Një ngjarje e rëndë ka tronditur Bavarinë të hënën, ku një 21-vjeçar gjerman sulmoi me një mjet të mprehtë disa punonjës të kompanisë energjetike Überlandwerk Rhön në qytetin Mellrichstadt, duke lënë një të vdekur dhe dy të plagosur rëndë.
Sipas policisë gjermane, autori i dyshuar është arrestuar menjëherë pas sulmit dhe ndodhet në paraburgim. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur llojin e saktë të armës së përdorur, por e kanë përshkruar atë si një “objekt të mprehtë”. Policia konfirmoi se situata është nën kontroll dhe nuk ka më rrezik për qytetarët.
Ngjarja ndodhi brenda ambienteve të kompanisë, një operator rajonal i shpërndarjes së energjisë në Bavarinë e Poshtme. Ende nuk dihet nëse agresori kishte ndonjë lidhje me kompaninë apo ndonjë motiv personal që çoi në sulm.
Hetimet janë në zhvillim e sipër dhe pritet që autoritetet të japin më shumë informacion në orët në vijim. Ndërkohë, policia u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe bashkëpunim, ndërsa po mblidhen prova dhe dëshmi për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij akti tronditës.