Aktualitet

Botim i UET PRESS/ Historia e Tepelenës dhe e krejt Jugut, rrëfyer përmes dy burrave dhe një familjeje

Shkruar nga Liberale

Kur ishte senator i Parlamentit shqiptar, Sadullah Tepelena thoshte se Shqipëria bëhet nëse ndërtohen shkolla dhe rrugë... Autori Xhezo Cana ka zgjedhur të rrëfejë një pjesë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, që lidhet me identitetin kombëtar dhe shtetformimin përmes dy burrave, një familjeje.

“Sadullah Tepelena dhe Shefqet Sadullahu, figura me kontribut kombëtar”, është monografia që i shtohet botimeve të UET PRESS e që hedh dritë jo vetëm mbi dy figura të rëndësishme të zonës së Tepelenës, por krejt jugut dhe më gjerë.

Autori ka hulumtuar në dokumente arkivore, në shtypin e kohës për të rindërtuar atë pjesë, disi të mjegulluar të historisë dhe kontributit të çmuar të patriotëve si familja Agaraj, së cilës i përkasin këto dy figura e që studiuesi u ka gjurmuar rrënjët deri në tre shekuj më herët, në Damës të Tepelenës.

Një monografi e munguar prej shumë kohësh, e cilësoi drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi.

“Një pjesë e rëndësishme e Tepelenës është e shtruar dhe e ndërtuar nga këta dy burra të mëdhenj, tha Koçi gjatë promovimit të librit, në një prej sallave të Muzeut Historik Kombëtar.

Ai përgëzoi punën e studiuesit Cana, i cili prej vitesh sjell botime për figura të shquara të rrethit të Tepelenës. Koçi tha se kjo monografi sjell informacione të munguara e pak të njohura. Ishte si një puzzle historia e të gjithë rajonit të Jugut...Janina, Gjirokastra, por edhe vende jo pak të rëndësishme si Tepelena, Delvina apo Berati. Tashmë këtë puzzle e kemi të plotë, shtoi drejtoi i Muzeut Kombëtar.

Sipas tij, ndjekja e gjurmëve të kësaj familjeje nga Damësi, në Tepelenë e me vendosjen në Janinë është tregues edhe i shtrirjes gjeografike të shqiptarëve në rajon. Përveç posteve politike, nën hijen e perandorisë Osmane, për të cilat janë akuzuar shpesh, është edhe pronësia. Ata kanë pasur pronësi në Vilajetin e Janinës, që tregon se janë autoktonë dhe ideja kombëtare nuk lind rastësisht por janë këta që bëhen pionierë.

Koçi u ndal në disa prej kontributeve kryesore të këtyre figurave, nga Lidhja e Prizrenit e deri tek Lufta e Dytë Botërore.

“Nëse hapësira kohore arriti të mos e nxirrte në dritë Tepelenën dhe kontributin e Sadullah Tepelenës mbeten anekdotike edhe sot për ata qytetarët të brezit të vjetër figura e xha Shefqetit kur vinte në Tepelenë apo merrte të përpjetën për në Damës, me këshillat e tij, tha Koçi në fund të fjalës së tij. Ai tha se Shefqet Sadullahu, i shkolluar në fakultetin më të mirë të Perandorisë Osmane për Shkenca Politike, kishte zgjedhur të vetë-syrgjynosej në Damës, për ti qëëndruar larg hijeve të pushtetit.

Rrëfenjat me xha Shefqetin, i kujton edhe deputeti Laert Duraj, i cili tha gjatë promovimit se për damsiotët si ai, Shefqet Sadullahu ishte kthyer në një mit. Xha Shefqeti dhe familja e tij nuk i përket vetëm Damësit dhe Tepelenës, por është një figurë shumë dimensionale dhe sigurisht kombëtare, u shpreh Duraj.

Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ai shtoi se ishte kënaqësi zbulimi se një tjetër damsiot, shumë vite më parë e kishte shkelur rrugën e Parlamentit. Dhe jo thjesht përpara, por ndër të parët fare, ata që në Kongresin e Lushnjës konceptuan shtetin shqiptar, shtoi deputeti i Qarkut të Gjirokastrës.

Ai pohoi se tashmë ishte dyfish përgjegjësia si politikan, por edhe si përfaqësues i zonës. Duraj tha se një nëntitull për këtë libër do të ishte Një histori e Tepelenës para viteve 20”.

Ai tha se përveçse kjo monografi ndjek hapat e familjes Agaraj dhe tregon sesi ka evoluar historia dhe krijimi i kombit, është edhe një shpërfaqje sesi është gdhendur figura e tepelenasit. “Me shaka them që, për ne tepelenasit ka një lloj miti si njerëz pak të egër, por e vërteta qëndron se si kjo familje kështu kemi qenë ne. Hapi i parë ka qenë shkolla, dija, përkushtimi, atdhedashuria, por edhe trimëria.

Duraj shtoi se vlerësimi ndaj historisë është një detyrim që duhet ta konkretizojmë me hapa konkretë. Deputeti premtoi se në kalanë e Tepelenës, e cila do të kthehet në identitet së shpejti, do të ngulojmë që për këta dy personazhe të shquar të ketë një shesh dhe një bust që ti nderojë, në një vend të denjë. Jo vetëm për të vlerësuar të shkuarën, por për të parë me krenari të ardhmen...

Historiania Nevila Nika vlerësoi punën e studiuesit Xhezo Cana, duke pohuar se hulumtimi në arkiva nuk është i lehtë. Historinë e vendit, e bëjnë historitë familjare . Kam punuar për shumë vite në Arkiv dhe kam kuptuar se nuk ishin aq njerëz të veçuar ata që punonin për vendin. Nika, ish-drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror, tha se para viteve 90 të paktë ishin ata që hulumtonin në dokumente arkivorë, ndërsa edhe ata vet nuk mund ta ndanin informacionin përtej godinës. Pas viteve 90, shumë pak prej atyre që kishin shkruar libra më përpara, erdhën të ballafaqohen me të vërtetën. Aty ku kupton se shumë gjëra i ke mësuar gabim. Shqipërinë e bënë

shumë dhe jo një e dy. Mësimi që na vjen nga kjo familje e madhe me shumë kontribute, në ditët tona është domethënës. Njerëz që kanë ditur të bashkëpunojnë, të lëshojnë pe, të dinë të tërheqin pas vetes ajkën, më të mirën e Tepelenës, u shpreh historiania.

Profesor Bardhosh Gaçe, i cili ka shkruar parathënien e këtij libri, vlerësoi studiuesin Cana, i cili me librat e tij për figura të shquara të Tepelenës, e sjell historinë e kësaj zone, duke larguar mjegullën e kohës.

“Libri nuk ka të bëjë thjesht me SadullahTepelenën dhe Shefqet Sadullahun. Është një meritë e Xhezos, se i sjell në marrëdhënie me të tjerë. Ngjarjet, ndodhitë, Tepelenën në kohën e Greqisë, të Turqisë...dalin edhe figura të tjera të harrua në kulturën dhe historinë e përditshme, tha zoti Gaçe. Ai i cilësoi dy personazhet e këtij libri, si rilindës, duke thënë se lëvizja për Rilindjen Kombëtare zgjati deri në vitin 1924. Sipas historianit, monografitë e kësaj natyre janë ndër më të vështirat për shkakun e nevojës së njohjes mirë dhe deri në detaj të historisë lokale dhe asaj kombëtare, leximin analitik të saj dhe interpretimin drejt dhe në mënyrë korrekte me qëndrimet shoqërore të mjedisit, ku personazhet e caktuar kanë vepruar.

Vetë autori, Xhezo Cana, e konsideroi si detyrim moral botimin e kësaj monografie. Ne në Tepelenë vlerësojmë trimat e u bëjmë këngë e monumente, por është detyrë morale të vlerësojmë njerëzit e ditur. Autori e vlerëson si një figurë larpamëse Sadullah Tepelenën për idetë dhe nismat e tij, gjatë kohës kur shërbeu si senator i Parlamentit shqiptar. Ai u ndal në disa pika të jetës së kësaj figure, lidhjet me qeverinë e Vlorës e me Ismail Qemalin e deri tek kontributi për mbrojtjen e vendit në luftë me grekët. Ai i njohu si meritë ligjin për bashkimin e Tepelenës, e ndarë në katër varësi deri në shtatorin e 1920, kur hyri në fuqi ligji dhe nismën që burrat në moshë madhore të punonin vullnetarisht për ndërtimin e veprave si rrugë e shkolla, edhe këto të miratuara nga parlamenti i kohës. Cana pranoi se kjo monografi përmes hisorisë së dy burrave, rrëfen historinë e Tepelenës dhe të krejt Jugut.

Sadullah dhe Shefqet Tepelena lindën dhe vepruan në një periudhë të ngjeshur me zhvillime kombëtare dhe të brendshme të shoqërisë shqiptare. Në jetën dhe veprimtarinë e Sadullah Tepelenës zënë vend ngjarje të tilla si, krijimi i Klubit të Tepelenës, marrëveshja e 18 gushtit 1911 në shtëpinë e tij. Shpallja e Pavarësisë është një moment tjetër i rëndësishëm për Sadullah Tepelenën. Kuvendi i Fierit, gusht 1912, dhe angazhimi i potencialit luftarak ishte një detyrë, ku Sadullah Xhaferri ka luajtur një rol të rëndësishëm, i cili kishte një lidhje të veçantë për gjithçka ndodhte në Vlorë dhe në Tepelenë, që nga delegatët deri te siguria ndaj garnizoneve turke që vepronin në Tepelenë.Të kësaj kohe dhe të kësaj politike janë dhe ngjarjet e viteve 1913-1914 të invazioneve të ushtrisë greke në Jug, deri në përplasjet me armë, kur Tepelena ishte e pushtuar nga ushtria greke. Sadullah Tepelena është në qendër të këtyre zhvillimeve, i cili mbante lidhje me Qeverinë e Vlorës, por dhe faktorët e tjerë luftarakë në Tepelenë dhe më gjerë. Sadullah Tepelena shfaqet në përplasjet e para me ushtarët grekë, por dhe në kohën kur drejtimi i vendit iu dha nga Fuqitë e Mëdha Princ Vidit, lufta në vitin 1914 me grekët, duke e shndërruar atë në një personazh me një ndikim të madh në Tepelenë dhe Labëri.

Një fokus të rëndësishëm rreth veprimtarisë së Sadullah Tepelenës kanë ngjarjet që lidhen me pushtimin italian të viteve 1916-1920, pushtimi austro - hungarez i Tepelenës, shndërrimi i Damësit në qendër të krahinës së Dervenit për shkakun e fuqisë dhe atdhetarizmit që ai çlironte dhe të Sadullah Tepelenës, Kongresi i Lushnjës, ku Sadullah Tepelena ishte njëri nga njerëzit e rëndësishëm (senatori i parë i tij), ku u shfaqën angazhimet dhe aftësia e shqiptarëve. Profili i Sadullah Tepelenës shperfaqet si një përfaqësues dhe shtetar i mirë dhe në Parlamentin e kohës, ku dëshmohet se ka mbajtur një pozicion luajal në debatet dhe ndarjet e politikës, deri në dhjetorin e vitit 1922, ku ai u nda nga jeta, por që u nderua nga elita politike dhe atdhetare e kohës.

Një vend të konsiderueshëm në monografinë Familja e Sadullah dhe Shefqet Tepelenës zë dhe Shefqet Sadullahu, një personazh emblematik për kohën dhe rrethanat, i cili u dëshmua i lidhur shumë me kohën dhe vendlindjen e tij Tepelenën. Ishte anëtar i Klubit patriotik Bashkimi në Tepelenë që drejtohej nga i ati. I shkolluar mirë dhe me një personalitet të një njeriu të ditur Shefqet Sadullahu, që në bankat e Zosimesë do të mendonte fort për shkollën shqipe.

Shefqet Sadullahu është njëri nga intelektualët e spikatur të kohës. Si përkthyes i Princ Vidit, kishte njohje për gjithë analet diplomatike dhe politike të kohës. Ishte mësues në shkollën e Damësit gjatë vitit 1916. Ai ka mbajtur detyrën e nënprefektit në Tepelenë, nga 1924-1926.

Në jetën dhe veprimtarinë e Shefqet Sadullahut janë të pranishme ngjarjet të Luftës Dytë Botërore, refuzimi i tij për të qenë pjesë e delegacionit që shkoi tek Viktor Emanueli III, lufta italo - greke, pushtimi italian i Shqipërisë 1939, ndërsa në çështjen politike të kohës Shefqet Sadullahu besonte në Dekalogun e Mithat Frashërit. Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ishte e rëndësishme që Shefqet Sadullahu të kuptonte pozicionin, prandaj tërhiqet në Damsin e tij. Regjimi nuk e pa me sy të mirë, ai kishte idetë dhe konceptet e veta politike, kulturore dhe sociale për rendin dhe kohën.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH