Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimet e qeverisë për prishjen e Teatrit Kombëtar, Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Posaçme, SPAK “të arrestojë menjëherë Erion Veliajn”.
Në një reagim për mediat, deputetja e zgjedhur Albana Vokshi u shpreh: “Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe sot SPAK duhet ta tregojë këtë duke arrestuar menjëherë Erion Veliaj, autorin dhe përgjegjësin direkt të shembjes së Teatrit, i cili ka shpërdoruar detyrën dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit ka shkatërruar një pasuri kombëtare”.
Sipas Vokshit, “shpallja antikushtetuese e ligjit për ndërtimin e teatrit me PPP, që grabiste pronën publike, dhe vendimi për kalimin e Teatrit nga Ministria e Kulturës te Bashkia bën nul çdo vendimmarrje të Këshillit Bashkiak dhe Erion Veliajt mbi një pronë që nuk ju takon. Ky vendim është i paligjshëm”.
Kujtojmë që Gjykata vendosi pezullimin e ndërtimit të godinës së teatrit të ri kombëtar deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Kushtetueses.