Aktualitet

"Të lidhur në jetë dhe vdekje", babai i jep fund jetës, pasi harroi djalin e tij për orë të tëra në makinë

Shkruar nga Liberale

"Ata ishin të lidhur pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin dhe Aaroni donte të sakrifikonte jetën e tij, në një akt përkushtimi dhe dashurie të thellë ndaj djalit". Janë këto fjalët e lamtumirës së familjes për babanë 37-vjeçar, i cili kreu vetëvrasje, pasi zbuloi se kishte harruar për orë të tëra djalin e tij 18 muajsh në makinë, duke i shkaktuar vdekjen.

“Karriera e tij ishte e rëndësishme për të, por nuk ishte fokusi i jetës së tij. Përkundrazi, puna ishte mjeti që e lejoi atë të ndiqte ëndrrën e tij më të madhe, të bëhej baba dhe të krijonte një familje me gruan e tij Laura”, thuhet në nekrologji.

Aaron Beck vdiq duke qëlluar veten jo shumë larg shtëpisë së tij, në shtetin amerikan të Virxhinias më 28 qershor, pasi zbuloi se kishte lënë djalin e tij të vogël Anderson Beck për më shumë se tre orë në makinën e mbyllur në diell, të cilin më pas e gjeti të vdekur.

Sipas policisë lokale, burri ka harruar ta çojë fëmijën në kopsht, ose ka menduar se e ka bërë këtë dhe ka shkuar në punë si zakonisht, duke e parkuar makinën në diell me temperatura afër 30 gradë.

Andersoni i vogël ishte ende në makinë, kur disa nga anëtarët e familjes thirrën të alarmuar babanë, duke thënë se mësuesit kishin telefonuar për të lajmëruar se fëmija nuk kishte shkuar në kopsht.

Në atë moment burri e kuptoi, doli me nxitim nga puna dhe vrapoi në parking, por foshnja tashmë kishte vdekur. Në këtë moment ai vrapoi në shtëpi dhe pasi e vendosi foshnjën në djep, u largua jo shumë larg dhe vrau veten.

Ndërhyrja e agjentëve ishte e kotë, të cilët u lajmëruan nga familjarët, pas bisedës së fundit me 37-vjeçarin, i cili kishte shprehur qëllimet e vetëvrasjes.

“Aaroni ka qenë një baba dhe bashkëshort i jashtëzakonshëm për gruan e tij të mrekullueshme, Laura, e cila është shkatërruar plotësisht nga pikëllimi dhe ka një rrugë të vështirë përpara saj”, thonë anëtarët e familjes që kanë nisur gjithashtu një mbledhje fondesh për ta mbështetur.

“Anderson ishte një fëmijë i bukur, i këndshëm dhe inteligjent, i cili jetonte në një familje të dashur. Aaroni ishte një baba bujar, i sjellshëm dhe i kujdesshëm, i përkushtuar ndaj djalit të tij, të cilit i dha dashuri të pamasë dhe të pafund”, kujtuan të afërmit, duke përfunduar: “Anderson dhe Aaroni ishin thellësisht të lidhur në jetë dhe kështu do të jenë edhe në vdekje”./Përshtati Liberale.al

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH