Aktualitet

UET themelon për nder të Bakallit Interdisciplinarity Research Group

Shkruar nga Liberale

Në tri vjetorin e ndarjes nga jeta të profesorit, studiuesit e ish-deputetit Gilman Bakalli, UET në nder të tij ngre grupin e kërkimit shkencor ndërdisiplinar “Interdisciplinarity Research Group”

Elda Dedja

Siç shumë miq e kolegë e përshkruajnë ai ishte një njeri me vlera të veçanta, një lektor dhe studiues i dalluar për origjinalitetin e mendimit dhe karakterit. Në tri vjetorin e ndarjes nga jeta të Gilman Bakallit, UET në nder të tij ngre grupin e kërkimit shkencor ndërdisiplinar “Interdisciplinarity Research Group”.

Kjo është një strukturë e përbërë nga 15 profesorë të shquar të Universitetit, me një karrierë të gjatë në botën akademike. Të sprovuar ndër vite në sfidat e kërkimit shkencor, të gjithë këta pedagogë spikasin në fushat e tyre të studimit. Një grupim me karakter ndërdisiplinar, që nga inxhinierë tek fizikantë, nga juristë tek historianë, nga ekonomistë tek studiues të kulturës, që do të mblidhen në mënyrë të përjavshme për të shkëmbyer ide, hartuar policy papers e për të nxitur debate publike. Është pikërisht ky grup që drejton dhe menaxhon revistat shkencore të UET, të cilat shumë shpejt do të bëhen pesë, duke respektuar specifikën e çdo fakulteti.

Në këtë mënyrë këto revista si dhe Qendrat e Kërkimit janë hapësirë e shtuar në të cilat 5 Fakultetet e UET mund të zhvillojnë më tej identitetin e tyre. Ky projekt ka thuajse gjashtë muaj që shtjellohet si ide dhe ditën e hënë ka marrë formën e tij përfundimtare. Profesori i Komunikimit Gilman Bakalli, është ndër ato personazhe të spikatura të modernitetit shqiptar, shembull dhe frymëzim për shumë studentë e kërkues të rinj, dhe me krijimin e këtij grupi ndërdisiplinar shkencor që mban emrin e tij, UET e vlerëson atë si një simbol në fushën e dijes, kulturës dhe qytetarisë.

Kryetari i Bordit të Administrimit në UET, Henri Çili u shpreh se ky grup mban emrin e pedagogut të nderuar, për shkak se ai ishte ndërdisiplinar, një kërkues i vërtetë shkencor dhe nxitës i komunitetit.

“Ndonëse Glimani ishte individualist, ai nxiste gjithmonë një komunitet, një grup rreth vetes sepse shkëmbente, merrte dhe jepte impulse intelektuale, debatonte, e shkenca është komunitet. Gilmani ishte me të vërtetë kërkues, por jo një kërkues aplikativ që përpiqet që çdo projekt kërkimor ta organizojë rreth një honorari apo konsulence pasi këtë ai e luftonte fuqimisht. Gilmani ishte kërkues shumë i mirë shkencor, sepse ato çfarë shkruante ishin të një finese të lartë, reflektonin një kulturë, thellim dhe pikëpyetje mbi botën. Ndërkohë që nëse kemi një individ që zotëronte disa veti në të njëjtën kohë, njihte shumë mirë disa disiplina në të njejtën kohë, që nga formimi i tij, profesionet e shumta, interesi i gjërë intelektual, nga librat që kishte përkthyer, nga doktoratura që kishte realizuar, nga mënyra si fliste, ishte Gilmani. Ishte interdisiplinar, që në gjykimin tim është shkenca e vërtetë sepse është e pamundur që ne t’i qasemi një problem në mënyrë aq specifike, pa e parë atë më gjerë dhe të lidhur me disiplinat e tjera.”

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, gjithashtu theksoi vlerat e rralla të profesor Bakallit, duke u shprehur se ky grup kërkimor e ka për qëllim punën cilësore edhe në nderim të kujtimit të tij.

“Avancimi i jetës kërkimore, dhe krijimi, gjallërimi i jetës së këtij forumi për të nxitur debate në shoqëri mbi sfidat me të cilat përballet ajo, mendoj se do jetë një kujtim dhe nderim i vërtetë dhe për vetë kontributin që Gilmani ka dhënë jo vetëm si njeri i mendimit por mbi të gjitha edhe si një aktivist i rëndësishëm politik. Edhe ata që nuk kanë mundur ta njohin Gilmanin në auditorët e universitetit kanë patur mundësi ta ndjekin kontributin e tij të jashtëzakonshëm në foltoren e Parlamentit të Shqipërisë dhe si aktivist i rëndësishëm i jetës publike shqiptare për të ndihmuar në avancimin dhe prosperimin e fateve të vendit tonë. Uroj që puna jonë në universitet të shërbejë si një simbolikë e rëndësishme për të respektuar përherë kujtimin e Gilmanit.”

Prof. Dr. Tonin Gjuraj, Zv. Rektor i UET por njëkohësisht mik i ngushtë me të ndjerin Gilman Bakalli u shpreh se ky është ndër të tjera një moment reflektimi, mbi ato çfarë ai la pas.

“Është një moment kujtese, kujtojmë kolegun, mikun, bashkë-udhëtarin tonë. Ishte një rrugëtim i shpejt ai i jetës së tij, i qeshur, i hapur e i çiltër si vetë Gilmani. Irena ka bërë një punë të jashtëzakonshme në mbledhjen e punës së tij, dhe një libër shumë i rëndësishëm është Alfabeti i Tranzicionit në të cilin Gilmani qëllimisht merr një fjalë kyçe ‘njeriu i lirë’. Kishte parasysh veten e vetë, pasionin që ai kishte, kërkuesin e lirë, në kuptimin origjinal të kësaj fjalë dhe prandaj e ka dalluar nga disa fjalë të tjera. Ishte universitar i vërtetë në kuptimn që mbart kjo fjalë që në origjinën e vetë. Kishte koherencë në qëndrime, ishte shumë-disiplinar, nuk ka pasur kurrë etje për një lloj akademizmi apo intelektualizmi fasadë, donte diçka të vetën, origjinale dhe kur e kishtë të natyrshme...”

Ndërkohë që Znj. Irana Bakalli, bashkëshortja e tij, duke falenderuar dhe përgëzuar universitetin për këtë grup kërkimor të ngritur në ndër të personit të tij, u shpreh se: "Gilmani është një vlerë që kthehet, unë kështu e mendoj dhe jam e bindur se kështu e mendoj edhe ata që e kanë njohur.”

Ky grup kërkimor shkencor është një nga piketat e kërkimit shkencor, por UET këtë të fundit e ka pasur gjithnjë në fokus ndaj edhe ka investuar në krijimin e një plani 5 vjeçar kërkimor “Shqipëria Inovative” i cili është në prag të përmbylljes, për të ardhur projektin e ri “Universiteti, Kërkimi dhe Zhvillimi i Tregjeve”, revistat shkencore të botuara si në shqip ashtu edhe në anglisht, Qendrat e Kërkimit të Fakulteteve, njësitë kërkimore si dhe Ditët e Studimeve Shqiptare e cila është një konferencë e përvitshme shkencore. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH