Katër personazhe të njohur të botës së krimit do të vazhdojnë të qëndrojnë në qelitë e regjimit të posaçëm “41 Biss”. Prokuroria e posaçme duke iu referuar informacionit të marrë nga strukturat e tjera përgjegjëse ligjzbatuese në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Brendshme kërkuan zgjatjen e afatit të regjimit të posaçëm për 4 nga 7, të burgosurit që ishin më herët.
Për këtë arsye Ministria e Drejtësisë urdhëroi që Arbjon Aliko, Endrit Qyqja, Emiljano Shullazi dhe Genci Balla, të qëndrojnë në qelitë e regjimit të rreptë edhe për një vit tjetër. Ndërkohë ka përfunduar regjimi i posaçëm për Blerim Shullazin, Gilmando Danin dhe Endrit Zelën, 3 anëtarët e grupit Shullazi.
Arbjon Aliko është dënuar me burg përjetë për vrasjen në wershor të 2015 të efektivit të FNSH-së Ibrahim Basha në Lazarat, gjatë operacionit të RENEA-s për çmontimin e fshatit të kanabisit.
Genci Balla, ose imami i vetëshpallur, është dënuar me 17 vite burg si pjesë e grupit të xhihadistëve për rekrutimin e disa personave dhe për dërgimin e tyre në Siri. Burimet tregojnë që Balla kishte filluar predikimin edhe tek të dënuar të tjerë prandaj iu nënshtua regjimit të egër.
Ndërsa Emiljano Shullazi dhe Endrit Qyqja janë dënuar në shkallë të parë për krijim të grupit të strukturuar kriminal, gjobëvënie dhe kanosje për shkak të detyrës.
Regjimi “41-Bis” shërben për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë.