Unë jam Kosovë”, një përmbledhje shkrimesh të botuara në  gazetat Koha Ditore dhe JAVA, prej vitit 1999 e deri më 2008-n, botim i UET PRESS.

“Nëse ka diçka që ia vlen këtu, janë ato datat e vogla. E kam parapa. Munesh me e anticipue të ardhmen, munesh me ditë me i lexue dokumentet, politikat ndërkombëtare e kombëtare. Nji artikull që kam shkrue para bombardimeve, ku krejt Kosova mnedon se nuk ka me pasë intervenim. Të gjithë ishin të bindun se s’ka. Nuk e dinin kush ishin ata njerëz që ishin tubue dhe e  kishin qujet veten UÇK. E kam pa edhe e kam parandie, bile me datë bombardimet. Jam  mundue me e bind familjen me ik prej Prishtine, nuk ma ndigjue baba jem, mezi e kam arrit’ me largue familjen teme. ”, do të thoshte autori gjatë promovimit të librit të tij, në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës.

Migjen Kelmendi e ka artikuluar se e ardhmja e Kosovës është Europa dhe Euro, shumë më përpara se kjo të bëhej slogan apo retorikë e politikanëve këtej e andej kufirit dhe në një kohë kur monedha e njëjtësuar e bashkësisë europiane,  vetëm sa ishte prezantuar dhe ende nuk kishte hyrë në qarkullim: në shkurt të vitit 1999, në gazetën Koha Ditore. “EUROPA dhe EURO janë ardhmënia shqiptare!”, shkruante ai.

Ashtu siç nuk ishte skeptik për pavarësinë e Kosovës, qysh në ato kohë. Për vite me radhë, nga Koha Ditore e te Gazeta JAVA, e themeluar në dhjetor të 2001-shit, Migjen Kelmendi nuk është lodhur të shkruajë, si një lloj misioni edukues për qytetarin e Kosovës se Kosova mund të jetë multi-etnike, shtet demokratik, i të drejtave të njeriut, i barazisë gjinore dhe e bashkëjetesës me tjetrin.

Po, lufta u bë dhe u fitua. Kosova u shpall e pavarur, tani duhej ndërtuar. Si një profet që nuk është i mirëpritur në vend të vet, Kelmendi e di se shkrimet e tij- disa prej të cilëve  i sjell në këtë libër – kanë shkaktuar së paku mospëlqime e kritika e së shumti e kanë anatemuar figurën e tij.

Sot, 15 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe gati 25 vjet nga ndërhyrja e forcave të NATO-s, Migjen Kelmendi thotë se pyetja “A osht’ bo Kosova?”, është e tepërt. “Kosova asht’ shtet”, thotë ai.

“Asht’ e çuditshme me fol për Kosovën si diçka e pafinalizueme dhe ndoshta e vetmja e keqe e këtyre zhvillimeve politike është se po e ushqen kete idenë se Kosova si projekt asht’i pafinalizuem. Kosova e pati nji fatkeqësi në momentin e intervenimit u shkëput nji hapsinë aty, në veri, dhe u la e diskutueshme për shumë arsye, që ishin dhe shpjegoheshin me nevojën e ndaljes së atrociteteve në Kosovë.  U  desh me i bo disa kompromise,”, tha ai për të pranishmit, gjatë përurimit të librit.

Nisur nga tensionet e fundit në Veri të Kosovës, thirrjet e ndërkombëtarëve për shtensionim të situatës, Kelmendi tha se e sheh shumë të rëndësishme për t’iu përmbajtur marrëveshjes dhe për të gjetur një kompromis për veriun e Kosovës, për të shmangur idenë se shteti është i papërfunduar.

“Kur po flasim për Veriun edhe Ohrin, kokëfortësinë e  këtij kryeministri të ri e kësaj qeverie, duhet me pas’ parasysh se Kosova ka lind nga mohimi i tjetrit. Kur Serbia deshi me i mohue të drejtat  shqiptarëve, e humbi një të tretën e territorit.  Nuk  ka nevojë me u shqetësue sot si po shqetësohet qeveria në Prishtinë, me njohjen e të drejtave e të Veriut, me Zajednicën apo me asociacionin.”

Ai tha se duhet bërë një kompromis dhe se ky është një test emancipues dhe civilizues për institucionet e Kosovës, për të adresuar të drejtat e një komuniteti në veri të vendit, që siç tha ai, është me shumicë serbe.

“Jemi në ket’ fazë shumë delikatë që po kam shpresë ka me përfundue në mënyre të civilizueme. Nuk  ka nevojë me pas droje prej njohjes së të drejtave të tjerëve:  Kosova asht rezultati i mosnjohjes”, u shpreh autori i librit.

Ai nuk është ndalur  së foluri  për identitetin kosovar. Kush asht ky kosovari?  pyesnin politikanët e Kosovës me përçmim e po aq e mohonin edhe ata të Beogradit, me pretendimin se Kosova ka vetëm shqiptarë e serbë.

“Kur i pyetshim shqiptarët në Prishtinë:  “a je ti kosovar?” ata ia bojshin “jo, jo, na jem shqiptarë.” Kur i pyetshim në Graçanicë, enklavë serbe, “a je ti kosovar?, jo thoshin,  “unë jam serb”. Kshu ka lind pyetje e debatit: për kand po folim na, kush asht kosovari nëse ka serb edhe shqiptarë?”, tha autori, ndërsa kujtoi sesi nisi diskutimi në Gazetën Java, mbi identitetin kosovar.

Kelmendi nuk ka pretenduar që identiteti kosovar- për të lexo:europian- të zëvendësojë etninë shqiptare. Sipas tij e përplotëson, e mbindërton. Për të, ndërkombëtarët, forcat e NATO-s nuk ndërhynë se ishte populli shqiptar, por se shkeleshin dhe dhunoheshin të drejtat e njeriut. Ata ndërhynë për njeriun. Nuk është ndonjë kualitet historik të qenët shqiptar, shkruan Kelmendi.

***

Se ishim shqiptarë nuk na ndihmoi gja si fakt, kur maqina militare e Milošević’it na dëboi prej këtij territori. Si shqiptarë e kemi humbë këte luftë. E fituem si njerëz. Si njerëz që kanë të drejtë me qenë e me egzistue. NATO s’intervenoi me pshtue shqiptarë, por njerëz në radhë të parë.

Nuk e ka mohuar etninë shqiptare, as lashtësinë e popullit dhe ka ironizuar kur në Beograd i lihej një ulëse në Parlament. Ka qenë kritik edhe i politikave pacifiste të lidershipit të parë të Kosovës, ende të pavarur. Ka përkrahur luftën, UÇK, si e vetmja rrugë për të shkuar drejt Pavarësisë, e ka ndjerë detyrën si gazetar e qytetar për ta raportuar atë.

Por, paradigma e Nacionalizmit Etnik Shqiptar, për Kelmendin ka mbërrirë në fund. Ajo që e mban kohezionin e grupit nuk është më vetëm etnia dhe gjaku, por edhe qytetaria dhe shtetësia. Bashkimi etnik është ide e tejkaluar, tren i humbur më shumë se një shekull më parë. Shqipëria e madhe është nocion i fundshekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, por jo e një Kosove të shek. XXI.  Atë nuk e besojnë as populli e as e artikulojnë dot politikanët. Përveçse rrallë e tek në ndonjë retorikë, si presion ndaj ndërkombëtarëve. Por shpejt gjuha politike shkon te bashkimi në BE. Shqipëria e madhe do të bëhet në BE.

“Na jemi dy shtet e asht mirë me i përmbrendësue, ju me nis me na pa neve ma qarte. Me i hjek ato komoditeet t që i keni vue vetes se jeni shtet e mundemi me na gjykue e paragjykue. Jemi ne nji situatë ndoshta finale të rrumbullakimit shtetformues, e po na prezanton pak si ma të lëndueshme e më pak participuese në hapësinën përbashkt të dy shteteve. Jemi shumë afër me e taejkalue e me ia nis me jetue si dy shtete”, tha Kelmendi.

Në Kosovë e patën kuptuar shpejt identitetin e dallueshëm kosovar, atë që ndryshonte nga ajo e shqiptarit të Shqipërisë, por shumë ngurronin ta artikulonin, ndoshta edhe nga frika për të mos thyer një ëndërr: atdheun shpirtëror. Kelmendi e artikuloi, ndër të parët ndoshta.

Ai tha se situata aktuale kërkon një angazhim institucional, duke e bërë Kosovën që ta fitojë licencën për të qenë shtet.

“Edhe nëse kjo qeveri  del e ndrojtun, e pavendsun e pa vizion,  nuk po muj me e imagjinue Kosovën multi-entnike,  siç e kam imagjinue në kët’ libër para 20 vjetve. Paaftësia e tyne për me e pa shtetin qytetar po na çon te këto çashtjet e mdhaja. Kam shpresë se po dështuen edhe kto, ndërrohen prapë kuajt. Ndrrohen qeveritë”, u shpreh autori, gjithnjë i besimit se është e mundur një shtet multi-etnik, që bashkëjeton me tjetrin.

“Nëse nuk arrijnë institucionet tona, qeveria jonë, me e trajtue nji çashtje të pesë përqind  të qytetarëve në veri të Mitrovicës me ato kërkesa që shprehin si komuntiet me ambicie autonomie.  Por,  nëse instoicionet tona me u ballafaque, po e hupin krediblitetin si qeveri, kjo nuk do me thanë që shkoi Kosova...”

Ai foli edhe për kryeministrin Albin Kurti, ndërsa tha se bashëksia ndërkombëtare e ka të vështirë të kuptojë personalitetin dhe vizionin e kryeqeveritarit për zgjidhjet e tij.

Ai foli edhe për qeveritë e mëparshme, Thaçi dhe Mustafa, që ndonëse nënshkruan marrëveshje si ajo e Ohrit, ishin të pavendosur në zbatimin e tyre.

Ai kritikoi opozitën e Kosovës, duke cilësuar qëndrimin e tyre si intert.

“...ju e keni lypë këtë qeveri, kët’ person keni votue me 50 përqind, qe ku e keni merrueni me të e pritni pasojat që kanë me dalë nga kjo besueshmëni e verbt e jueja ndaj kësaj qeverie. Ky asht’ pozicioni i opozitës në Prishtinë. Alternativë asht’ marrëveshja e Ohrit”.

Ai e cilësoi situatën delikatë dhe tha se vazhdimi i këtij qëndrimi nga qeveria e Prishtinës, çon në zgjidhe të pakontrollueshme dhe jo në interes të Kosovës.

“Qysh me e vu na n’pikëpyetje relacionin që kemi me SHBA?!”, tha Kelmendi.

I pyetur nëse kryeministri Kurti ka përkrahje në qëndrimin e tij ndaj SHBA-së, gazetari e pohoi. “Është rezultat i nji populizmi t‘pergjithshëm. Asht’ edhe e spjegueshme, sepse për kët’ parti kanë votue një gjeneratë mrapa lufte, diaspora, ish-nomenklatura e krahinës autonome socialiste të Kosovës dhe te ky person dhe qeveria po shohin dalje e nuk po shoh se janë skeptikë. Po une po pres zbërthim të kësaj shumë shpejt”,  përfundoi autori.

Rreth librit “Unë jam Kosovë- Manual për përdorimin e shtetit qytetar” dhe për figurën e Kelmendit, foli edhe historiani dhe studiuesi Ardian Muhaj.

“Intelektualë ka plot, mendimtarë ka plot, gazetarë ka plot, por jo çdokush e ka atë luks, atë aftësi , atë sinqeritet dhe at shqetësim gjenuin që mund të reflektohet e mund t’i qëndrojë edhe kohës”, tha Muhaj.

Ai tha se libri mund të shihet edhe si vëllim dokumentar. Ai shtoi se shkrimet e Kelmendit i sheh manual edhe sot dhe të domosdoshme për të kuptuar arritjet dhe dështimet e Kosovës, në këta 25 vjet. “Nuk është thjesht përmbledhje artikujsh, asht’ ritheksim, ripohim, ripërdorim të të njejtave teza, një mendim i strukturuar dhe atemporal, që i qëndron kohës”, tha studiuesi, duke e cilësuar Kelmendin si një intelektual që shqetësohet dhe këndvështrimet e tij, brendashikuese.

Muhaj shtoi se fakti që Kosova është shumë mbrapa dhe dobët me njohjen e pavarësisë, është se i mungojnë intelektualët si Migjen Kelmendi.

Ky libër, që sipas autorit mbetet aktual edhe sot, në situatën që është shteti i Kosovës, është i dyti i botuar me shtëpinë botuese UET PRESS, si pjesë e një projekti që do të sjellë të ribotuar të gjithë veprën letrare e publicistike të Kelmendit, por edhe botimet e reja.

Po ashtu, Universiteti Europian i Tiranës synon të ndërtojë një debat të gjerë Shqipëri-Kosovë, 25 vite pas ndërhyrjes së Forcave të NATO-s dhe si po shkon formësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, i shoqërive dhe clla do të jetë e ardhmja. Ky debat do të mbledhë  nga 12 intelektualë – ekonopmistë, politologë, njerëz të biznesit e të tjerë – nga të dy vendet, ndërsa Kelmendi do të jetë gjithashtu pjesë e këtij debati, që në fund do të prodhojë një libër mbi refleksionet e së kaluarës dhe projektimet e së ardhmes e që do të botohet nga UET PRESS.

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH