Udhëheqësit nga afro 30 vende dhe shefat e NATO-s dhe BE-së u takuan në kryeqytetin francez për të diskutuar forcimin e ndihmës për Kievin dhe vendosjen e trupave evropiane për të siguruar paqen afatgjatë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi planin për të dërguar forca sigurie nga disa vende evropiane me bazë në lokacione të caktuara strategjike, në Ukrainë në rast të një traktati paqeje me Rusinë.
“Këto forca do të vepronin si një pengesë kundër agresionit të mundshëm rus”, u tha ai gazetarëve gjatë një konference për shtyp pas samitit të lartë të “Koalicionit të të gatshmëve” për Ukrainën dje në Paris.
Megjithatë, këto forca sigurie nuk kanë për qëllim të jenë forca paqeruajtëse pasi ato nuk do të zëvendësojnë Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe nuk do të pozicionohen në vijën e frontit, por në “qytetet strategjike” dhe bazat.
“Ky propozim do të shqyrtohet nga shefat tanë të shtabit ushtarak në javët e ardhshme për të përcaktuar “hartën dhe formatin” e këtyre dislokimeve”, tha ai.
“Këto forca sigurie në asnjë mënyrë nuk do të zëvendësojnë apo zvogëlojnë përpjekjet tona në krahun lindor të NATO-s, por do të shërbejnë si shtesë”, shtoi Macron.