Politikë

Berisha, paralajmërim bandave nga Kruja: Kush bën presion për votën do të shpallet terrorist

Shkruar nga Liberale
Berisha, paralajmërim bandave nga Kruja: Kush bën presion për

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi nga Kruja dy ngjarjet e rënda kriminale që tronditën Lezhën dhe kryeqytetin mbrëmjen e së enjtes.

Gjatë takimeve në zonën e pazarit në Krujë, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se me politikën e tij ka fuqizuar bandat kriminale.

“Ju e morët vesh, nga një masakër në një masakër tjetër. Mbrëmë rrugët e Tiranës u skuqën, katër vetë morën breshëri dhe, deri tani, narkoshteti nuk është në gjendje të thotë se çfarë ishin ato. Por kurrë nuk mund të gjuhej mbi një 11-vjeçar. Mirëpo njeriu që i ndërsen dhe u thotë: ‘hani kokën njëri-tjetrit, por më shërbeni mua’, krijon këtë situatë,” tha Berisha.

Kryedemokrati paralajmëroi bandat kriminale që ushtrojnë presion mbi qytetarët në prag të zgjedhjeve, duke deklaruar se do të shpallen terroriste.

“Ne do të bëjmë ligjin, dhe ata të cilët përzihen… i lutem shumë çdo qytetari të mbajë shënim personin që u bën presion dhe i kërcënon për votën , ai absolutisht do të shpallet terrorist pas këtyre zgjedhjeve. Do të listohet si terrorist dhe do të trajtohet si i tillë. Ne do të bëjmë ligjin!” shtoi ai.

Berisha theksoi se 11 maji është dita kur vendoset e ardhmja e vendit.

“Ndaj u bëj thirrje qytetarëve të Krujës, pavarësisht nga bindjet politike  nuk është çështja për PD-në apo ndonjë parti tjetër. Çështja është, në radhë të parë, për xhepin tënd, për pensionin tënd, për rrogën tënde, për biznesin tënd. Krujës i premtoj investimet më serioze: ujësjellësin, lidhjen me Tiranën, zonat turistike të cilat sot nuk arrihen dot. I premtoj çlirimin e çdo centimetri katror të këtij vendi nga banditët, nga vrasësit, nga gjobëvënësit,” deklaroi lideri i opozitës.

Më pas, kryetari i PD vizitoi një fasoneri në zonën e Krujës, ku shpjegoi programin e Partisë Demokratike për biznesin dhe angazhimin për të mbrojtur sipërmarrësit nga zhvlerësimi i euros.

Liberale Newsroom

Poll
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH