Një grua, e akuzuar për vrasjen e tre anëtarëve të së njëjtës familje duke i helmuar me një tortë Krishtlindjesh, është gjetur e vdekur në qelinë e saj të burgut në Brazil.
Deise Moura dos Anjos u gjet pa shenja jete gjatë një kontrolli në mëngjes në një burg shtetëror të grave në qytetin Guaíba, në shtetin jugor të Rio Grande do Sul.
Sipas CNN Brasil, autoritetet lokale konfirmuan vdekjen e saj të enjten.
“Sapo u zbulua, stafi i burgut i dha ndihmën e parë dhe thirri shërbimet emergjente, të cilat konfirmuan vdekjen e saj sapo mbërritën në vendngjarje,” thuhet në deklaratën e policisë kriminale.
Autoritetet theksuan se e dyshuara ndodhej e vetme në qeli dhe se rrethanat e vdekjes do të hetohen nga Policia Civile dhe Instituti i Ekspertizës. Një ditë para vdekjes, bashkëshorti i saj, Diego dos Anjos, kishte kërkuar divorc.