KAS ka filluar mbledhjen e radhës ku do të shqyrtojë kërkesën ankimore të PD-LSI për rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Beratit.
LSI ka depozituar 2 kërkesa ankimore për rezultatin në Qarkun Berat, një për rinumërim dhe rivlerësim të votave dhe një tjetër për shpallje pavlefshmërie dhe ripërsëritje të zgjedhjeve. Ndërkohë që PD kërkon vetëm ripërsëritje të zgjedhjeve në të gjithë qarkun.
PD ka ankimuar rezultatin e 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës, si edhe në 8 qarqe të tjera me argumentin e PS-ja ka blerë masivisht votat nga individë me rekorde kriminale, se ka dhënë leje legalizimesh , ndihma ekonomike, pagesa për tërmetin për vota në favor të socialistëve. Surprizë në kërkesën e tyre ishte se nuk kërkonin rinumërim të votave, por direkt rivotim në këto qarqe, përveç atyre ku dolën fitues.
Edhe LSI ka ankimuar rezultatin e 25 prillit edhe për qarkun Durrësit, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës. Ankimimin për Gjirokastrën e ka argumentuar me faktin se sipas saj vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për ta karantinuar për 14 ditë qytetarët që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, ka synuar që të godasë politikisht Lëvizjen Socialistë për Integrim në zgjedhje.
Në mbledhjen e fundit të KAS u vendos që ankimimi i bërë nga PD-LSI për Gjirokastrën do të shqyrtohet duke marrë për bazë vetëm provat e sjella nga këto dy forca politike, pa marrë prova shtesë nga institucionet shtetërore.