Të paktën 22 persona, përfshirë gjashtë anëtarë të një familjeje, u vranë mëngjesin e sotëm pas bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës, njoftuan burimet e Mbrojtjes Civile Palestineze dhe spitalore.
Ushtria izraelite konfirmoi në një deklaratë sulmin në zonën Jabalia, duke specifikuar se kishte në shënjestër “terroristët që vepronin në një qendër komandimi dhe kontrolli të Hamasit dhe Xhihadit Islamik”.
Në një tjetër sulm ajror në një shtëpi në një zonë veriore të qytetit të Gazës, në pjesën veriore të enklavës palestineze, një familje prej gjashtë anëtarësh, çifti dhe katër fëmijët e tyre, u vranë, sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile në Gaza.
Ditën e djeshme, Izraeli goditi Rripin e Gazës duke vrarë 17 persona, sipas Agjencisë Palestineze të Mbrojtjes Civile.
Duke thyer një armëpushim gati dy mujor, Izraeli rifilloi sulmet ajrore dhe më pas sulmet tokësore kundër Hamasit në Rripin e Gazës më 18 mars.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Hamasit, të paktën 1,928 palestinezë janë vrarë që nga 18 marsi.
Konflikti u ndez nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit 2023, i cili vrau 1,218 njerëz nga pala izraelite, shumica e të cilëve ishin civilë, sipas AFP-së.
Nga 251 pengjet e rrëmbyer atë ditë nga militantët e Hamasit, 58 mbahen ende në Gaza dhe 34 janë të vdekur, sipas ushtrisë izraelite.