Dossier

Turdiu, kirurgu që shërbeu në Zagreb dhe u vlerësua nga Presidenti

               Publikuar në : 17:46 - 06/04/20 liberale

Tarik Llagami

Memorie.al publikon historinë e panjohur të djaloshit tiranas, asistent i mjekëve të njohur kirurg, Dr. Loci dhe Frederik Shiroka, i cili pasi kishte nisur studimet në Torino që para Luftës, në vitin 1947 u dërgua të studionte në Zagreb dhe pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare në mes Tiranës dhe Beogradit, ai nuk u kthye më në atdhe, por vazhdoi studimet dhe u diplomua në Fakultetin e Mjeksisë së Universitetit të Zagrebit. Karriera  35 vjeçare e Dr. Turdiut, kirurgu i talentuar që e mbylli jetën larg atdheut në vitin 1982 me mallin për vendlindjen, në vlersimet e kujtimet e miqve e kolegëve të tij, si dhe konsiderat e larta të ish-presidentit kroat, Franjo Tuxhman, i cili në një takim me të afërmit e Turdiut, u shprehu atyre falenderimet e thella për shërbimet që Dr. Faiku i kishte bërë popullit kroat.

Këto ditët e fundit pas shfaqjes së kësaj pandemie që ka prekur Shqipërinë dhe pjesën më të madhe të botës, në ekranet televizive kemi parë shumë mjekë shqiptarë që shërbejnë në klinika të ndryshme anë e mbanë botës, duke dhënë kontributet e tyre të vlefshme edhe në këtë situatë kritike që po kalojmë. Por edhe para viteve ’90-të, ka pasur mjekë shqiptarë mjaft të talentuar, që për shkaqe nga më të ndryshmet, kanë dhënë kontributet e tyre jashtë atdheut, dhe nisur nga ky fakt, regjimi komunist i kishte mohuar këta njerëz, duke ushtruar mbi ta luftën e ashpër të klasave dhe duke i mbështjellë me terrin e heshtjes me qëllim që të harroheshin përgjithmonë në atdhe. Njëri prej këtyre është Dr. Faik Turdiu, me origjinë nga Tirana, një kirurg i mrekullueshëm, primarius i spitalit kryesor të Zagrebit, ku punoi për 35 vjet me rradhë.

Kush ishte Faik Turdiu?

Faiku lindi më 11 prill 1919 në Tiranë, në familjen Turdiu, njëra  ndër më të vjetrat e më të njohurat të këtij qyteti, e cila ka lënë gjurmë në zhvillimin e kulturës, të arsimit dhe të shkencës shqiptare. Te Faiku ndikuan shumë faktorë që ai të mbruhej me ndjenjën e qytetarisë dhe të atdhedashurisë. Ai lindi dhe u rrit në gjirin e dy familjeve: Turdiu nga i ati dhe Llagami nga e ëma. Nuk ka dyshim që më vonë vitet e shkollimit dhe rrethi shoqëror ushtruan ndikim pozitiv, duke i dhënë hapësirë dhe kuptim të ri këtyre nocioneve tek ai. Që në fëmijëri dhe më pas, kur ishte nxënës në shkollën fillore, ai shfaqi shkëndija zgjuarësie që premtonin, si dhe kurreshtje e vullnet për të mësuar. Ai i adhuronte dy vëllezërit më të mëdhenj, Bilalin dhe Qazimin, dhe përpiqej të bëhej si ata. Arritjet e tyre në shkollim do t’i shërbenin si shembull frymëzimi dhe do t’ia shtonin ambicien për të marrë dituri.

Vitet kalonin dhe Faiku energjik e i palodhur mbaroi Gjimnazin e Tiranës me rezultate të larta dhe me një ëndërr të bukur: të bëhej mjek, sepse vetëm në këtë fushë, ishte i bindur, mund t’u jepte shumë popullit dhe atdheut. I ati, Mahmud Turdiu, një baba autoritar në familje dhe me vështrim të qartë për arsimimin e djemve, ia plotësoi dëshirën. Në vitin 1940 e dërgoi të studionte për mjekësi në Universitetin e Torinos. Erdhën, pastaj, tre – katër vite pune (1943 – 1947) si ndihmësmjek në Spitalin e Tiranës, pranë kirurgëve me emër, Prof. Locit (italian) dhe Dr. Frederik Shirokës. Këta i vlerësuan shumë prirjen dhe aftësitë që Faiku shfaqte, megjithëse nuk i kishte mbaruar studumet e larta mjekësore. Ata e mbajtën afër, madje i besuan edhe operacione të vështira që ai i kreu me sukses. Gjatë këtyre viteve, Faiku shpeshherë nuk kthehej në shtëpi. Mungesën në familje e justifikonte duke thënë se bënte roje në kirurgjinë e spitalit, por në të vërtetë ai mjekonte partizanë të plagosur të shtruar ilegalisht.

Student i mjeksisë në Zagreb

Në shtator të vitit 1947 atij iu akordua e drejta për të përfunduar studimet e mbetura përgjysmë në universitetin e Zagrebit. Më 1948 ndodhi prishja e marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë. Shokët e Faikut i dërguan të studiojnë në vendet e lindjes për të vazhduar studimet, kurse këtij i thanë të kthehej në Shqipëri. Ai qëndroi në Zagreb dhe kjo ia mbylli rrugën përgjithmonë për të punuar në vendin e tij. Eshtë për t’u shënuar se të tetë provimet që i kishin mbetur pa shlyer në Torino si dhe diplomën, Faiku i mori në Zagreb me vlerësimin “verllo dobro” (shumë mirë), ndërsa vazhdonte pa u shkëputur punën e përditshme në spital. Dashurinë për atdheun dhe bashkëkombasit kudo që ndodheshin, këtë tipar të qënësishëm të karakterit të shqiptarit të vërtetë, Faiku do ta ruante si gjënë më të shtrenjtë në Zagrebin e largët, megjithse i ndarë përsëgjalli prej fatit të hidhur nga dheu amtar, nga të afërmit, nga miqtë e shokët, nga njerëzit e gjakut dhe të gjuhës së përbashkët.

Në rrethanat që iu krijuan dhe duke qenë në pamundësi për t’ua dhuruar djersën, aftësitë dhe përkushtimin të sëmurëve të Shqipërisë, siç pati ëndërruar, Dr. Faiku e lidhi të ardhmen e tij profesionale e humane me njerëzit bujarë të Zagrebit, sepse mjeku i vërtetë nuk mund të ketë preferenca ose pacientë të privilegjuar. Mbasi mjekësia dhe mjeku, më së pari, janë humane dhe nuk njohin kufij shtetërorë, kombëtarë, racorë, fetarë etj. Dr. Faik Turdiu i donte shumë të sëmurët, i ndjente dhimbjet e tyre dhe bëhej njesh me ta, pavarësisht nga ishin dhe nga vinin. Ka pasur raste që të qëndronte edhe dy ditë te koka e të sëmurit, pa u shkëputur asnjë çast prej tij. Duke njohur këtë veçori të Dr. Faikut, drejtoria i kishte vënë në dispozicion një dhomë në spital. Në mënyrë të veçantë, ky vigan e stoik, gëzonte respekt, nderim dhe dashuri të jashtëzakonshme ndër shqiptarët me banim në Zagreb dhe te të tjerët që  i vinin nga të katër anët e ish – Jugosllavisë. Muhamed Aliu, një shqiptar me banim në Zagreb, adhurimin për Dr. Faikin e shprehte duke mbajtur gjithmonë një tryezë të rezervuar vetëm për atë. Kur hynte Dr. Faiku në këtë lokal-pastiçeri, të gjithë klientët e pranishëm, shqiptarë dhe të tjerë, i ngriheshin në këmbë për ta përshëndetur dhe  për ta nderuar.

Dr. Turdiu në kujtimet e shokëve

Figurën prej qytetari e atdhetari të Faik Turdiut do të mund ta plotësojnë edhe disa imtësi kuptimplotë si këto më poshtë: Duke shpresuar në zhvillimin dhe përparimin e ardhshëm të vendit pas Luftës së Dytë Botërore, ai mori pjesë në vitin 1946 në aksionin e parë të rinisë shqiptare për hapjen e rrugës Kukës – Peshkopi si vullnetar i thjeshtë dhe si specialist i shëndetësisë për t’u dhënë ndihmë mjekësore aksionistëve. Vajzës së mikut të tij të ngushtë, Syrri Muhaxhirit, që lindi pas një operacioni të ndërlikuar, mori leje që t’i presë flokët (të bëhet nun) dhe t’i vejë emrin Shqype. Faiku e ruajti të pastër në shpirt e në zemër kurdoherë identitetin shqiptar. Për këtë dëshmon simboli kombëtar, flamuri kuq e zi, të cilin ai e mbante me vete gjithmonë në një kuti cigaresh prej sermi, dhuratë nga një mik me dedikimin “Dr. Turdiut”.

Dr. Faik Turdiu punoi me devotshmërinë e kirurgut të përkushtuar dhe me ndjenjën e shqiptarizmës në zemër deri sa mbylli sytë përgjithnjë, mjerisht jo në vendin e vet, por në Kroaci, ku puna iu çmua së tepërmi, madje jo më pak se do t’i ishte çmuar në Shqipëri. Jetës dhe punës së Faikut do të mund t’i shkonte më së miri për shtat thënia lapidare e të paharruarit Dr. Frederik Shiroka: “Edhe në qoftë se kirurgjia nuk ka atdhe, kirurgu ka”. E desh fati, pra, që të ndodhte kështu me Dr. Faik Turdiun, këtë misionar në shërbim të kirurgjisë pa kufi.

Dr. Faik Turdiu, Primariusi i nderuar, u shpërblye me mirënjohjen,  me dashamirësinë dhe me respektin më të madh prej qytetarëve zagrebas për punën e tij 35-vjeçare, pikërisht ashtu siç qe vlerësuar disa vjet përpara tij kirurgu i njohur dhe ortopedi i talentuar, krijuesi i traumatologjisë moderne shqiptare, Dr. Nazmi Shehu nga Gjirokastra, edhe ky primarius për disa vjet po në atë spital.  Për përkushtimin e admirueshëm në mjekësi, për sukseset e shumta të bisturive të këtyre kirurgëve të mëdhenj në punë dhe të thjeshtë në jetë, si dhe për kontributin që dhanë për miqësinë mes popujve shqiptar e  kroat, mendoj se ka ardhur koha që këto dy figura të shquara të mjekësisë sonë të përjetësohen në bronx te ne dhe, na e do zemra, edhe në Zagreb.

Ka ardhur koha, gjithashtu, që mjekësia shqiptare t’i përthithë dhe t’i bëjë të sajat vlerat shkencore dhe përvojen e vyer të të gjithë mjekëve të shquar, që punuan në Shqiperi dhe jashtë saj, në mënyrë të organizuar dhe të institucionalizuar nëpërmjet studiuesve të mirëfilltë dhe të pasionuar.

Vdekja e papritur

Dr. Turdiut i erdhi vdekja krejt papritur në moshën 63 – vjeçare: ndërsa ishte në punë pranë tryezës së operacionit, pësoi një infarkt të miokardit. Ndërhyrjet e kolegëve për ta shpëtuar nuk dhanë rezultat, sepse goditja e rëndë e shkëputi nga jeta pas tri ditësh, më 26 shkurt 1982. Deri ditën e varrimit, pranë arkivolit të tij të vendosur në mjediset e spitalit, bëheshin homazhe. U mbajtën, gjithashtu, mbledhje përkujtimore me ligjërata shkencore nga kolegët etj. Më 2 mars, ditën e varrimit, rreth arkivolit të tij u mblodhën shumë pacientë që kishin ndier efektin shërues të dorës së tij, kolegë, miq, shokë dhjetëra shqiptarë të ardhur me nxitim nga Kosova dhe vise të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi dhe të tjerë nga diaspora për t’i bërë nderimet e fundit dhe për ta përcjellë njeriun e tyre të dashur.

Në krye të kortezhit të përmortshëm qëndronte i vëllai, Ramazan Turdiu, me bashkëshorten, Margaritën, të ardhur posaçërisht nga Sh B A. Dhe ishin vetëm këta të dy që përfaqësuan familjen numerike Turdiu në këtë përcjellje tragjike. Pranë tyre ishin autoritete të qytetit, të prirë nga banda muzikore, kurorat e panumërta…fjalimet. Kështu Zagrebi përcolli me nderime të mëdha mjekun e nderuar shqiptar.

Por nuk ndodhi kështu në Tiranën e dashur të Faikut. Si pasojë e situatës politike paradoksale të kohës, njerëzit më të afërt nuk mundën t’i gjenden pranë në çastet e fundit dhe nuk patën mundësi të merrnin pjesë në ceremoninë mortore e të hidhnin një grusht dheu të Shqipërisë në varrin e tij. Këtu në Tiranë, pra, lajmi i zi u përhap ndër të afermit vesh më vesh. Familja nuk guxoi të çelë mortin e ta qajë haptazi birin e saj të shtrenjtë, ndërsa rrethi i miqësisë druhej t’i shkonte për ngushëllim, sepse Faiku ishte shpallur “i arratisur politik”, “armik i popullit”.

Lëmshet e lotëve në grykët e njerëzve të dashur rrodhën shpejt e shpejt një ditë mbi varrin e Aliut (i vëllai që kishte vdekur dy javë më parë), atje në Shtish Tufinë, para fotografisë së Faikut. Pas kësaj ngjarjeje, për tetë vjet radhazi, Faikun e mbuloi terri: nuk pati asnjë informacion. Vetëm më 1990, z. Syrri Muhaxhiri dhe disa shqiptarë nga Kosova, sollën të dhëna të çmueshme e dokumente personale të Dr. Faikut. Në vitin 1992, znj. Jelena Turdiu, bashkëshortja e Dr. Faikut, i dhuroi të vëllait të Faikut, Hasanit, disa sende e relike të të shoqit, gjatë një udhëtimi që ky bëri në Zagreb.

<
>
FAIK_TURDIU1 9101554 FAIK_TURDIU3 FAIK_TURDIU5 FAIK_TURDIU-5 FAIK_TURDIU-6 Franjo_Tuđman Qazim_Turdiu

Vlersimet

Presidenti Franjo Tuxhman: Dr. Faikun s’do ta harrojme se ai i shërbeu popullit kroat

Për kirurgun e famshëm tiranas, Dr. Faik Turdiu, kanë shprehur vlersimet e tyre mjaft nga shokët, miqtë, kolegët e tij, apo dhe personalitetet më të larta të shtetit kroat, si ish-presidenti Franjo Tuxhman, i cili në mes të tjerash është shprehur:

“Dr. Turdiu i ka shërbyer shumë popullit kroat; ne nuk do ta harrojmë atë”. (Franjo Tugjman, Presidenti i Kroacisë, mendim i shprehur Z. Hasan Turdiut në një takim, Zagreb, 1992). “E vështirë dhe e mundimshme që rruga e jetës e kolegut dhe e mikut tonë të dashur, Faikut. Duke dashur t’i kushtohet mjekësisë që në rininë e tij më të hershme, – vijon ai,- i rrahur nga kamxhiku i fatit të jetës dhe duke provuar tërë peshën e hidhur të saj, ai u nis në rrugën pa kthim nga vendlindja e tij, Tirana, dhe, duke kaluar nëpër Torino e Romë, arriti në Zagrebin tonë, ku edhe kreu studimet e mjekësisë. Vetëmohues në punë dhe, mbi të gjitha, i ndërgjegjshëm në punë, kreu me përgjegjësi detyrat e tij profesionale, njerëzore dhe humane. I angazhuar në kirurgji, duke jetuar me të sëmurin dhe vuajtjet e tij, kirurgjia u bë preokupimi i tij, tërë kuptimi jetësor dhe përmbajtja e jetës, kurse shtëpia, – një stacion i vogël pushimi. Edhe pse gjithnjë me mallëngjim në zemer se e kishte lënë përgjithmonë qytetin ku kishte lindur, ai u familjarizua me mjedisin ku punoi dhe kështu fitoi simpati dhe respekt. Askush nuk ia merrte për të keq shpërthimin këtij njeriu të jugut, sepse gjithnjë në fjalën e tij të fundit shfaqej njeriu humanist, i butë dhe shpirtmirë” – dhe më tej: – “këtë qytet (Zagrebin – T.Ll.) nuk e braktisi asnjëherë edhe pse pati shumë oferta tërheqëse. Këtij qyteti, të sëmurëve të tij, me punën e ndershme e të palodhshme i kushtoi tërë jetën sa punoi, tërë fuqitë mendore dhe fizike. Ndërsa ky qytet ia ktheu me të drejtën e plotë të qytetarit”.

(Dr. Shojat, Drejtori i repartit të kirurgjisë të spitalit “Dr. Josip Kajfesh”, Zagreb (Nga fjala e mbajtur në ceremoninë mortore)“.

Për koloninë e vogël shqiptare që nga Prizreni kishte zënë vend në Zagreb, Dr. Faiku ishte një figurë qëndrore, një mik, një vella i madh, që shëronte dhe këshillonte pa pushim. Ai ishte, gjithashtu, një burim krylartësie…shikohej nga këta shqiptarë si një provë e gjallë e aftësisë intelektuale të shqiptarit…”

(Prof. Sami Repishti. Nga fjala e mbajtur në Radion “Zëri i Amerikës”, Mars 1992).

 “Kanë  kaluar 10 vjet që primarius Turdiu nuk është më. Ne nuk kemi arritur ta zëvendësojmë atë nga pikëpamja profesionale. Ai ishte një mjeshtër në bisturi dhe në komponentë të tjerë të mjekësisë”

(Mendim i shprehur Z. Hasan Turdiu nga një kirurg, koleg i Dr. Faikut, Zagreb, 1992).

 “Dr. Faik Turdiu ishte pjesëmarrës në shumë konferenca ndërkombëtare duke u prezantuar me një përgatitje shkencore me ato ligjërata që ka mbajtur për kirurgjinë traumatologjike bashkëkohore duke shprehur edhe përvojën e madhe në këtë disiplinë së bashku me kolegët e tij të punës, që gjithmonë e dëgjonin dhe e respektonin”

(Prof. Dr. Flamur Tartari. “Figura të shquara të mjekësisë shqipetare” 2, fq. 93)

  “Mbas 10 vjetësh, me zemrën të rënduar nga pesha e shqetësimit se do të takohesha me Faikun jo të gjallë, por të mbuluar me mermer të zi, hodha mbi varrin e tij, në emër të familjes, dy grushta dheu të marra me vete nga Tirana për t’ia lehtësuar peshën e dheut të huaj, si edhe një tufë lulesh Mimozash, nga Shqipëria, që ai e deshi aq fort”.

(Hasan Turdiu. Përshtypje nga vizita në Zagreb më 1992).

 Memorie.al

 

Tags: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back