Një tërmet me magnitudë 6.7 ballë ka tronditur qytetin e San Diegos të hënën, duke alarmuar banorët dhe duke shkaktuar lëkundje të ndjeshme në të gjithë Kaliforninë Jugore, përfshirë edhe zonën e Los Anxhelosit.
Sipas të dhënave të para, autoritetet lëshuan menjëherë një alarm emergjent për të paralajmëruar qytetarët mbi rrezikun potencial, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin e tronditjes së fortë, me pajisje elektronike si kompjuterë dhe televizorë që lëvizin fuqishëm gjatë lëkundjeve.
Mediat amerikane raportojnë se tërmetit fillestar i pasuan të paktën shtatë pasgoditje, ndër to edhe një me magnitudë 3.9 ballë.
Një skenë e veçantë u regjistrua në parkun Safari të San Diego Zoo, ku një tufë elefantësh afrikanë u filmua duke vrapuar për të mbrojtur të vegjlit e tyre gjatë tërmetit. Sipas ekspertëve të parkut, elefantët janë të aftë të perceptojnë lëkundjet përmes këmbëve dhe reagimi i tyre për të rrethuar të vegjlit njihet si një “rreth alarmi”. Tufa, e përbërë nga elefantët Ndlula, Umngani, Khosi dhe të rinjtë Zuli dhe Mkhaya, u qetësua disa minuta pas tërmetit.
Autoritetet vazhdojnë të monitorojnë situatën, ndërsa nuk raportohet për dëme të mëdha apo të lënduar deri në këto momente.