Aktualitet

Aleati i Putin kërcënon Poloninë: Në 6 sekonda, mund t'ju tregojmë se çfarë jemi të aftë të bëjmë

Shkruar nga Liberale

Lideri i Republikës çeçene, Ramzan Kadyrov, njëkohësisht aleat i presidentit Putin, ka kërcënuar se do të nisë një sulm ushtarak ndaj Polonisë, si hakmarrje për mbështetjen saj të palëkundur ndaj Ukrainës.

Polonia ka vepruar si një portë për hyrjen e mijëra refugjatë ukrainas që ikin në perëndim, si dhe i është kundërvënë Rusisë në Parlamentin Evropian, duke kërkuar ndalimin e importeve të gazit dhe naftës ruse, transmeton The Telegraph.

Në një video-mesazh të hënën, Kadyrov, i cili e quan veten “ushtar" i Putinit, tha: “Ukraina është një punë e përfunduar. Ajo që më intereson është Polonia".

“Çfarë po përpiqet të arrijë Polonia? Pasi Ukraina të ketë mbaruar, ne mund t'ju tregojmë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë në gjashtë sekonda, nëse marrim një urdhër", ka deklaruar ai.

Si një nga bashkëpunëtorët më besnikë të Putinit, Kadyrov ka kritikuar shpesh Perëndimin me deklarata të guximshme në mediat sociale, veçanërisht në Instagram.

Në përvjetorin e fitores së Aleatëve të vitit 1945, një aktivist ukrainas hodhi bojë të kuqe mbi ambasadorin rus Sergej Andreev, teksa ai përpiqej të vendoste lule në varrezat ushtarake sovjetike në kryeqytetin polak.

Reagimi i Kadyrov pas ngjarjes ishte i fortë. Ai paralajmëroi: "Më mirë të hiqni armët dhe mercenarët tuaj dhe t'i kërkoni zyrtarisht falje ambasadorit tonë".

Trupat e Kadyrov janë akuzuar për krime lufte në Ukrainë dhe vetë Kadyrov ka qenë i pranishëm, megjithëse ai ka mohuar të ketë marrë pjesë në ndonjë vrasje.

Forcat çeçene ishin në rrethimin e Mariupolit dhe thuhej se ishin ndër forcat pushtuese që vranë civilë në periferi të Kievit.

Kadyrov është akuzuar vazhdimisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për shkelje të të drejtave të njeriut, të cilat ai i mohon.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Moska zhvilloi dy luftëra me separatistët në Çeçeni, një rajon kryesisht mysliman në Rusinë jugore.

Por që atëherë ajo ka derdhur shuma të mëdha parash në rajon për ta rindërtuar atë dhe i ka dhënë Kadyrov një masë të madhe autonomie.

Kadryrov, i akuzuar për përdorimin e torturave mesjetare ndaj armiqve të tij në Çeçeni, është quajtur 'djali i Putinit që nuk e pati kurrë', për besnikërinë e tij të devotshme ndaj udhëheqësit të Kremlinit./ Përshtati Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH