
Ish-Zonja e parë Michelle Obama nuk e mendon të jetë sërish në Shtëpinë e Bardhë. Pavarësisht popullaritetit të lartë dhe faktit që shumë besojnë se do të ishte e përshtatshme për postin e presidentes, ajo ka shpjeguar arsyet se pse nuk e sheh veten në këtë pozicion.
Duke folur në një podkast, ish-Zonja e Parë e SHBA-ve theksoi se familja e saj e ka paguar tashmë çmimin e publicitetit dhe kjo është arsyeja pse ajo nuk dëshiron që dy vajzat e saj të jenë sërish në qëndër të vëmendjes.
“Isha shumë e lumtur kur u larguam nga Shtëpia e Bardhë”, thotë 61-vjeçarja, duke iu referuar përfundimit të mandatit të dytë të Barack Obamës në 2017.
“Doja që ato të kishin lirinë për të jetuar ashtu siç donin, pa gjithë sytë e botës mbi to“, vijoi më tej Ish-Zonja e Parë.
Michelle Obama thekson se, megjithëse, vajzat e saj ende përballen me presionin e paparacëve teksa përpiqen të formojnë identitetin e tyre, të paktën ato nuk po rriten më në qendër të vëmendjes së skenës politike.
Ajo shpjegon se vetëm mendimi se vajzat e saj do të duhet të riktheheshin në qendër të vëmendjes e bën atë të refuzojë çdo mundësi për t’u angazhuar në politikë.