Presidenti amerikan Donald Trump po e mban botën pezull. Pak ditë më parë ai vendosi tarifa doganore për shumë vende, tani pason ndryshimi befasues i kursit të Donald Trump dhe tërhiqen tarifat e vendosura.
Vendimi erdhi pas trazirave të mëdha në tregjet e aksioneve dhe financiare në mbarë botën. Presidenti i SHBA tani do t’i japë shumë vendeve një pauzë 90-ditore nga tarifat doganore. Ashpërsim ka vetëm me Kinën. Trump rriti tarifat për mallrat nga Kina ndërkohë tani në 125 për qind.
Tregjet e aksioneve reaguan me entuziazëm ndaj heqjes së kufizimeve të doganave. bursat u rritën masivisht pas një spirale të fortë rënieje. Madje u përfol, se investitorët mund të shisnin bono të qeverisë amerikane – një zhvillim shqetësues për të ardhmen e financave publike amerikane. Vëzhguesit e tregut spekulojnë se kjo mund të ketë sjellë vendimin për pezullimin e tarifave.
Vetë presidenti e shpjegoi kthesën e papritur duke thënë se “njerëzit” ishin shqetësuar dhe ishin “pak të frikësuar”. Megjithatë, nervozizmi i vetë Trump mund të ketë luajtur gjithashtu një rol pasi qeveria amerikane kishte theksuar për ditë të tëra se tarifat nuk ishin diçka që mund të anulohej ose negociohej brenda ditëve ose javëve.
Ekspertja amerikane e tregtisë, Laura von Daniels e Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë thotë se Trump duket se është vendosur nën presion të madh nga tregjet financiare, por edhe nga sipërmarrës individualë. Çmimet e aksioneve janë diçka që republikani e ndjek veçanërisht nga afër dhe që e prek.