Investimet në arsimin e fëmijërisë së hershme premtojnë kthim të madh: Banka Botërore
Investimet në edukimin e fëmijëve parashkollorë dhe të ciklit të ulët mbeten shqetësuese në vendet me të ardhura më të ulëta, si Shqipëria. Rreth 43% e fëmijëve nën 5 vjeç, në mbarë botën – ose rreth 250 milionë fëmijë - rrezikojnë të humbasin potencialin e tyre zhvillimor përmes edukimit, thotë një studimi i fundit i Bankës Botërore.
Vetëm 20% e fëmijëve në vendet me të ardhura të ulëta kanë akses në arsimin e hershëm të fëmijëve, në krahasim me më shumë se 80% të fëmijëve që kanë akses për t’u arsimuar në vendet me ekonomi të zhvilluara. Për të ndihmuar vendet e varfra dhe ato në zhvillim, Banka Botërore tha se ka zgjeruar portofolin e saj të investimeve në arsimin parashkollor në më shumë se 1 miliard dollarë, nga 550 milionë dollarë që ishte pesë vjet më parë.
Para pandemisë COVID-19, 53% e 10-vjeçarëve në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme nuk ishin në gjendje të kuptonin një tekst të shkurtër të shkruar - e njohur kjo si "varfëria e të mësuarit". Ky numër tani ka të ngjarë të rritet në 70%.
"Ne kemi shumë prova që shumë gjëra janë përkeqësuar për fëmijët e vegjël,” tha Norbert Schady, një ekonomist i lartë i Bankës Botërore, gjatë një eventi.
Midis zyrtarëve qeveritarë në postet kyçe në ministrive të financave dhe gjetkë, rëndësia e arsimit parashkollor nënvlerësohet dhe "ne kemi ende shumë punë ... për t'ia ngritur këtë shqetësim politikëbërësve,” tha Schady.
Kthimet nga investimi në arsim, nga këto grupmosha do të ishin të mëdha, argumentoi ai. Kështu, familjet e varfra, siç janë kryesisht ato të zonave rurale në vendin tonë, konsiderohen pjesë e kësaj problematike që ka ngritur së fundmi Banka Botërore.
Amanda Devercelli, drejtuesja e bankës për zhvillimin e fëmijëve parashkollorë dhe të ciklit të ulët, tha se investimet kundër varfërisë si dhe angazhimi i institucionet e tjera duhet të ndihmojnë më tej vendet me të ardhura më të ulëta që ato të zgjerojnë programet parashkollore për të siguruar cilësi dhe rezultate maksimale të të nxënit, duke zhvilluar gjithashtu në një periudhë afatgjatë fuqinë punëtore, si një mundësi për zhvillimin ekonomik.