Marrë nga gazeta “Koha Jonë” e datës 26 janar 1999, përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku
Mblidhet ekzekutivi. Diskutohen problemet aktuale të vendit
Korrupsioni, topi në rrjetën e qeverisë
Majko: "Ne nuk do të lejojmë që Shqipëria të jetë peng i kontrabandistëve dhe i rrjeteve mafioze"
TIRANË - Korrupsioni, kontrabanda, arritjet në zhdoganime, ky ka qenë thelbi i mbledhjes së djeshme të kabinetit qeveritar që u kryesua nga shefi i ekzekutivit Pandeli Majko. "Ne nuk do të lejojmë që Shqipëria të jetë peng i kontrabandistëve dhe i rrjeteve mafioze brenda dhe jashtë vendit. Këtë sfidë historike, jemi të vendosur ta fitojmë në emër të shtetit dhe të stabilitetit të vendit". Ky ka qenë deklarimi i bujshëm i kryeministrit Majko gjatë mbledhjes së djeshme, ku si çështje më të rëndësishme, ata kanë konsideruar miratimin në parim të Konventës Penale të Këshillit të Evropës "Për korrupsionin".
Madje, ky diskutim në mbledhjen e djeshme të qeverisë, është bërë pas një takimi që zv. kryeministri Ilir Meta, i cili mbulon edhe programin antikorrupsion, ka zhvilluar me ambasadorin e OSBE në Tiranë Daan Everts. Ndoshta për qeverinë shqiptare ka pasur edhe kritika në këtë pikë sepse për planin antikorrupsion nuk është ecur shumë për- para, përveçse janë shtyrë afatet. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Pandeli Majko ka theksuar faktin se "miratimi i kësaj kon- vente tregon vullnetin e palëkundur politik dhe impenjimin serioz të qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit".
Aty, është vënë në dukje se ndryshimet e fundit në strukturat drejtuese të policisë në Aeroportin e Rinasit i kanë dhënë një goditje të fortë fluksit të klandestinëve të huaj që ndiqnin këtë rrugë për të hyrë në Shqipëri. Po ashtu është bërë edhe një ekspoze e përgjithshme e arritjeve në fushën e financave deri tani. Sipas një njoftimi të dhënë nga Ministria e Informacionit, Angjeli ka thënë se "ndryshimet në strukturat e sistemit doganor, bënë të mundur që të ardhurat nga doganat për muajin shtator, tetor, nëntor, dhjetor të vitit 1998 të jenë në rritje dhe përkatësisht: 74 për qind, 80 për qind, 84 për qind, dhe 94 për qind". Më pas ai është ndalur edhe në të dhëna më konkrete. Kështu, thuhet se ndërsa në 6-mujorin e parë të vitit të kaluar janë zhdoganuar 19 tonë cigare, në 6-mujorin e dytë janë zhdoganuar 530 tonë të tilla. Këtu Angjeli ka përfshirë edhe rezultatet e paraardhësit të tij. Rritje e të ardhurave ka patur edhe për karburantet e pijet alkoolike, gjatë 6 mujorit të dytë të vitit. A. BASHA