Pasi ministrja e Shëndetësisë deklaroi se së shpejti rritja e pagave për mjekët do të bëhet realitet, ka ardhur reagimi nga Partia Demokratike.
Ish-deputeti i PD, Bardh Spahia, në në një reagim në Facebook, shkruan se ky premtim është mashtrim, ashtu sic ishte edhe premtimi për shëndetësi falas. Bardhi më tej zbulon edhe projektin konkret të PD.
Reagimi i plotë
Me Edi Ramën në krye të qeverisë nuk ka për të patur rritje të vërtetë pagash për mjekët. Deklaratat e Ogerta Manastirliut dhe Elisa Spiropalit për rritjen e rrogave të mjekëve janë zgjatje e agonisë së një pushteti të kalbur, gati për t’u shembur në 25 Prill.
Ka një muaj që flasin për rritje pagash, por nuk kanë asgjë konkrete, sepse modeli i vetëm i Edi Ramës është mashtrimi! Po i mashtron mjekët dhe infermierët njëlloj siç mashtroi shqiptarët për shëndetësi falas.
PD ka një projekt konkret për rritjen e pagave, 1200 euro/muaj për mjekët, 700 euro/muaj për infermierët. Është një nga projektet tona më të rëndësishme për t’u dhënë shqiptarëve një sistem shëndetësor, që punon për ta, jo për një grusht njerëzish.