Editorial

Si do t’i përgjigjet opozita lojës me ndryshimet kushtetuese

Shkruar nga Liberale
Si do t’i përgjigjet opozita lojës me ndryshimet kushtetuese

Preç Zogaj

Ndryshimet kushtetuese në seancën e fundit paralamentare të kësaj vere  vulosen hapjen konsensuale të listave. Ka mbetur për t’u sqaruar a do të hapen njëqind për qind, siç kërkon Opozita e Bashkuar, apo shtatëdhjetë e pesë përqind e bishtit, siç ka thënë fillimisht shumica, ndërsa njëzet e pesë përqindshi i kreut do t’u lihet në dorë vetë partive. E mira është të vendoset në ligj hapja e plotë. E gjithë kjo për të mos e lënë jashtë litarin e sistemit të vjetër, duke ligjëruar atë që disa njerëz nëpër partitë tona të jenë “më të barabartë se të barabartët”, siç thoshte Xhorxh Oruelli në distopinë e tij të shoqërisë totalitare shpalosur në romanin e tij të njohur “Ferma e kafshëve”. Kjo në thelb do të mbante në këmbë sistemin e vjetër, duke qenë se vetë ligji i listave të mbyllura ka qenë votuar pikërisht për të shmangur nga gjykimi me votë popullore kupolat partiake. Madje sistemi dele-dash do ta bënte më keq sepse do të vendoste një vijë ndarëse midis një kaste që nuk konkuron dhe “plebejve” që konkurojnë.

Ndyshimi i dytë ka të bëje me formulën e koalicioneve. Shumica parlamentare u ka hapur rrugë koalicioneve unike, pra daljes me një listë të përbashkët të partive që kanë aleancë me njëra-tjetrën. Opozita e Bashkuar ka theksuar se një ndryshim si ky vjen në kundështim me përcaktimet e dakordësuara në marrëveshjen e 5 qershorit. Ajo ka kërkuar mbajtjen e koalicioneve të përbëra, ku partitë aleate hyjnë në zgjedhje secila me listat e saj në një ombrellë.

Ka plot argumente politikë dhe juridikë për të kundështuar formula që imponojnë mënyrën si koalicionohen partitë politike në zgjedhje dhe nga zgjedhjet në zgjedhje. Koaliconet në thelb duhet të jenë të lira. Parimi qëndron më lart se praktika e numërimit dhe çdo element tjetër teknik-organizativ.

E kemi nënvizuar në një shkrim të mëparshëm, se Ramamori një propozim të mirë të deputetevë të opozitës parlamentare, siç ishte ai i hapjes së listave për t’i  bashkangjitur si rabat një kalkulim apo hall të tij elektoral duke llogaritur të fitojë jo duke marrë vetë më shumë vota se opozita, por duke  i çuar dëm sa më shumë vota opozitës.

Mirëpo tashmë ndryshimi kushtetues është realizuar, duket qartë se Rama do t’i shkojë  deri në fund, pa marrë parasysh asnjë lloj kostoje që do t’i krijonte në rrafshin ndërkombëtar, por edhe brenda vendit goditja në këtë pikë e marrëveshjes së 5 qershorit dhe qëndrimi i opozitës.

Pavarësisht betejës që do të vazhdojë të zhvillohet në shtator, kur ndyshimet kushtetuese do të “hidhen” në ligj, PD dhe Opozita e Bashkuar duhet të përgatiten për të shkuar në zgjedhjet e reja parlamentare me formulën e re të koalicioneve unike. Si do të shkohet në ato  zgjedhje? Me një koalicion? Me dy me tre? Apo ka zgjidhje të tjera? Ky është një vendim që duhet të merret me mirëkuptim mes partive, në funksion te maksimalizimit të votave, në bazë të analizave serioze, të bëra nga profesionistë, politologë dhe politikanë të aftë. Për ketë çeshtje shumë të rëndësishme ia vlen të konsultohen edhe sondazhe te fokus grupeve.

Në një kuptim  të epërm, tej kalkulimeve me laps në dorë, fatin e fitores së opozitës e vendos fuqia e partisë  më të madhe, pra e PD-së, që është edhe alternativa e PS-së. Pa rritjen e PD-së nuk ka fitore. Nuk i kam qejf dhe i shmang zakonisht në shkrimet e mia shprehjet kategorike, por fakti është se PD është partia që përcjell e mund të përcjellë  akoma më shumë frymë ndryshimi e besimi në elektorat në pjesen e mbetur të kohës  deri në zgjedhje. Në këtë aspekt, lista unike, ajo që dikton piksëpari ndryshimi kushtetues arbitrar që bëri Rama më të tijtë, ka të mirat dhe të këqijat e veta. Një listë unike është tepër efikase kur subjektet pjesmarrëse kanë peshë domethënese elektorale. Apo për ta ulur stekën, kalojnë pragun elektoral që është i lëvizshëm nga një qark në tjetrin. Fakti është se Opozita e Bashkuar ka më shumë parti që nuk e kalojnë pragun.

Vendet që mund tu jepte PD aleatëve në një listë eventualisht unike, me një listë eventualisht të mbyllur në pjesën e kreut sipas qarqeve, do të duhet të ruanin sa më të pacënuar vullnetin dhe mobilizimin e zgjedhësve të shumtë demokratë për të votuar kandidatët dhe siglën e partisë së tyre. E thamë dhe po e përserisim: një PD e dobësuar do të thotë humbje për gjithë opozitën.

Lista e hapur njëqind për qind hap një skenar të kundërt. Në listën eventuale unike me listë të hapur njëqind për qind mund të ndodhë që një numër i madh kandidatësh  të partive të vogla të renditen poshtë vijës së përfaqësimit në Kuvend. Edhe kjo nuk është mirë. Duke e ditur këtë, nuk përjashtohet mundësia  të ketë kandidatë që do të kërkojnë  të blejnë vota. Partia në pushtet me veglat e saj do të jetë e interesuar ta nxisë apo edhe të spekullojë me këtë dukuri të shëmtuar.

Procesi i pjekjes së mendimit për koaliconet në funksion të maksimalizimit të votave, do të marrë në shqyrtim pa dyshim skemën e daljes me marrëveshje me dy ose tre koalicione unike. Të parin ta udhëheqë Partia Demokratike, të dytin LSI që merr  tradicionalisht deputetë, i treti mund synohet nga ndonjë parti që kalon pragun dhe ka  pozicionin e përshtatshëm të ftojë për bashkim edhe parti antiqeveritare apo edhe joqeveritare, që nuk janë pjesë e Opozitës së Bashkuar por bëjnë opozitë me vete. Në lidhje me këto subjekte, disa prej të cilave janë  aktive e ndonjë tjetër mund të  krijohet gjatë vjeshtës, mendoj se PD-së  si  partia më e madhe, më e interesuara, që ka përgjegjesinë kryesore për realzimin e rotacionit të pushtetit në Shqipëri, i takon të  vendosë e para një komunikim politik me ta dhe t’u shtrije e para dorën e  bashkëpunimit për një qëllim,duke u ngritur mbi hatërmbetjet dhe ndjeshmëritë që kanë lënë pas ndarjet e përplasjet në periudha të caktuara me parti dhe individë që kanë qenë pjesë e Partisë Demokratike dhe mbi çdo lloj paragjykimi ndaj subjekteve dhe lëvizjeve që nuk kanë derivim nga PD. Rotacioni i pushtetit realizohet vetëm me vota. Ndaj maksimalizimi i tyre  është detyra numër një. Askush që ka në mendje dhe në zemër largimin e qeverisë Rama nuk duhet lënë të mos e shprehë këtë vendim me votë në kuti për arsye banale organizimi apo inatesh boshe./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH