Ministri Vili Beroš, drejtorët e dy spitaleve në kryeqytetin Zagreb dhe dy kompani dyshohen për “marrje dhe dhënie ryshfeti, shpërdorim të pozitës dhe autoritetit dhe pastrim parash”, tha në një deklaratë Zyra e Prokurorit Publik Evropian, ose EPPO, në Zagreb.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç shkarkoi menjëherë Beroshin nga qeveria, tha televizioni shtetëror HRT. Media kroate raportoi se policia bastisi shtëpinë e Beroshit në Zagreb herët të premten.
“Jam i tmerruar nga ideja se kushdo në sistemin shëndetësor do të përdorte pozicionin e tij për përfitime personale ose për favore ndaj dikujt tjetër”, tha Plenkoviç në një konferencë për shtyp.
“Sistemi shëndetësor është një departament veçanërisht i ndjeshëm”, shtoi ai.
Avokatja e Beroshit, Laura Valković tha se ai mohoi keqbërjen. Kroacia ka pasur probleme të rënda me korrupsionin sistemik dhe politik. Në mesin e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ajo përgjithësisht renditet nga grupet ndërkombëtare kundër korrupsionit si një nga shtetet më të korruptuara.
Deklarata e EPPO tha se pesë nga të dyshuarit midis qershorit 2022 dhe nëntorit 2024 “u bashkuan” për të siguruar përfitime të paligjshme financiare për dy kompani duke premtuar dhe dhënë shpërblime monetare për palët përkatëse të interesit.
“Qëllimi i tyre ishte të siguronin që një prej kompanive të lejohej të shiste pajisje robotike mjekësore për disa spitale në Kroaci”, thuhet në deklaratë. Grupi dyshohej gjithashtu se ofronte ryshfet për të manipuluar procesin e prokurimit publik dhe për të përjashtuar konkurrencën në treg në favor të asaj kompanie./Tar