
Bashkëshorti i arrestuar i Bedrie Lokës do të dalë këtë të hënë para gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tij.
Xhemal Loka u arrestua të shtunën pas hetimeve të para që nxorën në dritë se ai ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes dhe në më shumë se një rast e ka kërcënuar me vdekje dhe në prani të fëmijëve.
Tashmë ndaj tij janë ngritur akuzat për “Shkaktim i vetëvrasjes” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve”, ndërsa burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se nuk përjashtohet as pista e vrasjes.
Pas arrestimit 45 vjeçari ka deklaruar se bashkëshortja u vetëvra për shkak se nuk përballoi bullizmin në rrjetin social TikTok.
Por dëshmitë e fëmijëve dhe pretendimet e familjarëve të viktimës, si dhe videot e gjetura në celularin e të arrestuarit, konsiderohen prova për dhunën e vazhdueshme që ushtrohej ndaj 41-vjeçares.