Aktualitet

“Ambasadorët me mandat të mbaruar ose për pension”, Kodheli nuk kursen Olta Xhaçkën

Shkruar nga Liberale
“Ambasadorët me mandat të mbaruar ose për pension”,

Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme, Mimi Kodheli i kërkoi Ministrisë së Jashtme të mos vonojë emërimin e ambasadorëve të rinj, duke e konsideruar diçka të tillë në shkelje të ligjit. Mbi këtë shqetësim, Kodheli drejtoi gishtin e përgjegjësisë tek shefja e diplomacisë shqiptare.

“Për këtë duhet të pyesni Ministren për Europën dhe Punët e Jashtme. Ju me të drejtë thoni që ambasadorët duhet të ishin ndërruar kohë më parë. Shumëkujt i ka ardhur dita për pension, shumëkujt  i ka ardhur dita për të lëvizur. Në fakt, është një ligj që duhet zbatuar. Të gjitha vendet e zbatojnë. Në kushte normale, për shumë arsye, një ambasador i një vendi normal duhet të lëvizë nga një vend dhe të shërbejë diku tjetër. Është një ngërç që duhet të zgjidhet. Si komision i Politikës së Jashtme, jemi të gatshëm që të marrim në shqyrtim kandidatët për ambasadorë, sapo  Ministria të mund të na i sjellë sa më shpejt propozimet, që ne, pastaj, t’i përcjellim opinionin tonë presidentit për të proceduar”, tha ajo e pyetur gjatë një interviste në emisionin “Pa Censurë”, nëse e kishte shprehur.

Kodheli mbështeti kryeministrin Edi Rama, veçanërisht në hapat e ndërmarrë për çështjen e integrimit europian. Me bindjen se negociatat u hapën vetëm sepse Shqipëria i kreu detyrat e saj të shtëpisë, Kryetarja e Komisionit të Jashtëm komentoi edhe tërheqjen e kryeministrit nga 2 nismat e kundërshtuara prej BE-së, pasaportat e arta dhe amnistia fiskale.

“Rama ka guxuar gjithmonë dhe ka qenë në avangardë të disa vendimmarrje që kanë rezultuar shumë të suksesshme. Dikur kam punuar shumë ngushtë me zotërinë dhe shpeshherë profesioni im nuk më lejonte që 2 + 2 të mos dilnin 4, ndërkohë që atij i dilnin dhe 5. Suksesi që ai pati dhe ka në politikë më bën të besoj se ai kishte të drejtë, sepse shihte diçka më tepër. Idetë janë krejt të pranueshme, por mbase Shqipëria nuk është ende në fazën për të zbatuar ligjin e pasaportave të arta. Është ngrirë pak në kohë mbase për t’u zbatuar në një moment të dytë, por qëllimi ishte shumë i mirë. Qëllimi është në interes të ekonomisë dhe të qytetarëve”, tha Kodheli në emisionin “Pa Censurë” në RTSH.]

Anëtarja e kryesisë së PS, Mimi Kodheli beson se forca e saj politike do t’i fitojë zgjedhjet, sepse, siç u shpreh ajo, di të rinovojë veten me ide, me njerëz dhe programe. Me 20 vite eksperiencë në PS dhe si një nga zërat e respektuar të saj, ajo beson se kryesia do të marrë vendime të drejta për kandidatët e bashkive.

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë gjatë në pushtet, sepse jemi të duhurit dhe më të mirët në treg”, tha ajo gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë”.

Kur u pyet për Tiranën, Kodheli nuk ia dha të gjitha meritat Erion Veliajt. - “E shoh Tiranën shumë pozitive në raport me qeverisjen qoftë qendrore, qoftë lokale, shumë larg kundërshtarit tjetër politik. Kjo për shkak se mbështetet nga qeveria dhe drejtohet nga Veliaj. Janë të dy faktorë të rëndësishëm”, tha Kodheli, e cila bëri edhe një vlerësim për kundërshtarin e përçarë përballë. “Nuk fërkoj barkun dhe them shyqyr që janë këta në këtë derexhe dhe ne të vazhdojmë të qeverisim pavarësisht sesi qeverisim. Një opozitë e përçarë nuk i bën mirë vendit. Shpresoj të jetë një periudhë tranzitore për forcën e djathtë”- u shpreh Mimi Kodheli.

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH