Kosova

Kosova hap korridoret ajrore me Shqipërinë, fluturimet drejt Perëndimit shkurtohen me 15 minuta

Shkruar nga Liberale

Kosova hap korridoret ajrore me Shqipërinë, fluturimet drejt

Kosova ka hapur korridoret ajrore me Shqipërinë. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu. 

Përmes një postimi në Facebook, mëngjesin e sotëm ai ka thënë se fluturimet drejt vendeve të Perëndimit do të shkurtohen për gati 15 minuta.

“Nga 1 janari, bashkëatdhetarët, përveç që do të udhëtojnë pa viza, do të kursejnë edhe më shumë kohë”, ka thënë Aliu.

Ai i është referuar liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që hyn në fuqi prej 1 janarit të vitit 2024.

Qytetarët e Kosovës kanë qenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor, që nuk kanë mundur të lëvizin pa viza në zonën për lëvizje të lirë, Schengen.

Albion Idrizi, magjistër i aviacionit, ka thënë muaj më parë për Radion Evropa e Lirë, se pas hapjes së korridorit ajror të Kosovës me Shqipërinë, përveç shkurtimit të kohës së fluturimit, do të zvogëlohet edhe çmimi i biletave.

Aktualisht, sipas tij, çmimi mestar i një bilete njëdrejtimëshe nga Kosova për në të gjitha vendet e BE-së është 140 euro. Me shkurtimin e fluturimit, ky çmim mund të bjerë deri në 6 për qind, apo 8 euro, thotë Idrizi, ndërmarrës në fushën e udhëtimeve dhe turizmit në Kroaci dhe Kosovë.

Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020.

Kjo marrëveshje parashikon hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ndryshe nga hapësira e ulët ajrore e Kosovës që menaxhohet nga AAC-ja, hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014 – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.

Për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” udhëtojnë miliona persona brenda vitit.

Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë, deri më tani, destinacionet më të shpeshta.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH