
Në fund të muajt maj, përfaqësuesit e 194 vendeve që përbëjnë Organizatën Botërore të Shëndetësisë pritet të takohen në Gjenevë për vendosur në lidhje me një rregullore që mund të jetë vendimtare për shmangien e milionave viktimave si pasojë e ndonjë pandemie tjetër.
Pas asaj të koronavirusit që ndërpreu jetën e miliarda njerëzve në të gjithë botën, ekspertët dhe diplomatët që po punojnë mbi këtë rregullore, ashtu si epidemiologët dhe virologët, janë të vetëdijshëm se do ketë një pandemi tjetër, por çështja është se kur do të shfaqet, në çfarë shkalle dhe me çfarë sistemi do të përballohet.
Për momentin gjithçka është krejt e paqartë dhe ende nuk ekziston asnjë marrëveshje mes vendeve të organizatës. Kjo është edhe arsyeja pse është lënë takimi në fund të majit, ku vendet anëtare të kësaj organizate, e vlerësojnë si mundësinë e fundit për të gjetur një marrëveshje, përpara se Donald Trump të vendosë në fuqi planin për largimin e SHBA-ve nga OBSH-ja.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka punuar në lidhje me një “Traktat Ndërkombëtar për Parandalimin, Përgatitjen dhe Reagimin ndaj Pandemisë” për më shumë se tre vjet, por ka kundërshtime të forta mes vendeve të ndryshme të kësaj organizate në lidhje me shpenzimet, por edhe për shpëndarjen e të dhënave dhe përgjegjësive që duhet të marrin vendet përkatëse. Asnjë marrëveshje deri më tani nuk është arritur, pavarësisht nga fakti se përgjatë tre viteve negociata, shumë pjesë të këtij traktati u zvogëluan, duke shfaqur gjithmonë e më shumë një plan shumë pak ambicioz.
Qëllimi fillestar i kësaj rregulloreje ishte krijimi i kushteve për të reduktuar sa më shumë të jetë e mundur pabarazitë që u shfaqën mes vendeve të ndryshme përgjatë pandemisë së koronavirusit, për shembull, fakti se vendet e pasura arritën të siguronin më shpejt vaksinën, se sa vendet e tjera që mund të ishin më të varfëra ose në zhvillim. Një pabarazi e tillë përfshinte edhe trajtimin e sëmundjes, disponueshmërinë e pajisjeve mbrojtëse personale si maskat dhe burimet për gjurmimin e kontaktit me virusin. Vitet e fundit janë bërë shumë përpjekje për të negociuar krijimin e një fondi të përbashkët ekonomik, që mund të përdorej në ndihmë të vendeve të varfëra, për t’u përballur me emergjencat shëndetësore.
Gjatë negociatave për krijimin e një fondi të tillë, u përsërit vazhdimisht, se një pandemi “nuk njeh kufi”, siç edhe u pa në vitin 2020. Megjithatë, nga aftësia e një vendi për të frenuar përhapjen e një sëmundje të re infektive është pozitive edhe për vendet e tjera. Pavarësisht synimeve të mira, ka qenë gjithmonë e vështirë për të gjendur një marrëveshje në lidhje me politikat parandaluese që do miratoheshin, ashtu edhe për krijimin e një mekanizmi për shkëmbimin e informacionit në lidhje me sëmundjet apo viruset e reja./Liberale.al/