BE

Izraeli dhe nxjerrja e spermës nga 200 trupa të pajetë

Shkruar nga Liberale
Izraeli dhe nxjerrja e spermës nga 200 trupa të pajetë

Më 11 tetor 2023, regjisorja izraelite Shqylee Aary, e cila i mbijetoi sulmit të hamasit të 7 tetorit me vajzën e saj një muajshe, i bëri thirrje publikisht qeverisë që të rimarrë trupin e burrit të saj, aktorit dhe regjisorit Yahav Winner, sa më shpejt të jetë e mundur.

I vrarë nga ushtarët e Hamasit, ajo e kërkonte trupin e tij për të marrë nga ai spermën, me dëshirën për të shtuar numrin e anëtarëve të familjes. Ajo gjithashtu deklaroi se "shumë gra izraelite" po mundoheshin të bënin të njëjtën gjë me burrat dhe djemtë e tyre të vdekur.

Trupi i aktorit nuk u gjet në kohë, por që nga sulmi i 7 tetorit të 2023, atëherë kur dhe filluan operacionet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, mësohet se mbi 200 kufoma është arritur të nxirret spermë. Një praktikë e tillë është realizuar me qëllimin për të realizuar një fekondim në të ardhmen. Duke qenë se shumica e tyre ishin ushtarë të rinj, të pamartuar, kërkesa ka ardhur nga prindërit e tyre.
 
Këto janë disa shifra të pabesueshme për një praktikë që në kontekstin izraelit, ndryshe nga kudo tjetër, lidhet kryesisht me njerëz të angazhuar me ushtrinë, që përpara datës 7 tetor kryhej shumë rrallë dhe që rregullohej sipas një kuadri të caktuar rregullash. Kjo është gjithashtu edhe një praktikë që ngre shumë pikëpyetje etike, kundër të cilës janë shprehur shumë biologë, duke përfshirë edhe ata izraelitë.
 
Riprodhimi i asistuar pas vdekjes është një teknikë që përfshin mbledhjen e spermës, vezëve ose embrioneve para ose menjëherë pas vdekjes së një personi, duke e vendosur atë në ngrirje në -196 °C në azot të lëngët. Në rastin e nxjerrjes së spermës nga një person i vdekur, PAR përfshin një biopsi të kufomës, një prerje në testikul, heqjen e një pjese të indit, izolimin e qelizave të spermës së gjallë dhe ngrirjen e tyre. Për të përmirësuar shkallën e suksesit të procedurës, mbledhja duhet të kryhet brenda 24-48 orëve pas vdekjes.
 
Shumë vende nuk kanë një rregullore specifike për PAR. Franca, Gjermania dhe Suedia e kanë ndaluar një praktikë të tillë, por ka edhe vende që e pranojnë si Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar, vende që kanë vendosur pëlqimin paraprak me shkrim të personit që ka dëshirë për ta kryer një metodë të tillë.
 
Në Ukrainë, pas fillimit të pushtimit rus, shumë ushtarë filluan të ngrinin spermën e tyre për të siguruar që ata do të ishin në gjendje të kishin fëmijë edhe në rast se do vdisnin; Parlamenti ka miratuar së fundmi një ligj që e hap këtë mundësi të parregulluar me ligj më parë.

Izraeli është i vetmi vend që lejon nxjerrjen e spermës pas vdekjes edhe pa pëlqimin paraprak të personit. E prezantuar në mesin e viteve 1990, nxjerrja e spermës pas vdekjes në Izrael nuk rregullohet me ligj, por nga një sërë direktivash të nxjerra në vitin 2003 nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, për të udhëzuar gjykatat se si të trajtojnë kërkesat e qytetarëve në këtë drejtim./Përgatiti Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH