Aktualitet

Si vetëmashtrimi na jep besim për të gënjyer të tjerët

Shkruar nga Liberale

Nga David Robson* - BBC

Vetëmashtrimi mund të na bëjë të besojmë gënjeshtrat tona, por edhe më bindës ndaj të tjerëve. Mediat sot transmetojnë plot histori të njerëzve që kanë jetuar në një gënjeshtër.

Këtu mund të përmendim; Elizabeth Holmes, sipërmarrësja e bioteknologjisë, e cila në vitin 2015 u shpall miliarderja më e re femër, dhe që tani është dënuar me 20 vite burg për mashtrim; Anna Sorokin, e njohur ndryshe si Anna Delvey, e cila pretendonte se, ishte një trashëgimtare e pasur gjermane dhe më pas u largua nga shoqëria e lartë e Nju Jork-ut; Shimon Hayut, i njohur si Simon Leviev ose i ashtuquajturi “mashtruesi i Tinder”.

Ai që i bën bashkë këta njerëz, nuk është fakti që gënjyen të tjerët, por fakti që gënjyen veten. Ata besonin se, jo vetëm që veprimet e tyre ishin të justifikueshme, por edhe që nuk do të zbuloheshin kurrë. Herë pas here ata dukeshin sikur mohonin realitetin. Mund të mendohet se, vetëmashtrimi është një fenomen i rrallë, por në të vërtetë është kaq i zakonshëm, pasi ne gënjejmë veten për të mbrojtur imazhin tonë.

Sipas hulumtimeve më të fundit, vetëmashtrimi mund të na ndihmojë edhe për të bindur të tjerët. Nëse ne besojmë gënjeshtrat tona është shumë më e lehtë që t'i bëjmë edhe njerëzit e tjerë t'i besojnë ato.

Ky hulumtim mund të shpjegojë sjelljen e dyshimtë në shumë fusha të ndryshme të jetës. Duke kuptuar faktorët e ndryshëm që ndikojnë në vetëmashtrim, ne mund të përpiqemi të dallojmë se, kur ai mund të jetë duke ndikuar negativisht në vendimet tona, duke na çuar në një rrugë të gabuar.

Rritja e egos

Në një eksperiment të vitit 2011, Profesoresha e Asociuar e Marketingut në “Universitetin Yale”, Zoe Chance tregoi se, shumë njerëz, në mënyrë të pandërgjegjshme e përdorin vetëmashtrimin për të rritur egon e tyre.

Një grupi njerëzish iu kërkua që të bënin një test inteligjence (IQ), ndërkohë që përgjigjet e pyetjeve ndodheshin në fund të faqes. Siç mund ta merrni me mend, këta njerëz performuan shumë mirë, gjë që nuk do të ndodhte, nëse testi nuk do t’i kishte përgjigjet gati.

Të anketuarit parashikuan se do të dilnin po aq mirë edhe në testin e dytë, por nuk e dinin se, ai përmbante njëqind pyetje, ku mes tyre edhe një kurth. Në këtë mënyrë ata mashtruan veten duke menduar se, i dinin zgjidhjet e problemeve pa pasur nevojë për ndihmë.

Për të qenë e sigurt për përfundimet e eksperimentit, Chance e përsëriti të gjithë eksperimentin me një grup të ri njerëzish. Ajo iu dha pjesëmarrësve një shpërblim financiar për parashikimin e saktë të rezultateve të tyre në testin e dytë, ndoshta kështu besimi në vete do të ulej. Ajo pretendonte, që pjesëmarrësit të ishin të vetëdijshëm për sjelljen e tyre, dhe besimi i tyre i tepërt të reduktohej, por nuk ndodhi kështu.

Ata ende e mashtronin veten duke pretenduar se, ishin më të zgjuar se sa ishin, edhe kur e dinin se do të humbnin para. Kjo nënkupton, që besimet ishin të vërteta, shumë të forta dhe të mbrojtura me fanatizëm. Psh., një student mund të besojë se, e ka fituar vendin e tij në një universitet prestigjioz me meritë, pavarësisht se ka gënjyer.

Të qenit i moralshëm

Vetëmashtrimi mund të përdoret edhe për të rritur imazhin tuaj. Për shembull, Uri Gneezy, një profesor i ekonomisë në “Universitetin e Kalifornisë San Diego” ka treguar së fundmi se, vetëmashtrimi mund të na ndihmojë të justifikojmë konfliktet e interesit në punën tonë.

Në një studim të vitit 2020, Gneezy u kërkoi pjesëmarrësve të merrnin rolet si këshilltarë ose klientë investimesh. Këshilltarëve iu dhanë dy mundësi, të cilat rezultuan me rreziqe, por edhe përfitime të ndryshme. Atyre iu tha gjithashtu se, do të merrnin një komision nëse klienti do të zgjidhte një nga dy investimet.

Këshilltarët e njërit prej grupeve u njoftuan se, do të marrin shpërblim që në fillim të eksperimentit. Ajo që ndodhi ishte se, teksa në dukje dukeshin sikur po gjenin zgjidhjen më të mirë për klientin, ata në të vërtetë po shkonin drejt zgjidhjes më të favorshme për veten e tyre.

Në pjesën e dytë të eksperimentit, këshilltarëve iu tha se, ky shpërblim do të jepej vetëm pasi të peshonin të mirat dhe të këqijat e secilit. Ky fakt bëri, që shumë pak prej tyre të linin shpërblimin që të ndikonte në vendimet e tyre. Ata vepruan në mënyrë të ndershme dhe i dhanë këshilla më të mira klientit.

Për Gneezy, fakti që shpërblimi ndikoi vetëm në pjesën e parë të eksperimentit tregon që vetëmashtrimi ishte i pavetëdijshëm. Ata ndryshuan mënyrën se, si po llogaritnin përfitimet dhe rreziqet pa qenë të vetëdijshëm për paragjykimet, në mënyrë që të mund të mendonin se po vepronin ende në interes të klientëve.

Në pjesën e dytë të eksperimentit, ata thjesht nuk mund ta bindnin veten se, po vepronin në mënyrë etike. Në këtë mënyrë, vetëmashtrimi është një mënyrë për të konsideruar veten të moralshëm.

"Kjo do të thotë që ne mund të vazhdojmë ta shohim veten si njerëz të mirë, edhe kur veprimet tona tregojnë të kundërtën”, thotë ai.

Kjo formë e vetëmashtrimit mund të jetë e rëndësishme për këshilltarët financiarë, por sipas Gneezy mund të jetë e rëndësishme edhe për shëndetin. Ai merr shembullin e një mjeku, i cili në mënyrë të pandërgjegjshme mund ta mashtrojë veten, duke menduar se trajtimi më i shtrenjtë, është më i mirë për pacientin.

Duke bindur veten, bindim të tjerët

Ndoshta pasojat më befasuese të vetëmashtrimit janë ato gjatë bisedave me të tjerët. Sipas kësaj teorie, vetëmashtrimi na lejon të jemi më të sigurt në atë që themi, gjë që na bën më bindës.

Nëse po përpiqeni të shisni një produkt të dyshimtë, për shembull, do t’ju shërbente shumë fakti që ju besoni me të vërtetë tek cilësia e lartë e atij produkti, edhe pse ekzistojnë prova që vërtetojnë të kundërtën. Kjo hipotezë u propozua për herë të parë dekada më parë, në një punim të fundit nga Peter Schwardmann, profesor në “Universitetin Carnegie Mellon” të SHBA-së. Ai ofron disa prova të forta për idenë e vetë.

Ashtu si studimi i Chance, eksperimentet e para të Schwardmann filluan me një test inteligjence (IQ). Pjesëmarrësve nuk iu dhanë rezultatet, por pas përfundimit të testit, ata duhej të vlerësonin privatisht se, sa mirë mendonin se e kishin plotësuar testin. Më pas ata bënë një test bindjeje: duhej të dilnin përpara një grupi punëdhënësish dhe të bindin panelin për aftësitë e tyre intelektuale. Intervistuesit do të merrnin 15 euro shpërblim, nëse arrinin t'i bindnin punëdhënësit se ishin më të zgjuarit e grupit.

Disa prej të anketuarve iu tregua paraprakisht se, pse do të intervistoheshin, ndërsa pjesës tjetër më pas. Schwardmann zbuloi se, kjo ndryshoi vlerësimet e tyre për aftësitë personale: fakti që ata e dinin paraprakisht se duhet të tregoheshin bindës, ndikoi që të shfaqnin një besim shumë të madh për aftësitë e tyre në krahasim me pjesën tjetër që nuk u lajmëruan paraprakisht. Nevoja për të bindur të tjerët i kishte shtyrë ata të mendonin se, ishin më të zgjuar se sa ishin në të vërtetë.

Ai e përshkruan këtë si një lloj refleksi. Eksperimentet e Schwardmann-it treguan se vetëmashtrimi dha rezultat, duke dalë në përfundimin se, “vetëbesimi i tepërt rriti aftësinë e njerëzve për të bindur punëdhënësit”.

Iluzione madhështie

Truri ynë mund të na mashtrojë për të besuar gjëra që nuk janë të vërteta. Vetëmashtrimi mund të na bëjë të besojmë se, jemi më të zgjuar se të gjithë njerëzit rreth nesh. Kjo do të thotë që ne i shpërfillim pasojat e veprimeve tona në raport me njerëzit e tjerë, në mënyrë që të besojmë se, po veprojmë në një mënyrë të drejtë dhe të moralshme. Duke mashtruar veten për vërtetësinë e besimeve tona, ne tregojmë bindje më të madhe në opinionet tona, gjë që nga ana tjetër, mund të na ndihmojë të bindim të tjerët.

Ne nuk mund ta dimë kurrë se, çfarë po kalonte me të vërtetë në mendjen e Holmes, Sorokin apo Hayut apo dhe mashtruesve të tjerë, por është e lehtë të spekulohet se, si disa nga mekanizmat më poshtë mund të kenë qenë në lojë.

Këta mashtrues duket se, kanë pasur mendime anormale për aftësitë e tyre dhe të drejtën e tyre për të marrë atë që duan. Me sa duket, dëshira për status social duket se, rrit prirjen e njerëzve për vetëmashtrim. Kur njerëzit ndihen të kërcënuar nga të tjerët, ata kanë më shumë gjasa të fryjnë perceptimet për aftësitë e tyre. Mund të ndodhë që sa më të mëdha të jenë aksionet, aq më të mëdha janë gënjeshtrat, që jemi në gjendje t'i themi vetes.

Shumicën e kohës, vetëmashtrimi ynë mund të ndikojë për mirë, duke na lejuar të ndihemi pak më të sigurt në vetvete. Por duhet që gjithmonë të jemi të vetëdijshëm për këto tendenca, veçanërisht nëse jemi duke marrë vendime që mund të ndryshojnë jetën.

Një mënyrë e mirë për të shuar të gjitha llojet e paragjykimeve, është që të marrim në konsideratë edhe të kundërtën e asaj që besojmë dhe mendojmë për veten, duke përdorur një teknikë shumë të drejtpërdrejtë. Ne mund të përpiqeni të gjejmë arsyet se, pse besimi jonë mund të jetë i gabuar, gati-gati sikur të jemi duke marrë veten tonë në pyetje. Studime të shumta kanë treguar se, kjo na bën të mendojmë në mënyrë më analitike për një situatë. Në testet laboratorike, ky arsyetim sistematik rezulton të jetë shumë më efektiv sesa thjesht t'u thuash njerëzve të mendojnë racionalisht.

Por, kjo mund të ndodhë vetëm në rastin kur ne pranojmë të metat tona dhe hapi i parë është pranimi i problemit.

Një këshillë: Mund të mendoni se vetëmashtrimi i bën dëm vetëm të tjerëve, por e keni gabim. Nëse e besoni këtë, ky mund të jetë mashtrimi juaj më i madh.

*David Robson është autor i librit "Efekti i pritshmërisë: Si mendësia juaj mund të transformojë jetën tuaj", botuar nga Canongate (MB) dhe Henry Holt (SHBA) në fillim të vitit 2022. 

/Përshtatur për Liberale.al nga Viola Shkulaku

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH