Editorial

Bashkimi Gjerman në “Kujtimet” e Kancelarit Kohl

Shkruar nga Liberale
Bashkimi Gjerman në “Kujtimet” e Kancelarit Kohl

Xhezair Zaganjori

Bashkimi i Gjermanisë me 3 Tetor 1990, fillimi i shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik dhe ish – Jugosllavisë, si dhe ndryshimet e mëdha në  Europën Qendrore e Lindore, janë ndër ngjarjet më të mëdha historike të shekullit të kaluar, që pasuan  shembjen e Murit të Berlinit me 9 Nëntor 1989. Ato shënuan njëkohësisht edhe mbarimin e konfliktit Lindje - Perëndim. Realizimi i këtyre ndryshimeve të mëdha ishte pasojë logjike e një politike e strategjie të drejtë, të matur e të zgjuar, të ndjekur me durim për rreth katër dekada me radhë nga  vendet e Europës Perëndimore, në  partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, historinë e bëjnë njerëzit, të cilët ndikojnë pozitivisht apo negativisht në dinamikën e proceseve shoqërore. Prandaj, mund të thuhet me plot gojë se ishte fat i madh që në krye të këtyre proceseve gjatë kësaj periudhe ishin personalitete te shquara të historisë moderne, si Xhorxh Bush, Fransua Miteran, Margaret Thecer, Mikael Gorbacov dhe Helmut Kohl. Vecanërisht këtij të fundit, për vetë detyrën që kryente si Kancelar i Gjermanisë Federale, i takoi të luante një rol të jashtëzakonshëm  në ndryshimet  që çuan në shembjen e Murit të Berlinit si dhe në proceset që shoqëruan  këtë ngjarje madhore. Pikërisht për këto arsye, mendoj se është me interes për lexuesin që informacioni me rastin e 31 vjetorit te bashkimit të Gjermanisë të jepet shkurtimisht në këtë artikull përmes kujtimeve të protagonistit kryesor të këtij procesi, ish Kancelarit të shquar gjerman Helmut Kohl, këtij burri shteti të përmasave botërore, kontributi i të cilit në zhvillimet gjermane, evropiane e ndërkombëtare, ka qënë unik dhe i pazëvendësueshëm. Libri mban titullin “Unë e dëshiroja shumë  një Gjermani të Bashkuar”.

Helmut Kohl thekson që në fillim të kujtimeve të tij se bashkimi i Gjermanisë ishte realizimi i ëndrrës së tij më të madhe, ndaj edhe përjetimet gjatë ceremonisë solemne në darkën e 2 Tetorit 1990, në pritje të orës 24.00 kur do të hynte në fuqi “Marrëveshja 2+4” mes dy Gjermanive të ndara dhe 4 Fuqive Aleate fituese të Luftës së Dytë Botërore, ishin tepër të veçanta. Ato u bënë edhe më emocionuese, deri në përlotje, kur në sekondat e para të datës 3 Tetor, nën tingujt e Hymnit Kombëtar, u ngrit mbi Raishtag flamuri gjerman tre ngjyrësh. Në njëmbëdhjetë muajt pararendës, duke filluar nga shembja e Murit të Berlinit, kishte patur zhvillime tepër të rëndësishme në Gjermani e Europë. Mbi të gjitha ishte përjetuar përmbysja dramatike e sistemit komunist në shumë vende të Europës Qëndrore e Lindore, por ky proces ende vazhdonte. Ende kishte Bashkim Sovjetik dhe ende qyteti i vjetër dhe i bukur  Shën Pertersburg quhej Leningrad. Megjithatë, Kohl thekson se “..Ne vazhdonim të ishim tepër të angazhuar për të ndihmuar në realizimin e reformave të rëndësishme politike, përmes të cilave duhej të përmirësohej jeta e njerëzve në gjysmën lindore të Kontinentit tonë, duke ndërtuar së bashku Shtëpinë  Europiane”.

Natën e 2 Tetorit 1990, Kohl vë në dukje se kujtoi me shumë respekt edhe Baballarët e Kushtetutës gjermane (Ligjit Themelor), miratuar në Maj të vitit 1949, të cilët me një largpamësi të mahnitshme parashikuan që  në Preambul se dispozitat e saj do të zbatoheshin edhe në landet e pjesës Lindore të Gjermanisë, menjëherë sapo të realizohej “..bashkimi gjerman, përmes një procesi të lirë e duke respektuar parimin e vetvendosjes”. Mbështetja pikërisht në këtë urdhërim kushtetues, lehtësoi dukshëm procesin ligjor të bashkimit. Ai kujtoi gjithashtu edhe Konrad Adenauerin, Kancelarin e parë të Gjermanisë së pasluftës, i cili që në fillim të viteve 50’ të shekullit të kaluar arriti të sigurojë mbështetjen e Aleatëve Perëndimore, veçanërisht të ShBA, për domosdoshmërinë e bashkimit gjerman, duke dhënë garanci që nuk do të përsëriteshin fatkeqësitë që i kishim shkaktuar Europës, e veçanërisht duke u pajtuar realisht me Francën, “..me të cilën synonim të hidhnim bashkërisht themelet e një Europe të re..”. Kohl thekson se këto objektiva nuk ndryshuan edhe në Marsin e vitit 1952, kur Stalini në mënyrë provokative lancoi projektin e tij për bashkimin e dy Gjermanive, me kushtin që  Gjermania e bashkuar të kishte statusin e një shteti neutral, pra të mos kishte asnjë lloj aleance apo bashkëpunimi me natyrë politike e ushtarake me Shtetet Perëndimore. Ai shton më tej se me këtë propozim, Diktatori Rus synonte të krijonte një vakum pushteti në qendër të Europës, gjë që do ti lejonte  Bashkimit Sovjetik  ta plotësonte atë, duke e shtrirë ekspansionin e tij mbi të gjithë territorin gjerman.

Helmut Kohl përmend se agresiviteti i Kremlinit shfaqej egërsisht veçanërisht ndaj Berlinit Perëndimor, të cilin sovjetiket përpiqeshin me cdo kusht ta përfshinin brenda territorit të Gjermanisë Lindore. Ndër provokimet kryesore ndaj këtij qyteti, Kohl përmend: a) Bllokadën e Berlinit në vitet 1948 – 1949,  duke ndërprerë çdo komunikim tokësor me këtë qytet, gjë që detyroi tre Aleatët Perëndimorë të krijonin të ashtuquajturën Urë Ajrore, përmes së cilës, me përpjekje heroike u realizuan me mijëra fluturime, për të furnizuar me çdo gjë, edhe me ushqime, banorët e kësaj pjese të qytetit; b) Dhjetë vjet më vonë, në vitin 1959, Hrushovi guxoi, por natyrisht pa sukses, tu jepte ultimatum Aleatëve Perëndimorë për të ikur sa më parë nga Berlini Perëndimor; c) Në Gusht të vitit 1961, me porosinë e Bashkimit Sovjetik, diktatori gjermano lindor Ulbrich mori vendimin për ndarjen e Berlinit me një mur të veçantë, gjë që  e realizoi në një kohë rekord. Si kundërpërgjigje, po në vitin 1961, RFGjermane mori të ashtuquajturin Vendimi “Salzgitter” (qytet ne RFGj), në bazë të te cilit duhej të regjistroheshin  të gjitha aktet e dhunës dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në Gjermaninë Lindore, në mënyrë që pas bashkimit të Gjermanisë, personat përgjegjës te dënoheshin penalisht. Këtu përfshiheshin kryesisht vrasjet në Murin e Berlinit dhe torturat ndaj të  burgosurve politikë.

Izolimi i hekurt, vështirësitë, presionet dhe shantazhet e vazhdueshme forcuan dukshëm mbështetjen dhe ndjenjën e   solidaritetit të Perëndimit në përgjithësi ndaj popullsisë së Berlinit Perëndimor. Ky solidaritet e mirënjohje për qëndresën e palëkundur të kësaj pjesë të popullsisë gjermane do të formulohej në mënyrën me brilante me shprehjen lapidar të ish Presidentit të shquar amerikan John F.Kenedi “Ich bin ein Berliner” (Unë jam një berlinez), gjatë fjalimit që mbajti në këtë pjesë të qytetit në vitin 1962. Ajo do të përsëritej 25 vjet më vonë, kur në vitin 1987, ish Presidenti tjetër amerikan Ronald Regan, nga tribuna e ndërtuar pranë Portës së Brandenburgut, do ti bënte thirrje Gorbacovit të shembte sa më parë Murin e Berlinit.

Helmut Kohl kujton se në fillim të viteve 70’ të shekullit të kaluar, me nismën e ish Kancelarit të shquar socialdemokrat Vili Brand,  ka një politikë afrimi të Gjermanisë Federale me vendet e Lindjes, e në mënyrë të veçantë me Gjermaninë Lindore. Synimi i saj kryesor ishte jo vetëm forcimi i kontakteve e bashkëpunimit, por edhe njohja nga njerëzit e thjeshtë të  realiteteve të ndryshme të dy sistemeve të kundërta. Kështu mund të realizohej më mirë e më shpejt edhe bashkimi i Gjermanisë. Në këtë kuadër, ndër të tjera, në vitin 1970 u përfunduan marrëveshje bashkëpunimi  me Bashkimin Sovjetik dhe Poloninë, ndërsa në vitin 1973, edhe me Gjermaninë Lindore. Veçanërisht marrëveshja me Gjermaninë Lindore ngjalli  debate të shumta në Gjermaninë Federale, pasi konsiderohej si  formë indirekte e njohjes së Gjermanisë Lindore. Kësaj dileme i dha fund shumë shpejt Gjykata Kushtetuese e RFGj, e cila do të theksonte qartë në vendimin e saj se “Asnjë organ kushtetues nuk ka të drejtë të ndërmarrë asnjë veprim, i cili do të cënonte synimin e Preambulës së Ligjit Themelor për bashkimin e Gjermanisë..”.

Pas marrjes së detyrës së Kancelarit në vitin 1982,(më pare kishte kryer për vite me rrudhë detyrën e Kryeministrit të Landit Rheinland - Pfalz dhe të Kryetarit të CDU-së), Helmut Kohl kujton se deri në fund të viteve 80’, ndër vendimmarrjet e tij më të rëndësishme që ndikuan  në afrimin e  bashkimit gjerman, janë: 1) Vendimi për të lejuar stacionimin në territorin e RFGj të Raketave bërthamore amerikane Pershing, si reagim i NATO-s ndaj vendosjes në Gjermaninë Lindore të Raketave bërthamore ruse SS. Kjo do të ndikonte dukshëm në forcimin e sigurisë në Europë dhe krijimin e lidhjeve edhe më të ngushta me ShBA; 2) Nismën e ndërmarrë së bashku me Presidentin francez Miteran për të përfunduar krijimin e Tregut të Përbashkët dhe realizimin e bashkëpunimit politik në kuadër të BE-së, objektiva madhorë që do të finalizoheshin në Traktatin e Mastrihtit në vitin 1992; 3) Realizimin e diskutimeve të rregullta  parlamentare mbi bazën e raporteve të tij “Mbi situatën e kombit në një Gjermani të ndarë”, e cila ishte një mundësi  mjaft e mirë për të mbajtur gjallë debatin për bashkimin gjerman; 4) Hartimi e zbatimi i një programi të veçantë për realizimin e vizitave të ndërsjella mes qytetarëve gjermanë të ndarë në dy shtete.  Për këtë qëllim ju dha një kredi prej disa miliarda Marka edhe qeverisë së Gjermanisë Lindore. Si rezultat i kësaj politike, deri në fund të viteve 80’ kishin vizituar Gjermaninë Federale rreth 2/3 e popullsisë së Gjermanisë Lindore, ndërsa Gjermaninë Lindore e kishin vizituar rreth 1/3 e popullsisë së Gjermanisë Perëndimore; 5) Ftesa në Perëndim e drejtuesve politikë të  Gjermanisë Lindore, përfshi këtu edhe vetë Sekretarin e Parë të Partisë Komuniste Erich Honeker, me kushtin që fjalimet të transmetoheshin direkt në television, në mënyrë që  të krijohej mundësia ti shihnin e vlerësonin qëndrimet politike respektive edhe qytetarët e Lindjes.  Përmes  këtyre fjalimeve, Kancelari gjerman Helmut Kohl përsëriste vazhdimisht objektivin kryesor kushtetues të Gjermanisë Federale për të realizuar bashkimin gjerman, pasi “…në të dy shtetet jeton i njejti popull, me të njëjtën gjuhë, të njëjtën histori dhe me trashëgimi kulturore të përbashkët…”; 6) Mbështetja e reformave të filluara nga Gorbacov, i cili në vitin 1986 ishte zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Pavarësisht rezervave, Helmut Kohl thekson se kishte mjaft arsye të besohej që qëndrimet e tij mund të lehtësonin shumë bashkimin e Gjermanisë dhe ndryshimet në vendet e Lindjes Europiane. Pikërisht për këto arsye, Helmut Kohl  realizoi një vizitë zyrtare në Moskë në Tetor të vitit 1988. Një vit me vonë, në vjeshtën e vitit 1989, Gorbachov do të bënte nga Finlanda një deklaratë mjaft të rëndësishme. Ai do të theksonte se Bashkimi Sovjetik nuk kishte aspak të drejtë politike, juridike e morale të ndërhynte në çështjet e brendshme të shteteve të Europës Lindore. Ky qëndrim i ri binte në kundërshtim me teorinë e Brezhnjevit mbi sovranitetin e kufizuar brenda Paktit të Varshavës, të cilën ai e kishte zbatuar  qartësisht në praktikë ne pranverën e vitit 1968,  për shtypjen me dhunë të lëvizjes për ndryshim në Çekosllovaki; 7) Zgjidhjen e të ashtuquajturës “Krizë e Ambasadave”  me Çekosllovakinë  dhe Hungarinë  në fund të Shtatorit 1989, përmes së cilës u bë e mundur të lejohej kalimi i rreth dhjetë mijë shtetasve gjermanolindore në Gjermaninë Federale; e të tjerë.

Helmut Kohl vë në dukje gjithashtu se pas shembjes së Murit te Berlinit, situata politike në të dy Gjermanitë, në Europë e më gjërë paraqitej mjaft e turbullt. Mbizotëronte gëzimi, shpresa e entuziazmi i pafund,  luhatje e pasiguri nga disa Aleatë, si dhe hutim e frikë masive në “elitat” e diktaturave komuniste. Helmut Kohl do të shfrytëzonte momentin historik për të orientuar dinamikën e zhvillimeve drejtë bashkimit gjerman. Me ndihmën e ekspertëve dhe bashkëpunëtorëve më të afërt, hartoi një plan me 10 pika, i cili duhej të shërbente si bazë për realizimin e këtij qëllimi. Plani duhej mbajtur sekret, por vetëm me një përjashtim. Ai duhej ti transmetohej Presidentit amerikan Xhorxh Bush, i cili duhej të jepte mendimin e tij, gjë që u realizua në një kohë rekord. Më pas, Plani i Kancelarit Kohl për bashkimin gjerman u diskutua dhe u miratua në Bundestag me 28 Nëntor 1989. Në këtë plan parashikohej shprehimisht: 1)Hapja e kufijve dhe mbështetja e çdo individi të ardhur nga Gjermania Lindore me një shumë të caktuar të hollash; 2) Bashkëpunimi i ngushtë për mbrojtjen e ambientit, si dhe zhvillimin sa më të shpejtë të rrjetit telefonik dhe hekurudhor të Gjermanisë Lindore. Në këtë kuadër, duhej filluar menjëherë me ndërtimin e hekurudhës Berlin - Hanover; 3) Bashkëpunimi për realizimin e ndryshimeve të nevojshme kushtetuese e ligjore. Prioritet duhej të kishte hartimi i një ligji të ri mbi zgjedhjet e lira në Gjermaninë Lindore. Duhej të bëheshin gjithashtu ndryshime të menjëhershme në Kodin Penal, për të hequr prej tij dënimet me natyrë politike; 4) Krijimi i institucioneve të përbashkëta  për të mbikqyrë ndryshimet në ekonomi; transport; sistemin shëndetësor, arsimor e kulturor; zhvillimin e shkencës e teknikës;..; 5) Krijimi i strukturave të përbashkëta konfederative. Meqenëse në këtë pikë shumë të rëndësishme duhej të bashkëpunohej mes nje shteti demokratik(RFGj) me një shtet jo-demokratik(RDGj), duhej pritur te zhvilloheshin sa më parë zgjedhjet e lira në Gjermanine Lindore; 6) Marrëdhëniet dypalëshe duhej të sinkronizoheshin me proceset integruese europiane; 7) Edhe për Gjermaninë e bashkuar, integrimi në BE duhej bazuar në vlerat më të mira europiane, si liria, demokracia, të drejtat e njeriut dhe vetëvendosja e popujve; 8) KSBE duhej të vazhdonte të shërbente si forumi kryesor për trajtimin e çështjeve Lindje-Perëndim; 9) Mbështetja e bisedimeve të Vjenës për kufizimin e kontrollin armëve bërthamore…; dhe 10) Angazhimi i popullit gjerman për të mbështetur paqen, lirinë dhe sigurinë në Europë.

Helmut Kohl përmend më pas se Plani i tij me 10 pika ngjalli një furtunë vlerësimesh e kritikash edhe në vendet aleate, biles edhe në Gjermani, veçanërisht nga forcat politike të spektrit të majtë. Më e ashpër ishte sidomos media britanike. Times  theksonte se Gjermania  po vendos hegjemoninë nga ishujt Arach në perëndim të Irlandës, deri në Vladivostok. Ajo shtonte më tej me keqardhje se Moska duhej të kishte dërguar tanket në Berlin, por momentalisht nuk e kishte këtë mundësi. Për këto arsye, Helmut Kohl u angazhua drejtpërsëdrejti  për të takuar e sqaruar Aleatët kryesorë në Uashington, Paris e Londër. Natyrisht që në këtë situatë të vështirë, ndihmë kryesore kishte Ministrin e Jashtëm të tij Hans-Ditrich Gensher. Vetë Kohl sigurisht që kishte një axhendë ekstremisht të ngjeshur. Përveç detyrave si Kancelar e takimeve politike në Gjermani, atij i duhej të udhëtonte për të plotësuar kryesisht angazhimet në kuadër të NATO-s e Bashkimit Europian, e njëkohësisht edhe për të trajtuar problemet e bashkimit gjerman. Mjafton të përmendim udhëtimet e Kancelarit brenda një periudhe 20 ditore, nga 25 Qershori deri me 14 Korrik 1990: Me 25 – 26 Qershor i duhej të ishte në takimin e  Këshillit Europian të BE që organizohej në Dublin të Irlandës; Me 4-7 Korrik i duhej të ishte në Londër në takimin e nivelit të lartë të NATO-s; Në darkën e 8 Korrikut i duhej të ishte në Romë në finalen e Kampionatit Botëror të Futbollit, për të parë ndeshjen Gjermani - Argjentinë, e cila për herë të parë pritej me shumë padurim edhe në Gjermaninë Lindore; Me 9 Korrik i duhej të ishte në Hjuston të ShBA, i ftuar nga Presidenti Bush; Me 14 Korrik i duhej të udhëtonte për në Moskë e më pas në Kaukaz, i ftuar nga Gorbachov për të biseduar mbi cështjet e bashkimit gjerman, e të tjerë.

Duke evidentuar takimet intensive e tepër të rëndësishme me katër kryetarët e Shteteve apo Qeverive Aleate të Luftës së Dytë Botërore, Helmut Kohl përmend me radhë në kujtimet e tij secilin prej tyre. Sigurisht që në fillim ai veçon takimet me partnerin më të ngushtë, më të hapur dhe më të sigurtë në këtë situatë të vështire, që ishte padyshim Presidenti amerikan Xhorxh Bush, me të cilin kishte krijuar prej vitesh edhe miqësi personale, gjatë kohës kur Ai ishte zëvendës president i ShBA (periudha e Presidentit Regan). Kohl e përshkruan Presidentin Bush si tepër njerëzor, me mëndje të mprehtë, shumë të kultivuar, shumë të suksesshëm, shumë të besueshëm dhe shumë të thjeshtë në mënyrën e jetesës. Sipas tij, këtu duhej shtuar edhe fakti që Ai ishte Veteran me dekoratat më të larta pas Luftës së Dyte Botërore, e megjithatë nuk ishte aspak njeri që prirej për të bërë show. Në dhomën e tij private dallohej vetëm një model avioni ushtarak, me të cilin, pas një aksioni të suksesshëm,  ishte qëlluar e rrëzuar në Oqeanin Pacifik në Maj 1944. Fatmirësisht ishte shpëtuar nga një anije. Kohl shton në fund se “ …shkurt, për ne gjermanët ishte fat shumë i madh të kishim një mik të tillë të vërtetë  si Xhorxh Bush. Për atë ishte shumë e qartë që një shtet me të njëjtën popullsi nuk mund të mbahet i ndarë. Një veprim i tillë është thjeshtë kriminal…”.

Më pas, Helmut Kohl përshkruan takimet dhe marrëdhëniet e veçanta miqësore me ish Presidentin francez Fransua Miteran. Ai përmend ndër të tjera vizitën në Francë në vitin 1984 dhe kapjen dorë për dorë me të në mënyrë instiktive, por shumë simbolike, në Fushën e Verdunit, aty ku kishin dhënë jetën miliona ushtarë francezë e gjermanë në dy luftërat botërore. Po aty ishte plagosur rëndë edhe babai i Helmut Kohl në Luftën e Parë Botërore, e më vonë, në Luftën e Dytë Botërore ishte plagosur e zënë rob edhe vetë Miteran. Ai i kishte treguar Kohlit se kur ishte i plagosur, ushtarët gjermanë e kishin lidhur me zinxhir që përdoren për qentë, dhe e kishin lënë në rruge pa ushqim e pa ujë. Në këtë gjendje i ishte afruar një grua gjermane që i kishte dhënë për të ngrënë, duke shtuar në frëngjisht fjalët “ zotëri, ju lutem mos mendoni se të gjithë gjermanët janë të këqij..”. Kohl vë në dukje se me Miteranin kishin bashkëpunuar shumë ngushtë në vitet 80’ edhe për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve si dhe për të  përpunuar idetë kryesore për thellimin e proceseve integruese në Bashkimin Europian. Megjithatë, plani me 10 pika i Helmut Kohlit e kishte futur Presidentin francez në mendime të thella. Sipas Kohlit,  në këtë drejtim kishin ndikuar edhe pikëpamjet e Ministrit te tij te Jashtëm Roland Duma, i cili kishte frikë se me bashkimin e Gjermanisë, Europa po kthehej në situatën që mbretëronte në këtë Kontinent në vitin 1913, pasi një Gjermani me mbi 80 milionë banorë, do të prishte balancat mes fuqive kryesore europiane. Sidoqoftë, pas një sërë takimeve, Miteran u bind. Ai ishte për  bashkimin e Gjermanisë, por përkrahte fort idenë se një Gjermani e bashkuar duhej integruar plotësisht në NATO e BE, dhe se ky proces duhej të ishte gradual, pa nxitim dhe në dialog me tre Fuqitë Aleate të Luftës së Dytë Botërore.

Diskutimet me Margaret Thecerin ishin sipas Kohlit edhe më të vështira, sidomos në fillim, pavarësisht se Ai vetë kishte respekt të veçantë për zgjuarsinë, për mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit dhe qartësinë më të cilën elaboronte pikëpamjet e saj. Ajo e konsideronte padrejtësi të madhe faktin që ndërsa Britania vuri në rrezik  ekzistencën si shtet në luftën kundër Hitlerit dhe më në fund e fitoj ushtarakisht këtë betejë përmes sakrificave të shumta njerëzore e materiale, Gjermania, megjithëse ka humbur dy lufta njëra pas tjetrës, paraqitej tani më e fituar se kurrë. Pas shumë diskutimeve e debateve, më në fund edhe ajo u dorëzua, duke vënë si kusht kryesor edhe në këtë rast integrimin e plotë në NATO të Gjermanisë së bashkuar.

Helmund Kohl ndalet gjatë në kujtimet e tij në marrëdhëniet dhe kontaktet e shumta  me Gorbacov. Ai vë në dukje se edhe me atë, fillimisht nuk ishte e lehtë, aq më tepër që luhatjet e dukshme në qëndrimet e tij diktoheshin shumë nga kritikat dhe reagimet e ashpra të kundërshtarëve politikë në Moskë, të cilët nuk ishin të pakët. Kështu, megjithëse Gorbacov kishte “lejuar”  rënien e Murit të Berlinit pa ndërmarrë asnjë reagim të dhunshëm, e për më tepër në parim ishte shprehur më parë edhe për mundësinë e ribashkimit të Gjermanisë, në mënyrë krejtësisht të papritur kishte kundërshtuar planin e Qeverisë Gjermane me 10 pika, duke theksuar se “Ne jemi të vendosur për të mos e lënë në baltë Gjermaninë Lindore. Ajo është partnere strategjike e Bashkimit Sovjetik dhe e Traktatit të Varshavës. Pas Luftës së Dytë Botërore ka një realitet të ri, në kuadër të të cilit është parashikuar ekzistenca e dy Gjermanive të pavarura e sovrane. Një qëndrim ndryshe do të çonte në destabilizimin e Europës”. E këto  fjalë thuheshin në një kohë që tashmë Muri i Berlinit kishte rënë. Megjithatë, Kohl kishte bindjen që falë momentit historik,  mbështetjes së gjerë politike e popullore në të dy Gjermanitë, mbështetjes së fuqishme e të pakursyer të ShBA dhe të dy Aleatëve të tjerë Perëndimore, bashkimi do të realizohej. Në këto rrethana, pavarësisht pengesave që mund të dilnin për shkak të presioneve e vështirësive që mund të kishte edhe vetë Gorbacov në planin e brendshëm, dikur ato do të kapërceheshin. Politika e kishte në dorë ta menaxhonte sa më mirë e me hapa te matur e të zgjuar këtë proces.  Kohl e dinte gjithashtu se mund ti duhej të bënte edhe “pazare” me rusët, pasi ato do të shfrytëzonin rastin për të kërkuar sa më shumë ndihmë e mbështetje financiare për të kapërcyer vështirësitë e shumta ekonomike që po kalonin. Sidoqoftë, Kancelari gjerman vlerëson se e rëndësishme ishte dialogu. Në këtë kuadër, Kohl veçon vizitën në Kaukaz në datat 14-17 Korrik 1990, i ftuar nga Gorbacov në vendlindjen e tij, ku ai kishte kaluar fëmijërinë, rininë dhe pas studimeve në Moske, kishte kryer aty edhe detyra shtetërore e partiake. Vizita në Kaukaz paraqitet nga Kohl si shumë e suksesshme dhe mjaft interesante. Megjithatë, ajo që ka rëndësi më shumë është dakortësia për problemet kryesore rreth bashkimit gjerman. Ndër të tjera, nga konkluzionet e bisedimeve në Kaukaz, Kohl përmend: 1) Realizimi i bashkimit gjerman, si një proces në perfundim të të cilit katër Fuqitë Aleate  humbasin cdo të drejtë e përgjegjësi  në të gjithë territorin gjerman. Gjermania e bashkuar do te gëzonte kështu sovranitet të plotë; 2) Në ushtrim të të drejtave të plota sovrane, Gjermania e bashkuar mund të zgjedhë vetë, me vullnet të lirë, aleancat ku dëshiron të marrë pjesë (gjer në këtë kohë, Gorbachov kishte kundërshtuar me forcë anëtarësimin e Gjermanisë së bashkuar në NATO); 3) Gjermania e bashkuar do të përfundojë menjëherë me Bashkimin Sovjetik dy traktate: a) Për Bashkëpunimin dhe Fqinjësinë e Mirë  mes dy vëndeve, dhe  b) Për tërheqjen e rreth 400 mijë trupave ushtarake të vendosura në territorin e Gjermanisë Lindore, proces qe duhej të përfundonte në vitin 1994 (Gorbacov kishte insistuar deri në vitin 1996, por më pas ishte tërhequr). Për sistemimin në banesa në Bashkimin Sovjetike të këtyre trupave, Gjermania duhej të paguante 8 miliardë Marka; 4) Deri në largimin e trupave ushtarake sovjetike, strukturat e NATO-s nuk mund të zhvillonin asnjë aktivitet në ish territorin e Gjermanisë Lindore; 5) Trupat ushtarake të Gjermanisë së bashkuar nuk mund të shkonin më shumë se 370 mijë ( Gorbachov kishte insistuar deri në këtë kohë në  jo më shumë se 300 mijë); e të tjerë.

Rezultatet e këtyre bisedimeve shkaktuan menjeherë në Gjermani, në Europë e në botë një sensacion të papare.  Ato tejkalonin dukshem edhe pritshmeritë me te avancuara. Formalizimi i këtyre dakortësive duhej bërë në “Marrëveshjen 2+4” ( Ministrat e Jashtëm të dy Gjermanive dhe të katër Fuqive Aleate), raundi i parë i së cilës ishte zhvilluar në Bonn me 5 Maj 1990. Ishte parashikuar që raundi i fundit për arritjen e kësaj Marrëveshje dhe nënshkrimi i saj, të bëheshin në Moskë me 12 Shtator 1990. Hyrja e saj në fuqi do të shënonte përfundimin e të drejtave e detyrimeve të Aleateve në të dy Gjermanitë. Me Poloninë do të përfundohej një marrëveshje e vecantë, përmes së cilës synohej të garantohej paprekshmëria e kufirit perëndimor të saj me Gjermaninë e bashkuar. Ndërkaq, me 1 Korrik 1990 kishte hyre në fuqi  marrëveshja dypalëshe mes dy Gjermanive “Mbi Bashkimin Social, Ekonomik e Monetar”. Nata e 30 qershorit, në pritje të hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, ishte festuar në mënyrë te jashtëzakonshme në Sheshin Aleksandër të Berlinit Lindor. Ditën tjetër, miliona gjermano lindorë kishin vërshuar nëpër banka për të tërhequr shumat e caktuara në para që përcaktonte kjo marrëveshje (800 Marka menjëherë për cdo individ, ndërsa ne vit 6100 Marka, po për çdo individ). Qeveria e RFGjermane kishte planifikuar të shpenzonte rreth 100 miliardë Marka në vit për Gjermaninë Lindore. Marrëveshja e plotë për bashkimin e brendshëm të dy Gjermanive, hartuar nën kujdesin e dy Ministrave të Brendshëm respektive, Wolfgang Shojble dhe Gunter Krause, hyri në fuqi me 31 Gusht 1990. Aty parashikoheshin në detaje ndryshimet kushtetuese e ligjore mbi çështjet financiare, organizimin e  administratës shtetërore, rregullimi i çështjeve të punës, çështjeve sociale, të familjes, kulturës, arsimit, sportit, e të tjerë. Ndërkaq, Bundestagu gjerman kishte vendosur në Gusht të vitit 1990 që kryeqyteti i Gjermanisë së bashkuar të ishte Berlini dhe jo qyteti i Bonit.

Kur cdo gjë dukej në rregull me “Marrëveshjen 2+4” që pritej të nënshkruhej në Moskë me 12 Shtator 1990, Ministri i Jashtëm sovjetik Shevernatze njoftoi palën gjermane se duheshin ndryshuar dy pika. Së pari duhej që terheqja e trupave ushtarake sovjetike të bëhej në vitin 1995 ose 1996, dhe së dyti, shuma që duhej të jepte Gjermania e bashkuar për banesat dhe infrastrukturën e sistemimit të 400 mijë ushtarëve sovjetikë duhej të ishte të paktën 18 miliardë Marka, dhe jo 8 miliardë siç ishte rënë dakort në Kaukaz. Kerkesa e pare dukej qe ishte thjeshte ne funksion te kërkesës se dyte. Pas komunikimeve intensive, përfshi këtu edhe bisedat telefonike mes Kohlit e Gorbacovit, u ra dakord që Qeveria Gjermane të jepte 11 deri në 12 miliardë Marka për tërheqjen e trupave sovjetike. Përveç kësaj, Bashkimit Sovjetik do ti jepeshin edhe 3 miliardë Marka si kredi pa interes. Kohl vë në dukje se ishte e qartë që pala sovjetike përpiqej të shfrytëzonte në maksimum mundësinë për të marrë sa më shumë para, por edhe pala gjermane nuk donte të rrezikonte apo edhe te “hidhte në erë” përfundimin e “Marrëveshjes 2+4”. Kapërcimi i kësaj pengese garantoi edhe suksesin e raundit të fundit të konsultimeve të Moskës me 12 Shtator. Hyrja në fuqi e “Marrëveshjes 2+4” u la me 3 Tetor 1990. Sipas Helmut Kohlit kjo duhej të ishte edhe festa kombëtare e Gjermanisë. Propozimet për të konsideruar si festë kombëtare 9 Nëntorin, ditën e shëmbjes së Murit të Berlinit, nuk u pranuan. Argument kryesor ishte fakti që po në këtë datë, në historinë e Gjermanisë kishte patur edhe zhvillime të tjera historike, pozitive e negative. Me 9 Nëntor të vitit 1918, socialdemokrati i shquar Filip Scheideman, nga Rajshtagu kishte shpallur Republikën e Parë gjermane. Pesë vjet më vonë, me 9 Nëntor 1923, nazistët gjermane nën drejtimin e Hitlerit, ishin përpjekur pa sukses të bënin grusht shteti në Mynih, kryeqytetin e Landit të Bavarisë. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, me 9 Nëntor 1938, në kujtim të “revolucionit” të dështuar nazist, forcat hitleriane nën drejtimin e Ministrit te Propagandës Gëbels organizuan të ashtuquajturën “Nata e Kristaltë”, gjatë së cilës u dogjën, u thyen xhamat dhe u grabitën dyqanet dhe bizneset e hebrenjve në shumë qytete të Gjermanisë. Kohl vë në dukje gjithashtu që preferoj datën 3 Tetor si festë kombëtare, pasi në këtë periudhë edhe koha është ne përgjithësi e mirë, gjë që u jep mundësinë njerëzve të gëzojnë e festojnë lirisht në sheshet, rrugët e parqet e vendit, pa i rënduar me ceremoni të tepruara e me fjalime patetike.  E tillë ishte edhe festa e parë kombëtare e Gjermanisë së bashkuar, organizuar në mesnatën e kalimit nga data 2 në datën 3 Tetor 1990. Më shumë se 500 mijë njerëz të lumtur të mbledhur në Sheshin e Republikës,  dëgjonin tingujt e mrekullueshëm të Simfonisë së 9-të të Betovenit, duke kënduar së bashku vargjet e njohura të “Odesë së Gëzimit” të  Fridrih Shilerit. /Gazeta Liberale

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH