Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 480 milionë euro përtej planit për 9 muaj, arka e shtetit tjetër “sukses” në kohë krize

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Ndoshta jemi vendi i vetëm në botë që kemi tejkaluar planin e të ardhurave, përmes vjeljes së taksave, ndërkohë kriza e çmimeve sugjeron të kundërtën. Për të nxitur fuqinë blerëse, ose duhet të ishin ulur taksat që rëndojnë direkt mbi konsumatorin, ose duhet që përmes politikave fiskale të mbështeteshin shtresat më të prekura nga rritja e çmimeve.

Buxheti arkëtoi 425.7 miliardë lekë në 9 muajt e parë të vitit, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të ardhurat u rritën me 15.7%, ose rreth 58 miliardë lekë, e thënë ndryshe 480 milionë euro më shumë.

Kjo është performanca paraprake e treguesve fiskalë për periudhën 9 – mujore (Janar – Shtator 2022) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Në shtator u arkëtuan në buxhet gati 49 miliardë lekë, me një rritje 13.7% në krahasim me shtatorin e 2021-n. Pas ngadalësimit në korrik, ritmet e rritjes së të ardhurave janë përshpejtuar sërish në gusht dhe në shtator.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 9 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 411 miliard lekë me një realizim në masën 93 për qind të planit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar rreth 1.7 për qind më i lartë ose rreth 12.9 miliard lekë më shumë.

Niveli i suficitit për periudhën 9 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 15 miliard lekë nga rreth 18 milion lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 36 miliard lekë.

Të ardhurat totale për 9-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 425.7 miliardë Lekë ose 100.7 % të planit të9-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me 58 miliard lekë ose me 15.8% më shumë. Ato kryesisht u realizuan ashtu si në të gjithë periudhën gjatë këtij viti nga çmimet më të larta, si pasojë e krizës.

Si shembull vetëm të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 379.9 miliardë lekë, 60.9 miliardë ose 19.1% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 4.1 miliardë ose 1.1% më shumë se plani 9-mujor për vitin 2022.

/Liberale.al/


Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH