Ndërsa është rradha e numërimit të votave të diasorës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka bërë thirrje qeverisë së tij të vijojë punën me ritëm të lartë.
Në mbledhjen e mbajtur këtë të mërkurë ai tha se Vetëvendosja është fituese e qartë e këtyre zgjedhjeve dhe se qytetarët kanë pritshmëri.
“Sot fillon numërimi i votave të diasporës, sipas njoftimeve të KQZ-së, më së largu deri në javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare për subjektet politike. Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë. Deri atëherë nga ju kabinet qeveritar pres që të vazhdoni punën dhe punët e mira me po të njëjtin ritëm”, tha Kurti.
Kurti kërkoi gjithashtu nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit.
“Presim kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve, për të përmbyllur kësisoj një proces zgjedhor të lirë, të rregullt, të ndershëm e demokratik, me pjesëmarrje masive të qytetarëve. Pjesëmarrje më të lartë ndonjëherë në zgjedhje pati edhe diaspora jonë, e cila për herë të parë përveç votimit me postë pati mundësinë të votojë edhe në ambasadat dhe konsullatat tona”
Votat e diasporës në Kosovë pritet të japin një panoramë më të qartë për qeverinë e ardhshme të Prishtinës, pasi asnjë prej subjekteve politike nuk arriti të fitojë shumicën në zgjedhjet e 9 Shkurtit.