Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me akuzat e bëra nga Britania e Madhë në adresë të tij.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se, nuk ka pasur kurrë dijeni që ish-këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç ka qenë objekt padish për aktivitet kriminal në Mbretërinë e Bashkuar.
“Në lidhje me biznesmenin Damir Fazlliç. Nuk kam pasur kurrë dijeni, as sot nuk di që ai të ketë qenë ndonjëherë objekt padish për aktivitet kriminal, në MB ku ai është qytetar, apo në ndonjë vend tjetër. Ai ka qenë dhe është një investitor, që ka sjellë kapital në Shqipëri nëpërmjet bankave dhe në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe ndërkombëtar, siç kanë dëshmuar verifikimet e organeve zyrtare të fushës. Prokuroria e Ina Ramës, për mendimin tim për motive politike, çka unë e denocova, ngriti dhe zhvilloi hetime ndaj tij në përfundim të të cilave nuk provoi dot asnjë shkelje të z. Fazlliç. Dhe ju rikujtoj se, ajo për të cilën e hetonin, ishin jo tendera, prokurime të drejtpërdrejta apo para publike, por blerje e një toke private, me fonde gjithashtu private”, u shpreh Berisha.
Ndërsa më tej, ai theksoi se, Damir Fazlliç nuk ka përfituar kurrë asnjë qindarkë nga Berisha apo qeveria e tij.
“Ai ka vazhduar biznesin dhe investimet gjatë qeverisë Rama, dhe nëse do kish patur pengim të hetimit ndaj tij gjatë qeverisë sime, ka pasur 10 vjet kohë që të hetonte Prokuroria gjatë qeverisë Rama, por asgjë e tillë nuk ka ndodhur”, theksoi më tej “kreu i Rithemelimit”.
Berisha bëri publik sot lajmin për shpalljen non grata nga ana e Mbretërisë së Bashkuar, pasi akuzohet për korrupsion dhe lidhje me kriminelë.