Nicolás Maduro, duke filluar nga viti 2013, ka qeverisur Venezuelën në mënyrë autoritare dhe po bën gjithçka që ka mundësi për t’u rikonfirmuar president në zgjedhjet që do të mbahen ditën e dielë, më 28 korrik.
Partitë kryesore të opozitës, të bashkuara në Platformën e Bashkuar Demokratike (PUD), mbështesin Edmundo González Urrutia, një ish-ambasador 74-vjeçar, i cili nuk ishte i njohur deri tani dhe që, sipas sondazheve të pavarura, ka një epërsi prej më shumë se 20 pikë përqindje me koalicionin e Maduros.
"Ishte një vendim që nuk e prisja," tha González më 24 prill, pasi opozita njoftoi mbështetjen e saj për kandidaturën e tij. Zgjedhja e González-it, në fakt, u arrit krejt befasisht.
Opozita e bashkuar shprehu dëshirën për të emëruar Maria Corina Machado, e cila në tetor të 2023, kishte fituar zgjedhjet paraprake mes dhjetë kandidatëve me 93.13% të votave. Megjithatë, në mars, një vendim shumë i diskutuar që u lëshua nga një gjykatë e kontrolluar nga Maduro, e ndalonte atë të mbante poste publike për 15 vjet dhe për këtë arsye, ajo s’mund të merrte pjesë në zgjedhje, pasi ndaj saj peshonin disa akuza, veçanërisht për korrupsion.
Më pas u bllokua edhe kandidatura e personit që Machado kishte prezantuar si zëvendësuese të saj, Corina Yoris, pa asnjë shpjegim nga Këshilli Kombëtar i Zgjedhjeve. Vetëm në atë moment në skenë doli emri i Edmundo Gonzalez Urrutia.
González lindi në La Victoria, shteti Aragua, në vitin 1949. Babai i tij ishte mësues, ndërsa nëna shitëse. Studimet e para i filloi në vendlindje dhe më pas u diplomua për marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Qendror të Venezuelës dhe më vonë mori një diplomë master në Universitetin Amerikan të Uashingtonit në vitin 1981.
"Unë jam një fëmijë i arsimit publik," tha ai.
"Në shkollën fillore kam studiuar në Rubén Darío, një institucion publik. Kam ndjekur shkollën e mesme José Félix Ribas, një institucion publik, më pas Universitetin Qendror të Venezuelës dhe kam kryer studimet pasuniversitare falë financimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Me fjalë të tjera, i gjithë edukimi im ka qenë në arsimin publik dhe prandaj aspiroj të kem një arsim publik të klasit të parë, në mënyrë që të gjithë të rinjtë dhe fëmijët venezuelas të kenë të njëjtin nivel arsimor”.
Në vitet 1970, kur ishte në fillimet e karrierës së tij diplomatike, González punoi në ambasadën e Belgjikës në Venezuelë, El Salvador, dhe në vitin 1978 u bë sekretar i parë i ambasadorit të Venezuelës në Shtetet e Bashkuara.
Në vitet nëntëdhjetë ai mbajti poste të rëndësishme për Ministrinë e Punëve të Jashtme, më pas ishte ambasador në Algjeri nga viti 1991 deri në 1993 dhe ambasador në Argjentinë nga viti 1998 deri në 2002. I emëruar nga presidenti Rafael Caldera, vazhdoi ta mbajë postin e ambasadorit, edhe në vitet e para të mandatit qeverisës të Hugo Chavez-it, liderit të revolucionit socialist të vendit, duke mos reshtuar së foluri kundër grushtit të shtetit të vitit 2002.
Pasi braktisi karrierën e tij diplomatike, González iu përkushtua veprimtarisë akademike dhe shkrimit të disa librave. Ai ishte anëtar i bordit të gazetës El Nacional dhe ishte pjesë, mes viteve 2009 dhe 2014, në bordin e Mesa de la Unidad Democrática, aleanca që mblodhi së bashku partitë më të rëndësishme opozitare në vend përpara formimit të PUD-së, pa kërkuar kurrë një post.
González sot është 74 vjeç dhe përshkruhet si një negociator i shkëlqyer, një njeri i qetë, i dashur që flet për prosperitet, demokraci dhe paqe në mitingjet e tij. Ai është i sigurt se do të fitojë zgjedhjet presidenciale të 28 korrikut dhe thotë se është gati të takohet me Nicolás Maduro për të lejuar një tranzicion "paqësor dhe të sigurt" të pushtetit, megjithëse ka shumë dyshime se zgjedhjet do të jenë vërtet demokratike dhe se Maduro është i gatshëm të largohet nga pozicioni i tij. González ende e quan atë "president", ndryshe nga liderët dhe aktivistët e tjerë që nuk e konsiderojnë atë një president legjitim. Ai thotë gjithashtu se angazhimi i tij do të jetë "rindërtimi i Venezuelës dhe demokracisë së saj: t'i jepet fund konflikteve në mënyrë që kundërshtarët politikë të shihen si konkurrentë dhe jo si armiq".
Fjalimet e tij të qeta janë shumë të ndryshme nga ato të mbajtura nga Machado, e cila ende po e mbështet atë duke shkuar nëpër zona të ndryshme të vendit për të bërë fushatë për të. González i ofroi gjithashtu Machado-s që ta zgjidhte vetë vendin që ajo dëshiron në qeverinë e tij të ardhshme.
Nëse fiton zgjedhjet presidenciale, González do të marrë detyrën vetëm më 10 janar 2025 dhe, sipas asaj që është thënë në disa intervista, një nga veprimet e tij të para do të jetë lirimi i të burgosurve politikë të burgosur nga Maduro gjatë viteve të qeverisjes së tij dhe për të ribashkuar familjet që u ndanë nga internimet e detyruara.
“Ne do të ndërtojmë kushtet që të rinjtë të mund të zhvillojnë talentet e tyre këtu që të mos detyrohen për t’u larguar jashtë,” tha ai gjatë një mitingu.
González shfaq një imazh modest për veten, por larg retorikës populiste. Ai tha se jeton me pensionin e tij si ish-nëpunës publik. Për shkak të krizës së rëndë ekonomike që ka goditur vendin vitet e fundit, deklaroi se pensioni nuk i mjafton.
“Kam një apartament të vogël që e jap me qira dhe që më jep edhe të ardhura minimale. Është ajo shtëpi që më krijon mundësinë të mbijetoj. Shtëpia ime është modeste, e mbushur me kujtime nga secili prej vendeve ku kam shërbyer. Këtu nuk ka luks, asgjë të jashtëzakonshme, sepse as të ardhurat që fitoja jashtë nuk ma lejonin një jetesë të tillë”.
Pyetjeve të gazetarëve për të ardhmen e tij si president, González iu përgjigj në një mënyrë shumë diplomatike dhe të matur, por edhe shumë të paqartë.
Duke folur për politikën e jashtme, ai tha për shembull se synon të ketë "marrëdhënie me të gjitha vendet e botës, marrëdhënie paqeje, respekti dhe të bazuara në interesa reale, jo në interesa ideologjike".
I pyetur nëse ndante qëndrimin e María Corina Machado për privatizimin e subjekteve shtetërore në Venezuelë, përfshirë atë të kompanisë së naftës PDVSA, ai u përgjigj: “Planet e qeverisë analizohen çdo ditë, rishikohen dhe përditësohen çdo ditë dhe, mes tyre, çështja e energjisë dhe gjendja e kompanisë së naftës në vend është në rendin e ditës”.
Në fushën ekonomike, González propozon uljen e inflacionit dhe rritjen e pagave, ai është në favor të sipërmarrjes së lirë dhe tregut të lirë. Dhe, mendon se jo vetëm mund ta ndalojë, por edhe ta ndëshkojë korrupsionin në vend “përmes disa mekanizmave tepër rigoroz që lidhen me llogaridhënien dhe kontrollin në të gjitha institucionet shtetërore”.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se çfarë do arrijë të bëjë nëse zgjidhet në krye të vendit, duke pasur parasysh gjendjen ekonomike në të cilën ndodhet sot Venezuela./ Përgatiti Liberale.al/