Historia e Ditës së Gruas daton në fillim të shekullit të njëzetë. Prej shumë vitesh origjina e 8 Marsit është gjurmuar në një tragjedi të ndodhur në vitin 1908, pasi punëtoret e industrisë së tekstilit në Nju Jork humbën jetën pas një zjarri. Megjithatë, zjarri i vitit 1908 u ngatërrua me një zjarr tjetër në të njëjtin qytet, i cili ndodhi në vitin 1911 dhe në të cilin u regjistruan 146 viktima, duke përfshirë shumë gra. Faktet që realisht çuan në vendosjen e ditës së gruas janë më shumë të lidhura me pretendimin e të drejtave të grave, përfshirë të drejtën e votës.
Dy ngjarje mund të lidhen me prezantimin e këtij përvjetori. Kongresi VII i Internacionales II Socialiste dhe Konferenca Ndërkombëtare e Grave Socialiste, gjatë së cilës, në vitin 1907, u diskutua për të drejtën e votës universale.
Por ishte viti i ardhshëm që solli lindjen e "Ditës së Gruas" së parë. Kjo ndodhi kur Corinne Brown, një figurë e shquar në lëvizjen socialiste amerikane, e riemëroi në këtë mënyrë konferencën e partisë socialiste të Çikagos, gjatë së cilës iu dha hapësirë temave si shfrytëzimi i punëtoreve femra nga punëdhënësit, diskriminimi dhe e drejta e votës. Në fund të po atij viti, u vendos që 28 shkurti i vitit të ardhshëm t'i kushtohej festës së parë të gruas. Në vitin 1910 u shpall dita e parë ndërkombëtare e gruas, por ajo festohej në ditë të ndryshme. Të gjitha festimet u ndërprenë nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore.
Në Shën Petersburg, më 8 mars 1917, gratë demonstruan për të kërkuar përfundimin e luftës. Më vonë, për të përkujtuar këtë ngjarje, gjatë Konferencës së Dytë Ndërkombëtare të Grave Komuniste që u mbajt në Moskë në vitin 1921, u konstatua se 8 Marsi ishte Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.
Në Itali, festa e parë e gruas u zhvillua në vitin 1922, por më 12 mars dhe jo më 8 mars.
Në dekadat që pasuan, lëvizja për të drejtat e grave vazhdoi të rritet në mbarë botën.
Në shtator të vitit 1944, UDI, Unioni i Grave Italiane, u krijua në Romë dhe u vendos që të festohej Dita e Gruas në 8 Marsin e ardhshëm në zonat e çliruara të Italisë.
Që nga viti 1946 mimoza është prezantuar si simbol i kësaj dite. Kjo lule u zgjodh sepse ishte në sezon dhe nuk kushtonte. Megjithatë, në Itali duhet të shkosh në vitet shtatëdhjetë për të parë lindjen e një lëvizjeje të vërtetë feministe. Më 8 mars 1972 në Piazza Campo de Fiori të Romës u zhvillua demonstrata e festës së gruas, gjatë së cilës gratë kërkuan ndër të tjera legalizimin e abortit.
Në vitin 1975 u përcaktua nga Kombet e Bashkuara si Viti Ndërkombëtar i Grave dhe më 8 mars të atij viti lëvizjet feministe nga e gjithë bota demonstruan për të kujtuar rëndësinë e të drejtave të barabarta midis burrave dhe grave.
Ngjyra zyrtare e Ditës Ndërkombëtare të Gruas është, ndër të tjera, vjollca. Kjo ngjyrë përfaqëson dinjitetin dhe drejtësinë sociale për gratë.
Tema e Ditës Ndërkombëtare të Gruas ndryshon çdo vit. Në vitin 2022, tema ishte "Barazia gjinore sot për një të nesërme të qëndrueshme".
Në vitin 2018, hashtagu #MeToo u përdor si simbol i solidaritetit mes grave dhe denoncimit të abuzimit seksual. Lëvizja #MeToo ishte një temë kryesore e diskutimit në Ditën Ndërkombëtare të Gruas atë vit.
/Përgatiti: Liberale.al/