Aktualitet

UET - Honoris Causa për poetin e fjalës dhe të imazhit, Petrit Rukën

Shkruar nga Liberale

Universiteti Europian i Tiranës, në vitin e tij të 15-të akademik, dha titullin e 15-të “Doctor Honoris Causa”. Me propozim të Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET, ky vlerësim iu akordua poetit e kineastit të njohur z.Petrit Ruka, ngjarje që u shoqërua me daljen në dritë të librit të tij më të ri, nga botimet UETPRESS - 15 balada arbërore “Andej baltë, këtej erë”. Universiteti Europian i Tiranës i akordoi të mërkurën titullin e 15-të “Doctor Honoris Causa”, shkrimtarit, skenaristit dhe regjisorit të njohur, z. Petrit Ruka. Ceremonia u zhvillua me pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, Ministres së Kulturës, Elva Margariti, si dhe personaliteteve të nderuara të artit, kulturës dhe shkencës, rektorë universitetesh, staf akademik, miq dhe dashamirës të poetit. Në kushte pandemie, Universiteti Europian i Tiranës në traditën e tij të krijuar prej 15 vitesh, mori përsipër të realizojë një ceremoni të tillë vlerësimi dhe mirënjohjeje, për t’i shtuar hollit të famës personalitetin e15-të dhe të parin e fushës së letërsisë dhe artit. Sepse mbi të gjitha fjala, arti, kultura, nuk vdesin kurrë, sfidojnë çfarëdolloj pengese dhe mbeten ndër breza trashëgimia e një populli, e një shoqërie. Me propozim të Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, dhe veçanërisht me rekomandimin e dy pedagogeve, Edith Mihali dhe Nevila Nika, Uiversiteti Europian i Tiranës i akordoi titullin “Honoris Causa” z.Petrit Rukës, me motivacionin:“Për përmasat krijuese dhe intelektuale, që shtrihen në një diapazon të gjerë, me prirje dhe kahje në gjini e zhanre të ndryshme artistike, jo vetëm në kohët e sotme, por në të gjitha epokat historike dhe periudhat e ndryshme të zhvillimit kulturor. Janë të rralla rastet kur një artist krijues njeh, zotëron e lëvron me mjeshtëri artin e fjalës”.

Selami Xhepa: Universiteti, vendi i merituar për nderimin e personaliteteve

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhema, në fjalën e hapjes së ceremonisë së nderimit, falenderoi pjesëmarrësit dhe shprehu kënaqësinë që personaliteteve të nderuara nga UET, iu shtohet edhe një personalitet i letrave dhe kulturës shqiptare. Xhepa vlerësoi rolin e universiteteve, si institucione ku ngjizet progresi i një shoqërie, teksa veçoi Universitetin Europian të Tiranës, në zhvillimin e projekteve që i shërbejnë jo vetëm kërkimit shkencor, por edhe zhvillimit kulturor. “Universitet përherë kanë qenë agora ku janë debatuar dhe zhvilluar dijet, ku janë prodhuar vepra dhe është përsosur kultura dhe identiteti i një kombi, është ngjizur progresi dhe përparimi i një shoqërie, prandaj edhe është vendi i merituar ku duhet të nderohen dijetarët dhe të gjithë ata që me veprën e tyre i shtojën pasurisë së kombit më shumë vlera. Kërkimet kanë provuar dhe historia dëshmon se universitet dhe qendrat e kërkimit shkencor kanë formësuar të ardhmen e shoqërive, ato kanë përcaktuar aftësinë e një vendi për të konkurruar, mirëqenien e shoqërisë dhe pozitën e tij në strukturën komplekse të një bote gjithnjë e më të globalizuar. Ato janë fondamentale për arritjen e  prioriteteve kombëtare, kur ato i kërkohen dhe kur arrijnë të integrohen në rrjetin e institucioneve që duhet të thonë fjalën e tyre për sfidat e vendit. Politikat publike të bazuara në prova empirike janë një moto e mirëqeverisjes dhe ku ka më shumë se tek universitetet dhe institucionet kërkimore që mund të gjenden asetet e kërkuara për këtë qëllim. Kërkimet në fushat e arteve e humaniteteve dhe shkencave sociale janë një burim qendror dhe stimul për arritjet kulturore, prezantimin dhe ruajtjen  e një mjedisi historik, të cilat mishërohen gjithnjë e më shumë në normat e kulturës popullore. Zhvillimi dhe përdorimi i tyre, si një mjet për të rritur ndërveprimin, mirëkuptimin me kulturat,  besimet dhe shoqëritë e tjera, po bëhen një imperativ gjithnjë e më urgjente. UET, si një universitet i ri i artit dhe kulturës ka filluar të zhvillojë një mori projektesh që i shërbejnë jo vetëm kërkimit shkencor në fushat e shkencave, por edhe në zhvillimin kulturor dhe të kujtesës historike të vendit. Këto projekte e plotësojnë rolin e universiteti në shoqëri”, u shpreh Xhepa.

Tonin Gjuraj: Gjurma e Petrit Rukës do të forcohet ndër breza

Rektori i UET, Prof. Dr. Tonin Gjuraj teksa lexoi motivacionin e dhënies së këtij titulli, u ndal edhe tek libri i fundit i Petrit Rukës, 15 balada arbërore “Andej baltë, këtej erë”, botim i UET PRESS. Gjuraj e cilësoi veprën si xhevahirin e radhës të një autori që  skalit emrin në kujtesën më të gjallë të këtij populli.

“Petrit Ruka, siç dëshmon edhe me botimin më të ri të UET PRESS - përmbledhjen e tij poetike me 15 Balada Arbërore -  skalit emrin e tij në kujtesën më të gjallë të këtij populli, duke i ngjallur tharmin e identitetit – këngët e djepit, legjendat, folklorin e jashtëzakonshëm. Ky është xhevahiri i radhës në gjithë veprën e tij të gjatë në disa lëmi të artit, siç u njohëm edhe nga kolegët. Uroj që ky kontribut të na vlejë të gjithëve, për të kthyer vëmendjen dhe zemrën nga disa vlera të patjetërsueshme që bartin trashëgiminë tonë më të mirë, sa edhe aspiratën për të ardhmen – të kultivojmë të bukurën!  Petrit Ruka e ka bërë këtë me një përkushtim të përkorë, duke lënë një gjurmë që vetëm do të forcohet ndër breza”, tha Gjuraj.

Politika ‘zbret’ në UET për Petrit Rukën

Në ceremoninë e nderimit të Petrit Rukës me titullin “Doctor Honoris Causa”, ishin të pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Rinisë, Evis Kushi, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, të cilët theksuan kontributin e poetit, shkrimtarit, skenaristit, dhe vlerësuan universitetin për një nderim të tillë që i bëhet një figure të papërsëritshme për shoqërinë shqiptare.

Edi Rama: Petrit Ruka, një qenie e rrallë në mexhelisin e kulturës dhe të artit tonë

Kryeministri Edi Rama, shpalosi spontanitetin e tij, duke mos pranuar të lexojë fjalimin e përgatitur, por duke thënë fjalë zemre, nderimi dhe vlerësimi për “një qenie e rrallë në mexhelisin e kulturës dhe të artit tonë”. Kryeministri u shpreh se kjo ishte hera e parë që pranonte të ishte i pranishëm në një ceremoni të tillë, teksa shkëputi disa vargje nga poezia e Rukës “Poetët”.

Poetët-njerëz të ligj, shtetet gjithmonë i shajnë, Sillen me ta si me gratë, zihen dhe i ndajnë, Pastaj prapë u bëjnë këngë, për ta zënë dhe qajnë.

Rama u shpreh se Ruka nuk është i famshëm dhe se është autori më i gabuar për t’u bërë i famshëm, por mbetet nga ata autorë që do të jenë aty për gjenerata e gjenerata.

“Unë nuk jam këtu i dashur Petrit për të të ndarë nga askush dhe për të të marrë për vete, ashtu si më vjen mirë që të paktën deri më sot nuk më ka qëlluar që të shaj apo të grindem me ndonjë poet. Kjo nuk ndodh sepse jetojmë në një vend ku nderi i emri poet, shkrimtar, artist, personalitet, është një nder që bëhet rëndom dhe kryesisht mendimi im është se kush e bën këtë nder, përpiqet të lartësoje veten e vet referuar adresës ku bën nderin. Unë jam këtu, sepse Petrit Ruka është patjetër një poet, patjetër shkrimtar dhe patjetër skenarist, por është një qenie e rrallë në mexhelisin e kulturës dhe të artit tonë, një autor të cilin nuk e gjen me lehtësi siç i gjen të famshmit e të gjitha llojeve, që nga ata të llojit që meriton famën, te ata që famën e kanë të pamerituar apo sponsorizuar, stimuluar, të vet-krijuar. Petriti nuk është i famshëm. Është një autor që nëse hapësirën ku gëlon produkti bashkëkohor i artit dhe kulturës sonë do ta konsideronin si pazar, nuk e gjen në pazar, duhet ti shkosh në shtëpi. Duhet ti shkosh në shtëpi dhe duhet të presësh me durim që mes shumë orendive krejt të zakonshme, siç është dhe shtëpia, t’i gjesh librat dhe ka shumë orendi krejt të zakonshme në gjithë këtë pazar dhe lagjen e artistëve dhe të krijuesve të të gjitha llojeve, të cilat ekspozohen në të gjitha format dhe e bën edhe më të vështirë që të takosh krijimtarinë e Petrit Ruka. Për hir të vërtetës, nëse më pyesni mua personalisht që sa tituj mund të shtoj në krijimtarinë e tij, me siguri do rreshtoja shumë më pak se shumëkush që pa kursim do t’ia jepte të gjitha lëvdatat. Ajo që është e jashtëzakonshme është se vargjet, sidomos vargjet, por edhe të tjera krijime të Petrit Rukës i gjen duke qëmtuar dhe duke t’u shfaqur para syve papritur, pasi ke qëmtuar dhe duke kaluar në këto me dëshirën që të rikthehesh përsëri. Është autori më i gabuar për t’u bërë i famshëm, por jam i bindur që është një ndër ata autorë që do të jenë aty për gjenerata e gjenerata e kur të famshmëve do u jetë harruar emri, do u jenë harruar veprat e patjetër që do u jetë tretur dhe fama. I tërhequr, i mirë ulur në gurin e tij dhe i dhënë në një mënyrë që ndihet në çdo varg të tij, në çdo vepër të tij, pa kushte tek krijimtaria e tij duke të lënë të ndjesh se bëhet fjalë për një autor që me veten merret shumë pak, me emrin e tij mbase dhe më pak. Nëse më pyesni mua personalisht, sesa tituj mund të rreshtoj nga krijimtaria e tij, me siguri do të rreshtoja shumë më pak sesa shumëkush. Vargjet por edhe të tjera krijime të Rukës, i gjen duke qëmtuar, jo duke u shfaqur pa arsye, papritur, i gjen vetëm duke kaluar në to, me dëshirën që t’iu rikthehesh përsëri. Është një nga ata autorë, që do të jetë aty, për gjenerata e gjenerata që do vijnë. Titulli është i merituar, por mua më duket se është aq i merituar, sa nuk është një vlerë e shtuar për të, duke parë sesa shumë tituj që jepen. Ka një tipologji shumë të veçante, jo se është i vetmi apo i pari që përpiqet të shtrihet në të gjitha fushat ku krijuesi shtrihet me fjalë, por se ka një kapacitet transformues të jashtëzakonshëm në qenien e tij, duke kaluar nga një zhanër në tjetrin e duke i dhënë çdo zhanri diçka që është vërtet origjinale e për t’u admiruar”, u shpreh Kryeministri.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi: Njerëzit me vlera, diamantet e shoqërisë

Për Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushin, kjo ishte ceremonia e parë e dhënies së një titulli të tillë, që prej marrjes së detyrës së saj në muajin shtator, prandaj ajo u shpreh e nderuar për prezencën e saj. Kushi tha se titujt janë simbolikë dhe mbeten të vegjël përballë madhështisë së figurave që nderohen, por promovimi i vlerave na bën njerëz më të mirë dhe qytetarë më cilësorë. Kushi u ndal edhe në krijimtaria e Rukës, ku e falenderoi “për kontributin që keni dhënë vlerë-plotë dhe voluminoze poetike si dhe atë artistikë në kinematografike”. “Ndjehem e nderuar që marr pjesë në këtë ceremoni për shkrimtarin, skenaristin, regjisorin që ka lënë gjurmë të skalitura në artin shqiptar. Titujt e nderit janë simbolikë e një kontributi të vyer që një individ jep në një shoqëri, por titujt shpesh herë mbeten shumë të vegjël në krahasim me atë kontribut, në krahasim me madhështinë e njëherazi përunjësinë që këta njerëz kanë, me veprën që ata lënë pas, me jetën e pasur produktive. Këta njerëz na shërbejnë si shembuj frymëzimi në shoqëri. Aristoteli na mësion një të vërtetë shumë të thjeshtë: Asnjëherë nuk duhet të harrojmë atë që na mban së bashku, vlerat që ndajmë. Për këto vlera duhet të këmbngulim, t’i promovojmë, t’i stimulojmë. Kjo na bën njerëz më të mirë, qytetarë më cilësor, rini më të vetëdisjshme në shoqëri. Njerëzit e dobishëm, njerëzit me kontribute, njerëzit me vlera, janë diamantet e shoqërisë. Ata duhet të vijojnë të jenë yje orientuese për të gjithë shoqërinë në përgjithësi dhe për rininë në veçanti. Figurat e rëndësishme të kombit tonë, janë djep i trashëgimisë që ne kemi. I nderuar z.Petrit Ruka më lejoni t’ju falenderoj në cilësinë e Minisistres së Arsimit dhe Rinisë për kontributin që keni dhënë vlerë-plotë dhe voluminoze poetike si dhe atë artistike në kinematografike. Ju si poet përdorni elementin e rëndësishëm të maturimit të poezisë. z.Ruka i ka kushtuar rëndësi edhe gruas shqiptare, si burim jete me veprën “Shami të zeza qiellore”, tjetër vepër perlë, himn i gruas shqiptare. Ruka e ka trajtuar magjinë e baladave shqiptare me mjaft mjeshtëri, i ka trajtuar fjalët si margaritarët e vegjël, që vendin për ta goditur dhe dhënë formën perfektë, e gjejmë mr shumë vështirësi, sepse siç thotë z Ruka, ata margaritarë edhe mund të thërrmohen, mund të prishen. Dua të falenderoj edhe UET për dhënien e titullit për këtë njeri me vlera për shoqërinë dhe kombin tonë”, tha Kushi.

UET nderon artin dhe kulturën

Fjalën në ceremoni e morën edhe dy profesorët qe rekomanduan dhënien e këtij titulli për nderimin e figurës së Petrit Rukës. Ish-rektorja e UET, Nevila Nika tha se ky titull u rekomandua për të vlerësuar krijimtarinë e përhapur, gati në të gjitha gjinitë dhe zhanret e letërsisë dhe kinematografisë, për gjeneratat e ndryshme. Profesorja e UET-së, Edith Mihali nënvizoi se poezitë e Rukës të bëjnë të përjetosh motivet e Shqipërisë së dikurshme, e njëkohësisht të bëjnë të kridhesh në kohët moderne. Teksa e vendosi emrin e poetit pranë figurave të njohura botërore, si Bob Dylan apo Walt Whitman, Mihali u shpreh, se “ky vlerësim ka peshë të pazakontë, sepse në të ndihet graviteti i tokës dhe harmonia e zërave të personazheve të tu dhe i shpirtrave të tyre që prej motesh shtegtojnë qiejve”.

Mes miqve të shkrimtarit, regjisorit dhe skenaristit, që përshëndetën dhënien e këtij çmimi, ishte Bujar Kapexhiu dhe Pëllumb Kulla, të cilët çmuan Rukën jo vetëm si krijues, por edhe në një rrafsh më personal, duke njohur njeriun brenda tij. “Petrit Ruka përbën një nga njohjet, një nga zbulimet më të bukura në jetën time prej njeriut që konsumon letërsinë dhe artet. Petrit Ruka më ka pasuruar mua shpirtërisht, sepse e njoha si poet, e njoha si mik, e njoha si artist. Ai është poeti i dashurisë. Dashuria e tij është universale, një dashuri për gjithçka të bukur, për folklorin, për legjendat, për vendin, për fshatin, për Vjosën, për arbëreshët, për këngët kosovare”, tha Kulla, përmes një lidhje via skype nga Florida. Titulli u dorëzua mes një momenti solemn, nën tingujt e himnit  më të njohur të përdorur nga universitet europiane “Gaudeamus Igitur” (Kështu që le të gëzohemi), për të gëzuar një ngjarje të tillë, siç thonë edhe vargjet e tij. Me zërin e prekur prej emocioneve dhe nderimit, Petrit Ruka falenderoi të pranishmit, duke veçuar disa prej emrave që e shoqëruan gjatë krijimtarisë së tij. Ruka e cilësoi praninë e personaliteteve të të gjitha fushave në këtë ceremoni, si një akt nderimi dhe vlerësimi ndaj letërsisë, artit dhe kulturës shqiptare. “Të gjithë së bashku po vëmë edhe një gur tjetër në institucionin e mirënjohjes ndaj kulturës, që mbase është bërë më pak e shndritshme në këtë vend”, tha Ruka. Nderimi i Petrit Ruka vjen pas vlerësimit me këtë titull të 14 personaliteteve të nderuara ndër të cilët Nobelisti i ekonomisë Yonus, lordi Giddens, filozofi anglez Roger Scruton, diplomati Christofer Hill, filozofi francez Luc Ferry, avokati Khan, apo shkrimtari ynë i madh Dritëro Agolli. /Gazeta Liberale      

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH