Foto: Momenti emocionues në mars 2023, kur KPK vendosi në mënyrë unanime të konfirmojë në detyrë prokuroren e Shkodrës, Shqiponja Milla
Nga 702 individë të thirrur dhe nënshtruar Veting-ut, 429 janë meshkuj dhe 273 femra ose nga totali 61.11% meshkuj dhe 38.9% femra.
Në nëntor 2023, procesi nuk kishte përfunduar për 103 subjekte të shortuar ose 12.8% të listës (Aktualisht rreth 90 për qind e procesit konsiderohet i përfunduar).
Sipas gjinisë 66% e subjekteve të dorëhequr janë meshkuj dhe 34% e tyre janë femra. Ndërsa numri i meshkujve të shkarkuar nga Vetting-u është tri herë më i lartë se ai i femrave.
Nga ana tjetër në Shkollën e Magjistraturës pas Reformës në Drejtësi janë diplomuar 174 subjekte, prej të cilëve 108 profili gjyqtar dhe 66 profili prokuror. Referuar kategorizimit në bazë të gjinisë rezulton se 107 subjekte janë femra dhe 67 meshkuj ose 61% e magjistratëve të rinj janë femra dhe 39% e tyre janë meshkuj.
Teksa procesit të Veting-ut po i vjen fundi, të dhënat e publikuara nga “Open Data Albania” tregojnë se më shumë meshkuj janë skualifikuar në raportin me femrat, kryesisht për shkak të shkarkimit dhe dorëheqjes dhe gati dyfishi i femrave janë pranuar në sistemin e ri të drejtësisë pas Reformës në Drejtësi. Kjo do thotë se institucionet e reja të drejtësisë do të dominohen nga gjyqtare dhe prokurore femra.
Në gati 6 vite punë (shkurt 2018 – Nëntor 2023), rezultatet e Vettingut referojnë si vijon:
Sipas profilit 377 subjekte që i janë nënshtruar Veting-ut janë gjyqtarë; 286 prokurorë, 21 ndihmës ligjorë; 11 këshilltarë ligjorë; 6 inspektorë dhe 1 nëpunës në këshillin e lartë gjyqësor.
251 subjekte ose 38.5% e subjekteve të thirrur në Vetting janë konfirmuar plotësisht dhe procesi i Vettingut ka përfunduar
152 subjekte ose 21.7% e të thirrurve në Vetting janë shkarkuar plotësisht dhe procesi i Vetting-ut ka përfunduar
109 subjekte ose 15.5% janë dorëhequr
131 subjekte ose 18.7% janë në pritje të vendimit të KPA, pas apelimit të vendimit të KPK
1 subjekt ose 0.1 është aktualisht i pezulluar
43 subjekte ose 6.1% e tyre sipas vendimit të institucioneve të Vettingut kanë dalë në pension, ndërruar jetë, humbur statusin e magjistratit.
15 subjekte ose 2.1% e tyre kanë marrë vendim vetëm të KPK, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe janë brenda afatit të apelimit të vendimit në KPA
Në subjektet e konfirmuar në detyrë sipas profilit janë konfirmuar:
136 gjyqtarë,
103 prokurorë,
4 ndihmës ligjorë,
6 këshilltarë ligjorë dhe
2 nëpunës në KLGJ dhe Inspektorë
Shprehur në përqindje 54.2 % e tyre janë gjyqtarë, 41% prokuror, 1.6% ndihmës ligjorë, 2.4 % këshilltarë ligjorë dhe 0.8% janë nëpunës dhe inspektorë.
31.58% e subjekteve janë shkarkuar për më shumë se një kriter të parashikuar në nenin 63 të Ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikës e Shqipërisë.
218 subjekte ose 87% e subjekteve të konfirmuar plotësisht janë konfirmuar me vendim të formës së prerë që në KPK dhe 34 subjekte ose 13% e subjekteve të konfirmuar plotësisht janë konfirmuar me vendim të KPA, duke lënë në fuqi vendimin e KPK për konfirmim në detyrë ose duke rrëzuar vendimin e KPK për shkarkim nga detyra të subjektit.
Shkarkimet
Nga procesi i Vettingut janë shkarkuar plotësisht nga detyra 152 subjekte ose 21.7% e subjekteve që i janë nënshtruar Vettingut. Sipas grupit gjinor janë shkarkuar plotësisht nga detyra 115 meshkuj dhe 37 femra.
Në subjektet e shkarkuar nga detyra rezultojnë 92 gjyqtarë, 58 prokurorë dhe 2 ndihmës ligjorë ose e shprehur në përqindje 61% e subjekteve të shkarkuar plotësisht janë gjyqtarë, 38% prokurorë dhe 1% ndihmës ligjorë.
Dorëheqjet
Ndërkohë 109 subjekte ose 15.5% e subjekteve thirrur në Vetting janë dorëhequr nga detyra para ose gjatë zhvillimit të procesit. Komisionet e Vettingut kanë ndërprerë shqyrtimin e çështjes, duke iu ndaluar edhe emërimin për 15 vite në institucionet e sistemit të drejtësisë.
Në subjektet e dorëhequr nga detyra sipas profilit janë 63 gjyqtarë, 28 prokurorë, 12 ndihmës ligjorë, 4 këshilltarë ligjorë dhe 2 inspektorë ose e shprehur në përqindje 57.8% e subjekteve të dorëhequr janë gjyqtarë, 25.7% prokurorë, 11% ndihmës ligjorë, 3.7% janë këshilltarë ligjorë dhe 1.8% janë inspektorë në institucionet e drejtësisë.
Sipas gjinisë janë dorëhequr 72 meshkuj dhe 37 femra ose 66% e subjekteve të dorëhequr janë meshkuj dhe 34% e tyre janë femra.
Ankimimet
Rezulton se vendimi i KPK ka marrë formë të prerë dhe nuk është ankimuar për 399 subjekte. Për 379 subjekte vendimi i KPK është ankimuar, nga ku 257 raste nga vetë subjekti dhe nga IKP janë ankimuar vendimet për 92 subjekte. Një vendim i KPK është apeluar njëkohësisht nga subjekti dhe Institucioni i Komisionerit Publik, IKP-ja, dhe 13 subjekte janë brenda afatit për të cilët vendimi mund të apelohet (nëntor 2023). E shprehur në përqindje vendimi i KPK për 48.3% të subjekteve nënshtruar Vettingut nuk është apeluar dhe për 49.7% të subjekteve është apeluar, përkatësisht për 36.6% të subjekteve nga vetë subjekti dhe 13.1% nga IKP.
Kalueshmëria
Treguesin më të mirë në Kalueshmëri e kanë Gjyqtarë të Gjykatës së Krimeve të Rënda Shkalla e Parë. Konkretisht nga 11 gjyqtarë që kanë tashmë vendim të formës së prerë Vetting 10 janë të kualifikuar me sukses (90%). Ndërkohë në këtë institucion kemi edhe 2 dorëheqje dhe 1 shkarkim.
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë rrëzuar në vetting në 5 nga 6 gjyqtarë të vlerësuar. Duke shënuar kështu edhe nivelin më të lartë të rrëzimeve në Vetting.
Nëse flasim për gjyqtarë dhe prokurorë (pa këshilltarë dhe inspektorë) nga 663 të thirrur në Vetting, vetëm 399 e kanë përfunduar procesin nga të cilët 239 ose 60% me sukses ndërsa 150 ose 38% duke u rrëzuar. Janë gjithashtu edhe 91 raste të cilët janë dorëhequr në momentin e thirrjes apo nënshtrimit të Vettingut 14%. Ndërsa 173 janë ende nën proces.
37% e anëtarëve të Gjykatës së Lartë të thirrur në vetting dhanë dorëheqjen duke hezituar të futen në procesin e Vetting-ut. Sa u takon prokurorëve kalueshmërinë më të lartë e kanë Prokurorë në Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo për Krime të Rënda e Apelit.
Magjistratura pas Reformës në Drejtësi
Në Shkollën e Magjistraturës pas Reformës në Drejtësi janë diplomuar 174 subjekte, prej të cilëve 108 profili gjyqtar dhe 66 profili prokuror. Referuar kategorizimit në bazë të gjinisë rezulton se 107 subjekte janë femra dhe 67 meshkuj ose 61% e magjistratëve të rinj janë femra dhe 39% e tyre janë meshkuj.
Prej subjekteve të konfirmuar plotësisht 134 subjekte janë femra dhe 117 subjekte janë meshkuj, ose 53.8% e subjekteve të konfirmuar femra dhe 46.2% meshkuj. Megjithëse rezultojnë më pak në Sistem, grupi femra ka më shumë sukses në Proces Vlerësimi.
Prej vitit 2019 subjektet që kandidojnë në Shkollën e Magjistraturës kalojnë dy herë në procedura kontrolli, procese që realizohen nga Institucionet e reja të drejtësisë. Referuar ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” parashikohet: Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kryejnë verifikimin e pasurisë dhe të figurës së konkurrentëve, në përputhje me ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe i dërgojnë Shkollës së Magjistraturës listën përfundimtare të kandidatëve të pranuar. Vettingu i parë kryhet para se kandidatët të pranohen në Shkollën e Magjistraturës, për formimin fillestar për prokuror apo gjyqtarë. Kontrolli apo Vettingu për pasurinë dhe figurën, në këtë rast bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për kandidatët për gjyqtarë dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për Kandidatët për Prokurorë. Vettingu kryhet edhe pasi kandidati ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe para se të emërohet gjyqtar apo prokuror sërish nga KLP dhe KLGJ.