Izraeli vazhdoi edhe sot sulmet në Rripin e Gazës, duke përfshirë qytetin Rafah, një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e urdhëroi të ndalonte operacionet ushtarake në qytetin jugor. Ndërkohë, sipas agjencisë Reuters, javën tjetër pritet që Izraeli dhe grupi Hamas të rinisin bisedimet për armëpushim.
Negociatat ndërmjet Izraelit dhe grupit militant Hamas për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur në Rripin e Gazës do të rifillojnë javën e ardhshme, tha të shtunën një zyrtar që kishte njohuri për këtë çështje.
Vendimi për të rifilluar bisedimet, tha zyrtari për agjencinë e lajmeve Reuters, erdhi pasi kreu i agjencisë së inteligjencës izraelite “Mossad” u takua me kreun e CIA-s dhe kryeministrin e Katarit, vend i cili prej kohësh ka luajtur rolin e ndërmjetësit.
“Në fund të takimit, u vendos që në javën e ardhshme të hapen negociatat bazuar në propozimet e reja të udhëhequra nga ndërmjetësit, Egjipti dhe Katari dhe me përfshirjen aktive të SHBA-së”, tha zyrtari i cili për shkak të ndjershmërisë së çështjes nuk pranoi të identifikohej.