Editorial

Tradhëtarët janë ata!

Shkruar nga Liberale
Tradhëtarët janë ata!

Gentian Kaprata – Urbanism & Democracy

Duket se marrëzia ka marrë rrugët në këtë katundin tonë globalist. Prijësi ka shpikur një super argument për të mbrojtur ndryshimet e thella antidemokratike që po i bën legjislacionit shqiptar. Ai po na thotë se këto ndryshime ‘nuk janë për popullin, por për ligjëshkelësit’! Që do të thotë se qytetarët nuk duhet të shqetësohen fare se çfarë ligjesh bën qeveria, sepse ligjet nuk janë për ta! Dhe ky “argument” duhet të jetë shterues për gjithkënd nga shoqëria, që e njeh veten si pjesë të popullit dhe jo si ligjëshkelës. ‘Unë nuk jam ligj shkelës, pse duhet të kem frikë nga ligji që po bën qeveria?!’ Kështu është, apo jo! Qytetari nuk ka pse të ketë frikë nga ligji, përderisa nuk e shkel atë. Nga ana tjetër pse duhet të shqetësohemi për ligjëshkelësit, ata e kanë vendin në burg!

Në fakt, ky është arsyetimi më qesharak që kam dëgjuar ndonjëherë, sepse kur ligji nuk ka filluar të aplikohet nuk ekziston asnjë diferencë midis popullit dhe ligjëshkelësit. Të dyja këto grupe përputhen, sepse duhet të kemi më parë një ligj në veprim pa të kemi shkelës të tij. Njësoj si puna e kufirit, apo e një vize tjetër çfarëdo në hapësire apo në kohë, nëse ai kufi nuk është vendosur akoma, atëherë nuk mund të thuhet se dikush e ka shkelur apo kapërcyer atë.

Ligji, përveç të tjerash është edhe njësi matëse. Ai vetëm kur fillon e përdoret, mat sa prej individëve që përbëjnë popullin janë shkelës të tij! Sepse, ligji në vetvete, nëpërmjet dispozitave të tij paracakton edhe raportin potencial të shkelësve të tij, kur ai vet të hyj në veprim. Që do të thotë, se një ligj mund të shkruhet në mënyrë që të mos gjej asnjë ligjshkelës, por edhe të gjej se i gjithë populli është i tillë. Për shembull, një ligj mund të thotë se ‘asnjë i vdekur nuk duhet të dali nga shtëpia për dyzet vjet’, por mund të thotë gjithashtu se ‘asnjë i gjallë nuk mund të dali nga shtëpia për dyzet vjet’! Skenari i parë nuk do të shqetësonte askënd, por i dyti duhet të alarmonte gjithkënd, sepse mjafton të ishe pjesë e popullit dhe do të ishe ligjshkelës në të njëjtën kohë.

Edhe ligjet e Leninit, Stalinit, Hitletit, Duçes, Hoxhës, dhe të gjithë shokëve të tyre kolektivistë, për ligjshkelësit shkruheshin, por masakruan e mjeruan popuj të tërë. Është gjithmonë kështu, sepse për kolektivizmin unanimiteti është bazik, dhe duke qenë se populli nuk ka pse shqetësohet për ligjet që bën qeveria, sepse ‘ligjet nuk janë për popullin por për ligjëshkelësit’, unanimiteti kthehet në unitet ndaj Prijësit. Nëse ‘unanimiteti’ ka për bashkëshoqëruese ‘shumicën’, që do të thotë se, kur nuk arrihet unanimiteti mund të marrim vendime nëpërmjet shumicës kolegjiale, ‘uniteti’ nuk ka bashkëshoqërues. Uniteti ndaj Prirësit ka vetëm antagonizëm. Kushdo e ka dëgjuar shprehjen e famshme kolektiviste ‘o me ne ose kundër nesh, rrugë tjetër nuk ka’.

Bile edhe antagonizmi është një term disi i butë, sepse për Prijësin, çdonjëri që nuk shpreh unitetin ndaj tij, është ose armik, kur identifikohet që në fillim; ose tradhtar, kur ka dalë si i tillë gjatë rrugës. Kjo është arsyeja, që edhe Prijësi jonë cilëson si ‘tradhtar’ çdonjërin që nuk brohoret ‘ligjet dhe rregullat’ që ai po vendos dhe po na shpëtojnë jetën nga virusi korona. Dhe këtu vijmë te një tjetër shpikje argumentuese e Prijësit. Që në fakt, nuk është shpikje, por ri shpikje, sepse është përdorur gjerësisht në shekullin e kaluar nga të tjerë shok të tij, socialist nacionalistë apo internacionalistë. Dhe në këtë kuptim, nuk është një term risi për ne, por një term i ri sjellë. Kishim të paktën dy dekada që nuk e dëgjonim, dhe ja e dëgjuam tani kur gjerat kanë filluar të ri kualifikohen, rivitalizohen, ri shpiken, apo Rilindin. E kishim dëgjuar të përdorej brenda partive, kur ndonjë grup shkëputej nga trupi i partisë mëmë; por jo drejtuar popullit.

Thënë thjeshtë, brenda popullit paska tradhtarë! Janë ata që mendojnë ndryshme nga Prijësi. Mjafton të mendosh ndryshe nga Prijësi, pavarësisht çfarë vlere dhe impakti shoqëror kanë ato që mendon Prijësi, dhe ti, qytetari i një Republike që ka 30 vjet në tranzicion, cilësohesh tradhtar. Po tradhtar ndaj kujt! Tradhtar ndaj ‘kauzave’ të Prijësit që lufton kundër popullit të tij!?

Nuk ekziston asnjë fjalë më e ndyrë se fjala tradhtar, kur përdoret për një individ të popullit tënd. Bile, nuk ka kuptim edhe kur përdoret për një individ të një populli tjetër me interesa të ndryshme nga ato të popullit tënd. Unë e urrej këtë fjalë, dhe nuk mendoja se do vinte një ditë kur do ta përdorja edhe unë, por kam frikë se erdhi. Nëse duhet të gjejmë patjetër tradhtar brenda nesh, atëherë tradhtarët janë ata. Janë Prijësi dhe enturazhi i tij, pavarësisht se shtiren në ‘unitetit’ apo në ‘antagonizëm’ me të. Janë ata që për 30 vjet penguan demokracinë liberale dhe tregun e lirë të punonin për shqiptarët, sikurse punuan për çdo komb tjetër që i përdori. Provat gjenden kudo, por unë do sjell vetëm një: kush e ka fajin që qindra mjekë shqiptar po i shërbejnë popullit të tyre nga ekranet e medias klasike apo moderne me intervista të dhëna nga vendet më të zhvilluara të botës, dhe jo nga spitalet e Shqipërisë?! E kam parë në sytë e tyre se ëndërrojnë të jenë këtu me ne, e kuptoj nga fjalët e tyre se diçka i pengon ta ndjekin ëndrrën e tyre dhe të vijnë.

gentiankaprata.blogspot.com /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH