Ekspertët e OKB-së kanë akuzuar Izraelin se po përdor gjithnjë e më shumë dhunë seksuale dhe me bazë gjinore kundër palestinezëve dhe se po kryen “akte gjenocidale” përmes shkatërrimit sistematik të objekteve të kujdesit shëndetësor për nënën dhe riprodhimin.
Një raport i porositur nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dokumenton shkelje të pretenduara, duke përfshirë përdhunimin, në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar që nga sulmi i Hamasit në 7 tetor 2023 ndaj Izraelit që shkaktoi luftën në Gaza, shkruan BBC.
Ai gjithashtu thotë se shkatërrimi i materniteteve në Gaza dhe i embrioneve në një klinikë fertiliteti mund të tregojë një strategji për të parandaluar lindjet midis një grupi të caktuar – një nga përkufizimet ligjore të gjenocidit.
Izraeli tha se “i hedh poshtë kategorikisht akuzat e pabaza”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u përgjigj me zemërim, duke e quajtur Këshillin e të Drejtave të Njeriut “një organ antisemitik, i kalbur, që mbështet terroristët dhe i parëndësishëm”.
Në vend që të fokusohej në krimet e luftës të kryera nga Hamasi, tha ai, po sulmonte Izraelin me “akuza të rreme”.