I ftuar në emisionin ‘Memorie’ të dy gazetarëve të njohur, Dashnor Kaloci dhe Artjan Tepelena në Tv Scan, gazetari dhe moderatori i njohur, Rezar Xhaxhiu, për gati 90 minuta ka folur dhe dëshmuar mbi ngjarjet e fundit të dhjetorit të vitit 1989, kur ai shërbente si atashe shtypi pranë ambasadës shqiptare në Bukuresht të Rumanisë. Në fillim ai ka treguar se si pas diplomimit në Universitetin Shtetëror të Tiranës, (Fakulteti Filologjik) në vitin 1984, u thërrit në Ministrinë e Punëve të Jashtëme, së bashku me disa studentë të tjerë, si Llesh Kola, Kastriot Robo, Marko Bello, etj., që kishin mbaruar me rezultate të larta, të cilëve iu komunikua se ishin përzgjedhur për të punuar pranë atij dikasteri, si pjese e stafit të shërbimit diplomatik.
Përveç rezultateve të larta, kusht i parë i përzgjedhjes së tyre, ishte biografia familjare, sjellja e mirë e kandidatit në familje, shkollë, punë dhe shoqëri, si dhe njohja e disa gjuhëve të huaja. Pasi punoi për disa kohë në Ministrinë e Jashtme, ku iu nënshtruan disa kurseve specializimi për në shërbimin diplomatik, Xhaxhiu tregoi se Shefi i Degës së Kuadrit së asaj kohe, Petraq Pojani, e thirri në zyrë ku dhe i komunikoi se: "Partia kishte menduar, se ai duhet të shkonte me punë për të shërbyer pranë ambasadës sonë në Bukuresht"!
Por para se të nisej, duhet të priste një përgjigje që do vinte për anën biografike të bashkëshortes së tij, pasi në trupin diplomatik që shërbente në ambasadat tona në shtete të ndryshme të botës, ishte dhe një kusht, që kandidati duhej të ishte i martuar dhe atje shkonte bashkë me bashkëshorten. Pasi erdhi përgjigja pozitive për anën biografike të bashkëshortes së tij nga ana e organeve kompetente përkatëse, gazetari Xhaxhiu, tha se u nis për në Bukuresht, ku ambasador ishte Pirro Vito.
Në stafin e ambasadës që përbëhej prej 14 personash, (një nga më të mëdhatë që kishte shteti shqiptar) ishte dhe Marko Bello, që u nda nga jeta para pak kohësh. Impakti i parë me të cilin u ndesh diplomatit të ri shqiptar, Rezar Xhaxhiu, me kryeqytetin rumun në vitin 1987 kur ai morri detyrën, ishte tregu bosh në dyqanet e Bukureshtit, ku gjeje vetëm kavanoza turshi dhe në kontrast me të, infrastruktura e qytetit prej 3 milion banorësh, me parqe, lulishte, tramvaje dhe metro gjigande, aq sa me të drejtë ai konsiderohej si Parisi i Lindjes.
Xhaxhiu shpjegoj se ajo gjendje e vështirë ekonomike ku ndodhej Bukureshti dhe gjithë Rumania e asaj kohe, e kishte zanafillën që nga fillimi i viteve '70-të, kur Nikolae Çaushesku u shkëput nga suaza sovjetike dhe nisi të afrohej me Perëndimin. Por kjo gjë i kushtoi shtrenjtë, pasi Kremlini nisi t' i kërkonte borxhet e dhëna ndër vite Rumanisë, shifra e së cilës ishte akumuluar duke shkuar në rreth 11 miliard dollar!
Të gjitha këto borxhe, Rumania e Çausheskut i shleu duke i zeruar nga mesi i viteve '80-të, gjë të cilën vetë diktatori rumun e deklaroi në një kongres partie, si një sihariq të madh, ku pas kësaj, për popullin rumun do vinin ditë të mira, me rritje të nivelit të jetesës, rritje rrogash, etj. Por, ajo gjë që premtoi kreu komunist i Rumanisë, popullit të tij, jo vetëm që nuk po dukej fare në horizont, por përkundrazi, jeta e rumunëve të thjeshtë po bëhej gjithnjë më e vështirë dhe dyqanet po boshatiseshin dita ditës me ritme të shpejta.
Sipas Xhaxhiut, atë gjë e ndjenin edhe stafi ambasadës shqiptare në Bukuresht, (të cilëve nuk u mungonte gjë pasi furnizoheshin në dyqanin e diplomatëve, ku gjeje edhe ‘qumësht dallëndyshe’), pasi ata banonin në pallate, ku fqinjë kishin familje rumune të thjeshta, të cilëve u mungonte deri qumështi për fëmijët dhe nuk lëviznin dot me makinat e tyre private, pasi u mungonte benzina, dhe nuk u mjaftonin të ardhurat për ta blerë. Po kështu, sipas dëshmive të Xhaxhiut, një gjë tjetër me të cilën ata u ndeshën në kryeqytetin rumun, ishte kulti individit i Çausheskut dhe gruas së tij Helenës.
Kjo gjë veç të tjerash, dukej edhe nga Televizioni Rumun, i cili nga katër orë gjithsej program që jepte në mbrëmje, tre orë i kishte vetëm për Çausheskun dhe gruan e tij, Helenën. Po kështu, populli rumun i kishte liritë e të drejtat e individit mjaft të kufizuara dhe atyre nuk u lejohej që të komunikonin me shtetasit e huaj dhe nëse do të ndodhte kjo gjë, ata ishin të detyruar të shkonin dhe të raportonin e të jepnin shpjegime në zyrat e Sekuritate-s, siç quhej Shërbimi sekret rumun
Sipas Xhaxhiut, të gjitha këto ndikuan në rritjen e pakënaqësive të popullit rumun për t'u ngritur në protesta kundër regjimit të Çausheskut, siç ishte Timoshuara, ku me mijëra protestues u ngritën në demonstrata masive, pas vrasjes së një pastori me origjinë hungareze, Lazlo Tokës, që u ekzekutua nga Sekuritate. Timoshuara ku mbetën të vrarë me dhjetëra protestues që u qëlluan me armë nga forcat qeveritare, sipas Xhaxhiut, ishte shkëndija e parë që ndezi valën e protestave anti-regjim (duke pasur si simbol figurën e pastorit Lazlo) që do të çonin më pas edhe në ekzekutimin e çiftit Çaushesku, por shifra e të vrarëve nuk u bë kurrë publike, madje në atë kohë asnjë lajm zyrtar nuk u dha që aty kishte viktima.
Ngjarja e Timoshuarës (edhe pse numri viktimave nuk u bë kurrë publik dhe u mbajt i fshehtë) diktatori rumun Çaushesku ndërpreu vizitën zyrtare në Iran (që në fakt ishte vizitë propagandistike, për t'u dukur se kishte mbështetje) dhe u kthye urgjent në Bukuresht, ku më datën 12 dhjetor 1989, ai mbajti një miting madhështor para mbështetësve të tij në qendër të kryeqytetit.
Xhaxhiu tregoi se kishte qenë vete pjesmarrës në atë miting, (pasi atë gjë e kishte detyrë funksionale) ku pjesa më e madhe ishin punëtorë të thjeshtë që i kishin sjell me detyrim aty. Pas fjalimit të Çausheskut, nga fundi i turmës u dëgjuan thirrje kundër tij, të cilat erdhën valë- valë deri në rreshtat e para, para ballkonit të godinës së Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Rumanisë ku ishte Nikolae Çaushesku dhe anëtarët e tjerë të udhëheqjes së lartë rumune.
Ato thirrje e shtangën Çausheskun sa që ai nuk donte t'u besonte syve dhe veshëve, pasi e gjitha ajo turmë që e kishte duartrokitur deri para pak çastesh, në ato momente, iu kthye kundër, duke kërkuar largimin e tij. Ndërkohë në ato momente, një nga truprojat e tij e tërhoqi atë duke e futur brenda godinës dhe që nga ai moment, diktatori rumun nuk doli më në publik.
Ndërkaq, protestat u rritën dhe për t'bërë ballë situatës që po agravohej nga minuti në minut, Çaushesku nxori tanket në rrugë për të shtypur protestat masive kundër tij. Por edhe kjo gjë jo vetëm që nuk solli rezultat, por përkundrazi, ushtria rumune u bashkua me popullin dhe protestuesit, gjë e cila erdhi pas vetëvrasjes së ministrit të Mbrojtjes, gjeneralit Maneu, që pati debate të forta me Çausheskun, pikërisht pasi nuk pranoi të nxirrte tanket në rrugë e të qëllonin mbi turmat protestuese. Ndërkohë pas kësaj ngjarje, komandën e Ushtrisë e morri në dorë Shefi i Shtabit te Përgjithshëm që ishte besnik i Maneut.
Sipas Xhaxhiut, pas "tradhtisë" së Ushtrisë, Çausheskut i mbeti besnike vetëm Ministria e Brendshme dhe Sekuritate-a, të cilët morën komandën e vendit në dorë. Ndërkaq, në një nga këto ditë, Xhaxhiu tregoi se papritmas, ambasada shqiptare u gjend e rrethuar nga tanket, pasi ishte hapur lajmi, se Çaushesku ishte fshehur në atë godinë, e cila dikur kishte qenë një nga vilat e Mbretëreshës së Rumanisë dhe ajo kishte tunele të nëndheshme që komunikonin me rezidencat qeveritare, ministritë etj.
E gjendur në këtë situatë, Xhaxhiu tha se ambasadori, Pirro Vito, urdhëroi armatosjen e stafit të tij, duke hapur një arkë me armatime të ndryshkura, që ishte aty që nga viti 1950 dhe nuk ishte hapur kurrë. Xhaxhiu tregoi se atij dhanë një armë "Karabinë" dhe iu caktua një pozicion në një frëngji në mes katit të parë dhe të dytë, ku duhej të qëndronte gati për të luftuar, në rast se ambasada do sulmohej nga jashtë.
Ajo gjë nuk ndodhi, edhe pse u tentua të kontrollohej godina e ambasadës, por urdhrat që vinin nga Tirana, thoshin që në asnjë mënyrë nuk duhej të lejonin të futej askush në ambasadë. Në këtë kohë që ambasada mbahej e rrethuar, me urdhër nga Ministria e Jashtme në Tiranë, për dy ditë me radhë, stafi ambasadës dogji në kaldajën e saj, të gjithë dokumentacionin arkivor që ndodhej aty, me qëllim që të mos binte në duart e protestuesëve.
Sipas dëshmisë së Xhaxhiut, ekzekutimin e diktatorit rumun, Çaushesku dhe gruas se tij, Helena, ai dhe gjithë stafi i ambasadës shqiptare në Bukuresht, e mësuan nëpërmjet Radio-Televizionit të Bukureshtit, i cili ndërpreu emisionit dhe transmetoi atë lajm të pazakontë. I pyetur nga dy gazetarët e emisionit Memorie, se ç'ndodhte në ambasadën shqiptare në Bukuresht pasi u mësua ai lajm, Xhaxhiu u shpreh se pas asaj ngjarje, stafi i ambasadës u thirr në një mbledhje, ku titullari i saj, Pirro Vito, lexoi telegramin që vinte nga Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë, ku ministri, Reiz Malile shkruante: "Pas kësaj që ndodhi, ju duhet të shtrëngoni radhët, sepse tashmë, Shqipëria Socialiste, mbetet bedena e fundit e Kalasë së Socializmit në botë”./ Tv Scan