Aktualitet

Venecia: Rivlerësoni vetingun!

Shkruar nga Liberale
Venecia: Rivlerësoni vetingun!

Duke dhënë më shumë rekomandime për të ardhmen sesa për zgjidhjen e ngërçit aktual, Komisioni i Venecias thekson nevojën për dialog mes institucioneve dhe nevojën jetike për ngritjen sa më shpejt të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.  Ai rekomandon heqje të dispozitës kushtetuese që cakton radhën e emërimeve, ngritjen në nivel kushtetues të ndryshimeve për betimin e gjyqtarëve dhe rivlerësim të vetingut, për të mos i lënë jofunksionale  gjykatat

Suadela Balliu

Radha e emërimeve,  betimet, vetingu, ngërçi institucional. Në  draft-raportin final të Komisionit të Venecias mbi gjashtë pyetjet e Kuvendit dhe tridhjetetetë të presidentit,  rekomandohet së pari heqja e dispozitës kushtetuese që cakton rendin e emërimeve, të cilën presidenti Meta e përdori si argument pasi afati ligjor 30 ditor për emërimin e kandidatit të dytë, përfundoi pa zgjedhur një emër. Në vend të kësaj sugjerohet një marrëveshje mes tre organeve të emërtesës, Presidentit, Kuvendit  dhe Gjykatës së Lartë sapo ajo të bëhet funksionale, sesi do të vijohet me emërimet në të ardhmen.

Rreth ndryshimeve ligjore për Ligjin mbi Gjykatën Kushtetuese, ku maxhoranca parashikoi anashkalimin e presidentit në betimin e gjyqtarëve pas rastit me Arta Vorpsin që e bëri atë tek një noter, ekspertët e Venecias rekomandojnë pasqyrimin e ndryshimeve të tilla në nivel kushtetues, nëse shihet e nevojshme shmangia e ngërçeve dhe rrezikut të abuzimit.  Presidenti Meta do të thërriste për ceremoninë e betimit dy gjyqtaret e emëruara nga Kuvendit, Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin, si edhe Marsida Xhaferllarin të emëruar prej tij pas afatit 30 ditor e pasi Arta Vorpsi kishte dalë nga mekanizmi zhbllokues dhe emri i saj qe botuar në fletoren zyrtare.

Venencia thekson nevojën jetike të vendit për ngritjen sa më shpejt të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, që do u jepnin zgjidhje edhe çështjeve të mbetura pezull, ku në të parën ekzistojnë dy anëtare për një vend dhe një i sapoemëruar u shkarkua përmes procesit të vetingut.

Tek procesi i vetingut , Venecia jep opinionin se ato duhet rivlerësuar.

“Ndërsa reforma e Gjyqësorit dhe procesi i vetingut mbeten prioritet dhe duhet të çohen në fund, duhet të vlerësohet nëse rregullat siç janë aplikuar janë të duhurat dhe lejojnë për një përfundim të shpejt të procesit të vetingut, veçanërisht në rast se vetingu i gjyqtarëve çon në gjykata jofunksionale, sidomos ato më të rëndësishmet”, thuhet në raportin paraprak, ndërsa ditëve të fundit ambasadorja amerikane ngriti shqetësimin rreth një marrëveshjeje mes palëve politike që po përpiqen ta vrasin  Reformën në Drejtësi. Ndërsa pranonte se Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur por është e nevojshme, ambasada e ShBA-së theksonte se ajo  po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë e familjes europiane. Duke nxitur për përmbushjen e dy reformave, në Drejtësi dhe atë Zgjedhore, ambasadorja Kim u përcillte mesazh palëve se duhet të mbanin premtimin para popullit dhe se ato nuk ishin për të bërë pazare. Kim gjithashtu do t’i drejtohej kryetares së KPK-së duke i kërkuar përshpejtim të procesit të vetingut.

Presidenti Meta do t’u paraqiste ambasadorëve të vendeve të BE-së, por edhe asaj të ShBA-së qysh më 8 prill, një platformë prej 14 pikash, që nxiste palët për dialog në dobi të integrimit europian. Mes tyre ishin pikat e ngërçit  mes presidentit dhe maxhorancës,  për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, largimi i Dvoranit nga detyra e kreut të Gjykatë së Lartë dhe atij të KED, pas emërimit të tre anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, ndërsa rolin e tij në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi ta merrte nënkryetari.

Një tjetër pikë e Metës ishte propozimi që çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik, një organ i ngjashëm  me atë të Reformës Zgjedhore.

Ndonëse më parë, kryeministri Rama ishte shprehur se nuk do të kishte ndryshime në Reformën në Drejtësi, të paktën për tani, pas publikimit të platformës së Presidentit, do të thoshte se ishte i hapur për një tryezë të gjerë mes maxhorancës, presidentit, opozitës dhe bashkautorëve ndërkombëtarë të Reformës.

Për kapërcimin e krizës, Venecia sugjeron dialog ndërinstitucional.

“Është me rëndësi jetike për Shqipërinë që të ringrejë Gjykatën Kushteutese dhe atë të Lartë, sa më shpejt të jetë e mundur, akoma më shumë në një kohë në të cilën paraqiten pyetje të lidhura me kushtetutshmërinë e çështjeve publike në vend. Një sërë çështjesh të mbetura pezull në  Gjykatën Kushtetuese nuk mund të gjykohen. Për të kapërcyer këtë krizë, kërkohet dialog konstruktiv ndërinstitucional mes institucioneve  të shtetit, të cilat janë edhe thelbësore”, thuhet në raportin paraprak, ndërsa Komisioni i Venecias ende nuk e ka publikuar në ëebsiten-in e tij përfundimtarin, i cili u vonua për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Në raportin paraprak të marsit, Komisioni i Venecias shprehej se arsyetimi i bërë nga presidenti, në lidhje me përzgjedhjen e dy anëtarëve të Kushtetueses, nuk ishte i paarsyeshëm.

“Kriza Kushtetuese në Shqipëri nuk është shkaktuar nga vetëm një akt specifik, por është pasojë e ndërveprimit të një sërë faktorëve. Procesi i nevojshëm i vetingut ka pasur më shumë efekte  të shtrira,  sesa ishte parashikuar në fillim Si pasojë, mes të tjerave, për shkak të procesit gjithëpërfshirës të vetingut, Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese janë bërë jofunksionale”, vëren raporti, duke u ndalur tek ngërçi mes Kuvendit dhe Presidentit, duke e përshkruar atë si të vështirë për  t’u  kapërcyer   (me një proces shkarkimi që vijon nga njëra anë dhe kallëzime penale nga ana tjetër).

“Për shkak të vetingut dhe mosfunksionimit të KED-së në 2017 dhe 2018, ka shumë vakanca për t’u plotësuar në të njëjtën kohë. Me fare pak kandidatë të përshtatshëm ka pak zgjedhje për emërimin/ zgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses; Problemet me  aplikimin e dispozitave të paqarta (kushtetuese) janë përkeqësuar nga fakti se nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe nga fakti se procesi është bërë subjekt i luftës mes Presidentit dhe Kuvendit”.

Ishte presidenti Meta ai që ngriti shqetësimin e mosfunksionimit të KED-së, për dy vite radhazi, ndërsa do të kritikonte ashpër në disa raste rolin e Euralius dhe OPDAT. Madje edhe pak ditë më parë, ai do të shprehej se “Euralius dhe Opdat punojnë me urdhrat e Edi Ramës”, duke risjellë edhe njëherë çështjen e tre viteve më parë.

“Ta dinë gjithë shqiptarët meqë jemi pa Gjykatë Kushtetuese, ta marrin faturën ata që e kanë lënë Shqipërinë pa, e bëjnë sikur u qan zemra. Këtu ke një letër që i drejtohet Romana Vlahutin, e datës 3 nëntor 2017, shefes së Euralius, kjo thotë që presidenti është i shqetësuar që mos na ndodhë prapë me KED-në  ajo që na ndodhi, që ngeli vendi pa KED, “Hajdeni të flasim, se s’mund ta hedhë presidenti  shortin për anëtarët e KED, në një situatë me kontestime. Vlahutin erdhi me shefen e EURALIUS,  ramë dakord e ditën që do bëhej takimi, një ditë më parë shefja e Euralius i thotë këshilltarit tim nuk mund të vijmë. Pse? Se është porosi politike dhe  unë jam person teknik.  Kaq”, do të kujtonte Meta pak ditë më parë në një intervistë televizive, ndërsa më herët ka akuzuar kryeministrin Rama se ka ushtruar presion mbi anëtarët e KED-së, duke përdorur shkarkimin nga vetingu.

Presidenti Meta, në argumentimin juridik që bëri, në ditën kur skadonte afati 30 ditor për emërimin e anëtarit të dytë të Kushtetueses, pasi kishte përzgjedhur nga lista e parë Besnik Muçin u ndal u mbështet tek dispozitat kushtetuese, që dilnin mbi ligjin, duke caktuar një radhë e ku sipas tij kreu i shtetit nuk mund të shprehej pa u shprehur më parë Kuvendi, në një kohë kur Gjykata e Lartë ishte jofunksionale për të kryer emërimet e saj.

“Në parim, rregulli i rendit aplikohet vetëm në momentin e caktimit nga kreu i Gjykatës Kushtetuese të vakancave, mbi hapjen e secilit raund të emërimeve.  Me t’u caktuar vakancat tek organet respektive të emërtesës, rendi nuk kërkon aktivizim deri në raundin tjetër, që do të thotë deri në vitin e skadencës së tre mandateve të ardhshme”, sqaron Komisioni i Venecias, por duke marrë në analizë kontekstin, në të cilin kanë ndodhur zhvillimet dhe ngërçi që i çoi edhe njëherë deputetët e maxhorancës, pas nisjes së komisionit për shkarkim të presidentit, tek Opinioni i Venecias.

“Megjithatë, për sa kohë mungesa e kandidatëve vijon dhe listat janë bërë me thuajse me ata pak kandidatë të njëjtë, në një situatë kur duhen bërë emërime në të njëjtën periudhë për më shumë se një raund, Presidentit dhe Kuvendi dhe (Gjykata e Lartë nëse nis të funksionojë shpejt) duhet të bien dakord mbi procedurat që duhen ndjekur, dhe KED duhet të bjerë dakord me këtë marrëveshje”.

Edhe Meta e nënvizoi faktin se ishin vetëm gjashtë anëtarë në katër lista dhe mënyra sesi kreu i KED, Dvorani, dërgoi listat me një javë vonesë tek Kuvendi pas Presidentit, do të çonte në përplasje, ose do të bënte inefektive zgjedhjen kur sipas Kushtetutës listat duhet të kenë së paku tre kandidatë.  Në katër lista, vetëm një kishte katër anëtare, ajo ku përfshihej Xhaferllari, të cilën Meta e emëroi si anëtare. Nëse Meta do të kishte zgjedhur njërin prej tre emrave të parë, automatikisht një nga listat e Kuvendit do të kishte vetëm dy anëtarë.

 “Në të kundërt, një apo më shumë organe emërtese do të rrezikojnë të mos jenë të aftë të bëjnë një zgjedhje mes tre kandidatëve, siç kërkohet nga Kushtetuta. Në këtë situatë, derisa të arrihet një marrëveshje apo  Gjykata Kushtetuese të jetë shprehur, KED duhet t’ia dërgojë listën apo listat Kuvendit, sapo presidenti të ketë proceduar me emërimet e tij, ose pas 30 ditësh nëse ai dështon ta bëjë këtë, pa një justifikim”, sqaron Venecia, duke i dhënë të drejtë presidentit Meta, i cili ngulmoi se nuk mund të shprehej nëse nuk e kishte bërë Kuvendi emërimin e tij të parë.

“Një vakancë e hershme duhet të mbushet nga autoriteti, që ka emëruar gjyqtarin në ikje. Mekanizmi i përcaktuar për emërimet nga Presidenti (Neni 7/b i Ligjit mbi Gjykatën Kushtetuese) nëse mendohet i nevojshëm, duhet ngritur në nivel kushtetues, ashtu si edhe në rastin e Kuvendit”.

Sipas këtij neni,  Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, sipas këtij ligji, njofton për vendin vakant Presidentin e Republikës, i cili, brenda 7 ditëve nga marrja e njoftimit, shpall në mjetet e informimit publik dhe në faqen zyrtare të internetit hapjen e procedurës së aplikimit.

Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, brenda 5 ditëve nga dita e publikimit të listës së kandidatëve, thërret mbledhjen e Këshillit që shqyrton plotësimin e kushteve dhe të kritereve ligjore nga kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe të kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve nga zhvillimi i mbledhjes harton një listë përfundimtare duke renditur kandidatët. Nëse ka më

shumë se një vend vakant, Këshilli harton dy lista të veçanta, një prej të cilave është me kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit. Lista shoqërohet nga një raport me shkrim ku analizohet plotësimi i kushteve dhe kritereve ligjore për secilin kandidat. Raporti i arsyetuar, pasi

miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të

Emërimeve në Drejtësi, publikohet. Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyet e përzgjedhjes së kandidatit. Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar.

Kjo çoi që në fletoren zyrtare të botohej emri i Vorpsit, ndërsa maxhoranca i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të njihte atë dhe jo Xhaferllarin si gjyqtare, nga Gjykata u tha se nuk kishte quorum për të marrë një vendim dhe deri atëherë, gjyqtarë njiheshin ata që kishin kryer betimin tek Presidenti. “Gjykata e Lartë duhet të bëjë emërime të vonuara (jashtë rendit), sapo të bëhet funksionale”, thekson raporti, ndërsa tashmë ajo ka katër anëtarë, me Dvoranin të cilit i ka përfunduar mandati dhe tre të rinjtë e sapo emëruar.

Në  lidhje me procedurën e KED, Venecia rekomandon se KED duhet të ndryshojë Rregullin 41 të Vendimit nr. 4, për verifikimin e kandidatëve të ardhshëm dhe procedurat e përzgjedhjes në mënyrë që Avokati i Popullit të ushtrojë të drejtën kushtetuese për të marrë pjesë të gjitha mbledhjet e KED, për hir të transparencës dhe besimit të publikut tek procedura. Ishte Avokati i Popullit që ngriti shqetësimin për moslejimin në mbledhjet, me dyer të mbyllura në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për Kushtetuese. “Përmbledhja e të gjitha mbledhjeve të KED duhet të publikohet në kohën e caktuar. KED duhet të adoptojë renditjet e tij vetëm nëse dosjet e të gjithë kandidatëve në listë janë të plotë dhe kreu i KED duhet, atëherë, t’ua dërgojë listat së bashku me dosjet menjëherë organeve të emërtesës pa vonesë”, shkruhet më tej, duke adresuar shqetësimet e ngritura nga presidenti Meta, që vuri në pah një sërë parregullsish, sipas tij, në faqen zyrtare të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Duke marrë rastin e Besnik Muçit, i cili kishte kaluar vetingun vetëm në shkallën e parë, në KPK e që do të shkarkohej nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pasi nisi zyrtarisht punën si  gjyqtar kushtetuese, Venecia rekomandon se  KED nuk duhet të propozojë kandidatë që nuk e kanë kaluar ende vetingun.

Duke u ndalur tek debati mbi procedurën e betimit të gjyqtarëve të Kushtetueses, Venecia thotë  se  nëse vlerësohet e nevojshme për shmangien e ngërçit në raste të qarta abuzimi, dispozitat e adoptuara së fundi por ende të pa hyra në fuqi në një mekanizëm të përcaktuar për kryerjen e betimit, duhet të zëvendësohen nga një dispozitë e formuluar më qartë për t’u adoptuar në nivel kushtetues.

Në draft-raportin përfundimtar Komisioni i Venecias është i opinionit se modeli kushtetues i adoptuar më 2016-n është shumë kompleks dhe në terma afatgjatë mund të rekomandohej thjeshtëzimi i tij, në radhë të parë duke hequr rregullin e rendit.

Kjo ka sjellë reagimin e zëdhënësit të Presidenti, Tedi Blushi.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, siç rikonfirmoi qartë sot, ka zbatuar vetëm Kushtetutën që ka shkruar "Venecia" me dorën e saj për Gjykatën Kushtetuese në vitin 2016”, shkruante ai, ndërsa shtonte se presidenti do të shprehet vetëm pas publikimit të Opinionit final, ndërsa muaj më parë Venecia pati vërejtje për rrjedhjen e informacioneve ende pa dalë zyrtarisht raporti përfundimtar.  “Për presidentin Meta, Kushtetuta është e paprekshme dhe ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë”, përfundonte statusi i zëdhënësit Blushi.

Ndërsa lajmëronte një tubim më 8 dhjetor dhe kërkonte mbështetjen e qytetarëve për Referendum, duke kujtuar mënyrën referendare të miratimit të Kushtetutës së 1998-s, presidenti Meta thoshte se ndryshimet kushtetuese të 2016-s, pjesë e Reformës në Drejtësi  nxorën në pah probleme akute, duke e kthyer Kushtetutën në rregullore me data e afate. Meta gjithashtu kujtonte paralajmërimet e vetë Komisionit të Venecias se zbatimi i këtij procesi do të duhej të ishte i kujdesshëm, gradual duke pasur parasysh burimet njerëzore në dispozicion. Një tjetër paralajmërim i ekspertëve të Venecias ishte se zbatimi për ndryshime kaq të thella kushtetuese do të duhej bërë  duke ruajtur frymën e bashkëpunimit, për të siguruar që institucionet e reja të drejtësisë të mos kapeshin nga forca politike në pushtet. Por Meta e ka quajtur të kapur Reformën e madje duke e cilësuar atë si “Ramaformë”, e pangjashme me atë që u miratua unanimisht nga 140 deputetë më 2016-n, ndërsa kjo siç ka argumentuar ai e ka çuar të vihet në mbrojtje të Kushtetutës, edhe në rastin e ngërçit me anëtarët e Kushtetueses, ku sipas tij kreu i KED përdori manovra për ta çuar kreun e shtetit në antikushtetueshmëri.

“Kuotat e tre organeve të emërtesës mund të mbahen duke caktuar në mënyrë automatike përtëritjen e një kandidati, të njëjtin autoritet që e ka emëruar gjyqtarin në ikje.

Së dyti, vitet e  palëvizshëm të nisjes dhe përfundimit të mandateve nëntëvjeçare duhet të hiqen. Gjyqtarët kushtetues duhet të gëzojnë gjithnjë një mandat të plotë nëntëvjeçar, edhe nëse janë zgjedhur me pak vonesë apo kanë marrë një mandat që ka përfunduar më shpejt; ky amendament nuk duhet të krijojë probleme, me t’u hequr dispozita e rendit të emërimeve. Ky ndryshim mund ta bënte pozicionin e gjyqtarit kushtetues më tërheqës ndaj kandidatëve të kualifikuar dhe gjithashtu më kuptimplotë”, rekomandon më tej Venecia, ndërsa në fund përsërit nevojën absolute për dialog dhe bashkëpunim luajal mes institucioneve të shtetit.

“Mandati dhe pushteti i institucioneve të shteti duhet të  respektohet në mënyrë që ata të përmbushin objektivat  e përligjura institucionale, gjithnjë duket kërkuar përfitimet më të mira për qytetarët. Ashtu siç presidenti i Komisionit të Venecias ka insistuar së fundi në rastin e Armenisë: “Kultura demokratike dhe pjekuria kërkon vetëpërmbajtje institucionale, besim dhe respekt të ndërsjellë mes institucioneve të shtetit”, përfundon raporti, i cili më shumë sesa zgjidhje ka dhënë rekomandime për procedurat në të ardhmen.

Gjashtë  pyetjet e Kuvendit për “Venecian”

Në letrën e firmosur nga Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi për Presidentin e Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio, parashtrohej gjithë ajo që kishte ndodhur me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe përzgjedhjen e kandidaturave për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas drejtohen 6 pyetje.

Kuvendi iu drejtua për opinion Komisionit të Venecias më 30 dhjetor. Në letër thuhet se më 5 dhjetor “Kuvendi ka zgjeruar objektin e hetimit” të komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe “afatin e veprimtarisë së tij, nisur nga një kërkesë e re e një grupi deputetësh për të shtuar në procesin hetimor dhe disa akte dhe veprime të tjera të Presidentit në lidhje me emërimin e gjyqtarëve kushtetues ndodhur në nëntor të këtij viti, për të cilat kërkuesit çmojnë se Presidenti ka kryer shkelje të detyrimeve kushtetuese dhe përbëjnë shkak për shkarkimin e tij”.

PYETJET

Ndërsa komisioni hetimor vijon punën sipas objektit të hetimit, ka lindur nevoja të kërkohet mendimi i specializuar në lidhje me disa çështje mbi sa parashtrohet më sipër.

Konkretisht, Kuvendi i Shqipërisë do të vlerësonte shumë opinionin e Komisionit të Venecias, si për pyetjet sa më poshtë, ashtu edhe për çdo çështje tjetër që lidhet me rastin në shqyrtim:

  1. Emërimi i një gjyqtari kushtetues tej afatit prekluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi a cenon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj? Sa e pajtueshme është me konceptin e një “gjykate të caktuar me ligj”, siç parashikohet në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zgjedhja e një gjyqtari në kundërshtim me procedurën kushtetuese dhe ligjore?

 

  1. A ndikon situata e paraqitur në pyetjen e parë në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancitë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor? A bie ndesh kjo me opinionin e Komisionit të Venecias të datës, 14.03.2016, për mekanizmat zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese?

 

  1. A është në përputhje me standardet më të mira, zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar gjyqtari kushtetues?

 

  1. A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai/ajo në kuptim të ligjit konsiderohen të emëruar? Në këtë rast, a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?

 

  1. Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim një formë për të plotësuar kushtin e betimit, për të filluar ushtrimin e detyrës, në situatën kur gjyqtari është emëruar në detyrë për efekt të ligjit?

 

  1. Cilat mund të ishin zgjidhjet sipas standardeve më të mira ndërkombëtare për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin?

Presidenca: Nuk komentojmë raporte konfidenciale

Pas publikimit të draft-raportit përfundimtar të Komisionit  të Venecias mbi gjyqtarët e Kushtetueses, pati një reagim të zëdhënësit të presidentit Meta, Tedi Blushi.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, siç rikonfirmoi qartë sot, ka zbatuar vetëm Kushtetutën që ka shkruar "Venecia" me dorën e saj për Gjykatën Kushtetuese në vitin 2016.

Institucioni i Presidentit as nuk rrjedh raporte konfidenciale dhe as i komenton ato.

Institucioni i Presidentit komentet finale për "Venecian" do t'i bëjë publike përpara Opinionit Final në mënyrën më transparente.

I ftojmë dhe aktorët e tjerë t'i bëjnë publike arsyetimet e tyre të mjera dhe politike.

Për presidentin Meta, Kushtetuta është e praprekshme dhe ligji më i lartë në republikën e Shqipërisë”, shkruante Blushi. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH