Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi të shtunën seancën e tretë trajnuese me mësuesit dhe drejtuesit e shkollave të mesme, në kuadër të “Këshillimi i Karrierës në Komunitet”, projekt i Institutit Europian Pashko në partneritet me Dhomën e Tregëtisë dhe Industrisë në Tiranë.
Në kuadër të projektit “Këshillimi i Karrierës në Komunitet” organizohen evente, takime, për të dhënë çmime, por dhe për të promovuar idetë e liberalizmit.
Që prej bangave të gjimnazit, nxënësit të cilët janë në prag të marrjes së vendimit për arsimimin e tyre kanë mundësinë të marrin një orientim drejt së ardhmes.
Projekti ka nisur që para dy vjetësh dhe trajnimi i parë është bërë me 105 mësues duke realizuar çertifikatën e parë të mentorshipit. Ndërsa tashmë projekti vjen i ristruktuaruar me një kohëzgjatje 5-vjeçare.
Për dhjetë javë me radhë mësues të gjimnazeve të ndryshme do të marrin pjesë në trajnim duke e finalizuar atë me një çertifikatë mentorshipi.
Nëpërmjet këtij projekti synohet që mësuesit të jenë akoma më kompetentë për të drejtuar pjestarët e komunitetit, prindërit dhe maturantët, apo dhe të tjerë në botën e biznesit, në sistemet arsimore shqiptare ose ndërkombëtare, publike apo private në mënyrë sa më profesinale që secili, kohën dhe paratë t’i harxhojnë në mënyrën më efiçente të mundshme.
I pari që e mori fjalën ishte Kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë në Tiranë, partneri i projektit
"Këshillimi i Karrierës në Komunitet", Nikolin Jaka i cili përshëndeti të pranishmit në trajnim.
Pedagogu në UET, Gert Metani tregoi një për një të gjitha mundësitë dhe dyert që të hapen nëse studion sporte.
"Gazetar sportiv, edukim fizik dhe sporte, por edhe lëndë te gazetarisë, nëse nuk ndjekin master mund t'i kesh gazetarë sportivë. Pjesa e pagesës në fund të ditës kontribuojmë midis parasë. Një arbitër futbolli në superligë paguhet deri në 45 mijë për 90 minuta nëse bën 4 ndeshje në javë llogariteni. Një instruktor paguhet nga 10 euro deri në 15 euro në varësi të kilentit që ka dhe kushteve që ofron dhe mund të punojë part time. Nëse ka mundësi të bëjë një punë të siguruar, mund të bëjë dhe këtë punë. Mësues i edukimit fizik, po ashtu edhe një pedagog me gradën më të ulët paguhet nga 55-65 mijë lekë. Një animator, mund të bëjë zumba, pilates, not është shumë i paguar. Te ne nuk është ende, por besoj se në 5 vitet e ardhshme do jenë dhe do paguhen mirë. Guida është një mundësi tjetër, pagesa që shkojnë deri në 400 euro në ditë thjesht për udhërrëfimin. Po ashtu mund të punosh instruktor palestre", u shpreh ai, ndërsa duke u nisur nga eksperienca personale këshilloi mësuesit të pranishëm në sallë që të mos druhen ta këshillojnë edukimin fizik pasi "do ia shohin hajrin".
Vitin që shkoi, Universiteti Europian i Tiranës dhe Kolegji Profesional i Tiranës firmosën një marrëveshje partneriteti, në kuadrin jo vetëm të optimizimit të burimeve financiare, teknologjike dhe njerëzore, por edhe të krijimit të kushteve sa më cilësore të edukimit dhe shkëmbimit akademik mes dy institucioneve.
I pranishëm në trajnimin e Këshillimit të Karrierës ishte edhe profesori Saimir Yzeiri, pedagog në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Kolegjin Profesional të Tiranës.
Ai tregoi të mirat dhe benefitet që sjell të ndjekurit e një shkolle profesionale.
Sipas tij nëse nuk e gjen veten në një degë të studimeve 3-vjeçare duhet ta mendosh njëherë edhe mundësinë për t'ju bashkuar ekipit të shkollës profesionale.
"Tek ne mund të ndjekësh degë të ndryshme. Profesionet më të kërkuara sot janë ato ku përfshihet dhe teknologjia. Ne në kolegj përveç anës teorike ofrojmë edhe praktika të ndryshme. Në momentin që ti përfundon shkollën, je menjëherë i aftë për tregun e punës. Ajo që e tregon më së miri është edhe ndërlodhja shumë e mirë mes akademisë dhe biznesit. Edhe unë personalisht, aktualisht kam një biznes, nëpërmjet së cilit ju jap mundësi studentëve të praktikohen dhe dy prej tyre edhe i kam punësuar. Fare lehtë me njohuritë që merr tek Kolegji Profesional mund të hapësh dhe një biznes tëndin, pasi njohuritë bazë dhe praktika nuk të mungojnë", u shpreh Yzeiri.
Nga ana tjetër edhe pedagogia Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës në UET, Silvana Sukaj bëri një prezantim të asaj që universiteti ofron për maturantët të cilët do të ndjekin këtë rrugë dhe pse duhet ta ndjekin atë.
Ashtu sikurse edhe profesoreshë Sukaj tha, degët e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës bëjnë pjesë tek profesionet klasike, ndërsa nuk la pa përmendur që janë ndër profesionet që paguhen më shumë në Shqipëri.
"Pagesat janë të larta, inxhinierët paguhen deri në një milion në Shqipëri. Profesionet e informatikës janë profesione bashkëkohore dhe studentët edhe pas përfundimit të Bachelorit mund t'i drejtohen tregut të punës", u shpreh Sukaj.
Ndërsa tregoi se mësimi në UET është i organizuar në atë formë, dhe jo vetëm i bazuar tek leksionet, por edhe në aktivitete të ndryshme siç janë të ftuarit përkatës të fushës, por edhe klube të ndryshme studentore që universiteti organizon. Një tjetër e mirë e madhe janë bursat të ndryshme që ofron që janë një ndihmë e madhe financiare për ata që duan të studiojnë.
Dekania e Studentëve në UET, Elsida Sina iu ofroi mësuesve të pranishëm në sallë testin “Gardner” përmes së cilit mund të zbulojnë mjaft elementë të maturantëve dhe nëpërmjet nivelit të inteligjencës mund t’i drejtojnë drejt karrierës së tyre.
“Një person ka shumë veçori, por duhet t’ia vesh në pah nëpërmjet disa dimensioneve. Mua si psikolog, apo kushdo që ta bëjë këtë test inteligjence më lind nevoja ta drejtoj nxënësin drejt profesionit në bazë të inteligjencës së tij”, u shpreh Sina.
Testi Gardner përfshin: inteligjencën gjuhesore, hapsinore, muzikore, logjikomatematikore, vetjake, natyrore, ekzistencialiste, trupore dhe ndërpersonale.
Në fund të trajnimit u shpërndanë edhe "çertifikatat e mentorshipit" për t'iu dhënë mësuesve dhe drejtuesve të gjimnazeve të pranishëm në sallë një pasaportë orientuese për maturantët e tyre drejt rrugës së karrierës.
Pesë sisteme të arsimit të lartë
Sistemi anglosankson
Sistemi kontinental i Europës Perëndimore
Sistemi privat (me ose pa fitim)
Sistemi shtetëror
Sistemi fetar
Shtatë fusha studimi
Talentet (degë të artit dhe sportit)
Profesionet klasike (mjek, inxhinier, avokat, ekonomist etj.
Profesionet bashkëkohore, por që nuk zgjasin shumë dhe duhet herë pas here të bësh një specializim më tepër
Menaxhimi ose biznesi të cilët të bëjnë që nesër të bësh shumë para pasi mund të hapësh një biznes
Administrata publike, sektori publik, mësuesit, etj
Polici, ushtaraku, shërbimet sekrete etj
Kleri (gati 30 mijë persona në institucionet fetare)
Si të bëj para
Kursimet bankare
Bonot e thesarit
Rroga e lartë
Biznesi i zakonshëm
Vendet e investimeve
Tregjet e reja
Krimi dhe korrupsioni (ku mund të fitosh shumë, por dhe të humbasësh më lehtë)