Vetëm një ditë më parë, Sangeeta Gauswami përqafoi fort djalin e saj 19-vjeçar, Sanket, në aeroportin e Ahmedabadit. Zemra i rrihte nga krenaria, ndërsa e përcillte për të nisur një kapitull të ri në universitetin e Londrës. Sot, ajo qëndron e ngrirë në vend, me të njëjtat rroba që kishte veshur për atë lamtumirë, ndërsa përballet me lajmin më të rëndë të jetës: rrëzimin tragjik të fluturimit AI171 të Air India, me djalin e saj në bord.
Avioni u rrëzua vetëm pak sekonda pas ngritjes, duke goditur një konvikt të një kolegji mjekësor. Tragjedia la të paktën 290 viktima, duke e bërë këtë një nga aksidentet më të rënda ajrore në historinë e Indisë. Vetëm një person ka mbijetuar.
Për orë të tëra, Sangeeta shpresonte që ndoshta Sanket kishte shpëtuar, por tani ndodhet në spitalin e qytetit duke dhënë ADN-në, për të ndihmuar në identifikimin e trupit të fëmijës së saj të vetëm. “Nuk kemi marrë asnjë lajm,” thotë ajo me zë të thyer, ulur pranë motrës që qan në heshtje.
Po aq i tronditur është edhe Sunny Kakadia, mik i ngushtë i Javed Ali Syed, i cili ishte në avion me gruan dhe dy fëmijët e tyre të vegjël, Zayn dhe Amani. Familja po kthehej në Londër pas një vizite për të parë nënën e sëmurë të Javed. Tani, Kakadia endet nga një spital në tjetrin duke kërkuar lajme, ndërsa vëllai i Javed ka dorëzuar ADN-në për identifikim. “Nuk kemi pasur kohë as të qajmë,” tha ai për CNN.
Në Spitalin Civil të Ahmedabadit, më shumë se 190 të afërm kanë dhënë mostra ADN-je. Procesi pritet të zgjasë deri në 72 orë, sipas zyrtarëve. Dhimbja është kudo – në korridoret e spitalit, në heshtjen e familjeve që presin, në sytë e atyre që sapo kanë humbur më të dashurit e tyre.
Familja e Manisha Thapës, një pjesëtare 27-vjeçare e ekuipazhit të kabinës, ka udhëtuar me urgjencë nga qyteti i Patnës pasi morën lajmin e kobshëm. Nëna e saj, që vetëm një ditë më parë kishte folur me të bijën, tani fshin lotët me një pecetë të vogël që ia jep një shoqe e ngushtë e Manishës. “Ajo më tha se do të ishte në një fluturim të gjatë dhe nuk do të mund të flisnim. Nuk e dija se ishte hera e fundit,” thotë ajo mes lotësh.
Babai i Manishës nuk ka pushuar së qari që kur dha ADN-në. Për shumë familje, nuk ka më asgjë për të thënë – mbetet vetëm pritja e dhimbshme për një lajm që mund të jetë edhe fundi i çdo shprese.